Presidenti i Rusisë Vladimit Putin ka njohur pavarësinë e republikave të vetëshpallura Donjeck dhe Luhansk. Në Kremlin ai nënshkroi dekretin përkatës. Njëkohësisht ai udhëzoi edhe dërgimin e trupave.
Televizioni shtetëror rus tregoi, se si presidenti Vladimir Putin nënshkroi dekretin për njohjen e republikave separatiste në lindje të Ukrainës. Putin tha, se është i sigurt, që popullsia ruse e mbështet vendimin e tij. Njëkohësisht ai udhëzoi dërgimin e trupave në lindje të Ukrainës. Njësitë duhet të kujdesen për paqen në shtetet tashmë të njohura si të pavarura „Republikat Popullore të Luanksit dhe Donjeckut”, thuhet në një dekret të dytë. Se kur do të dërgohen ushtarët është ende e paqartë. Putin gjithashtu udhëzoi Ministrinë e Jashtme në Moskë që të vendosë marrëdhëniet diplomatike me këto dy rajone, të cilat sipas së drejtës ndërkombëtare i përkasin Ukrainës.
“Lindja e Ukrainës është historikisht ruse”
Në një fjalim në televizion Putin e ka quajtur lindjen e Ukrainës historikisht territor rus. Ukraina është një pjesë integrale e historisë sonë, deklaroi ai në një fjalim për gjendjen në lindje të Ukrainës.
Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë një telefonate më parë me Putinin kishte tërhequr vëmendjen në rast të njohjes së dy rajoneve ukrainase si shtete të pavarura. Një hap i tillë është në „kundërshtim të thellë” me Marrëveshjen e Minskut për zgjidhjen paqësore të konfliktit në lindje të Ukrainës dhe do të ishte një „shkelje e njëanshme” e kësaj marrëveshjeje nga ana e Rusisë, tha Scholz në bisedën me Putinin, sipas të dhënave të zëdhënësit të kancelarit.
“Republikat popullore” dhe parlamenti rus më parë i kërkuan Putinit, që të njohë pavarësinë e tyre. Këshilli rus i Sigurisë në një mbledhje të posaçme e mbështeti me shumicë këtë kërkesë. Edhe ministri Jashtëm Sergej Lavrov dhe ministri i Mbrojtjes Sergej Shoigu, ishin shprehur për njohjen e rajoneve.
Gjatë mbledhjes Putin deklaroi, se nuk sheh më shans për zbatimin e Marrëveshjes së Minskut për paqen në lindje të Ukrainës. “Ne kemi krijuar bindjen, se nuk ka perspektivë për këtë marrëveshje”, tha ai. Në Marrëveshjen e Minskut të ndërmjetësuar më 2014 dhe 2015 nga Franca dhe Gjermania palët e konfliktit në lindje të Ukrainës patën rënë dakord për disa hapa për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.
Marrëveshja e Minskut parashikonte ndër të tjera një armëpushim të menjëhershëm, tërheqjen e armatimeve të rënda si dhe tërheqjen e të gjithë ushtarëve të huaj dhe trupave nga lindja e Ukrainës. Në Luhansk dhe Donjeck duhej të mbaheshin zgjedhje, edhe Kievi duhej të miratonte një reformë kushtetuese, për të pranuar një status të veçantë për rajonet në Donbas.
Separatistët apel Moskës
Separatistët në lindje të Ukrainës iu drejtuan Moskës. „Ju lutem të njihni sovranitetin e republikave popullore të Luhanksit dhe Donjeckut”, tha kreu i rebelëve Leonid Pasetçnik në një video-mesazh të transmetuar në televizion. Udhëheqësi i separatistëve në republikën e vetëshpallur Donjeck, Denis Puchilin, iu bashkua kësaj kërkese. Ai i bëri thirrje Moskës gjithashtu që të ndërmarrë një bashkëpunim „në fushën e mbrojtjes”.
Rezoluta e Dumës
Një javë më parë parlamenti rus miratoi një rezolutë me kërkesën për njohjen e republikave të vetëshpallura. Putin e pati lënë të hapur këtë vendim.