Ballina Diaspora ORKESTRIMI I SULMEVE KORALE KUNDËR VJOSËS, ALBINIT, DONIKËS

ORKESTRIMI I SULMEVE KORALE KUNDËR VJOSËS, ALBINIT, DONIKËS

 

      – PRONTO-mafia, si NPK, dëmtoi dhe rrënoi imazhin e Kosovës –
 
IDRIZ ZEQIRAJ
 
       Opozita në panik, për krimet dhe hajnitë zyrtare, të bëra përgjatë tej dy dekadave. Të nisur nga motoja “sulmi është mbrojtja më e mirë”, opozita e frustruar dhe e çakorduar, është hedhur në sulm frontal kundër pozitës, LVV dhe Listës “Guxo”. Ajo nuk po zgjedh metoda as mjete, për ta sulmuar e denigruar udhëheqjen aktuale. Të nisur nga makiavelizmi klasik, “qëllimi i justifikon mjetet”, opozita e sforcuar, skajshëm e marrëzishëm, synon pengimin e ndryshimit, aq shumë të dëshiruar dhe të kërkuar nga populli i Kosovës.
     Dhe, këtë e manifestoi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kur, në masën plebishitare, ia besoi këtë ndryshim LVV dhe Listës “Guxo”, me bindjen se vetëm të painkriminuarit dhe të pashantazhuarit, mund ta sjellin integritetin dhe dinjitetin e këtij populli, keqas të nëpërkëmbur nga banditër dhe bandat, në qeverisjen e kaluar.
     Në kuadrin e sulmeve korale ndaj Qeverisë Kurti, nga opozita dështake e PAN-it, nuk po kursehet as presidentja Vjosë Osmani. Ky grupim kriminal, i cili sabotoi luftën për çlirim dhe përgjaku Kosovën, gjatë dhe pasluftës, pas humbjes së pushtetit, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, vazhdon të rezistojë, dëshpërueshëm, ndryshimin. Dhe, kjo rezistencë, zbulueshëm, po manifestohet me refuzimin e – Vetting-ut – në sistemin e drejtësisë, të cilin, eksponentët zyrtarë të krimit e shkatërruan, qëllimshëm, për të livadhisur shpengueshëm, për të pamundësuar hetimin e ndëshkimin, edhe pas humbjes së pushtetit.

     Juristja e dimplomuar, Dr. Vjosë Osmani, nxënëse e Shkollës demokratike amerikane, me një përgaditje supreme profesionale dhe intelektuale, përgjuese e vëmendshme e rrjedhave politike rrënuese për Kosovën, vendosi për sfidimin, përballjen, deri në stopimin e së keqes fatale. Në këtë nismë, iu bashkua edhe simotra e saj, po kaq luftarake, për prosperim e demokraci, veprimtarja e shquar e Mërgatës Shqiptare, Donikë Gërvalla.

        Binomi unik, Vjosa-Donika, të brumosura
       me demokracinë më të zhvilluar botërore
     Binomi unik Vjosa-Donika, të brumosura me demokracinë më të zhvilluar botërore, të Amerikës dhe Gjermanisë, ishin fort të shqetësuara, për krimin dhe korrupsionin galopant në Kosovë. Familjarizimi pozitë-opozitë ndër vite, shprehej në heshtjen reciproke, ngaqë nga degradimi shoqëror dhe shtetëror, ishin palë përfituese, zhvatëse të pasurive të brezave shqiptarë. Andaj, dyshja simpatike, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, pavarësisht riskut, vendosen të përballën me batakçinjtë, qofshin ata të partisë së tyre, LDK-së apo të grupimit kriminal PAN.
     Kësaj radhe, po trajtojmë ndaras, sulmet nda presidentes Osmani dhe herë tjetër një trajtesë të veçantë për ministrën Gërvalla.
     Ka rinisur një luftë speciale kundër Presidentës së vendit, Vjosë Osmani, në koordinim perfid nga eksponentë të caktuar publik e medial, të prirë nga televizioni “shtetëror”- RTK! “Presidentja nuk respekton UÇK-në, sepse nuk e përmendi në homazhet e Kosharës”, – thonin PAN-istët. Por, kjo demantohet bindshëm, me përkujdesjen dhe respektin që bënë Presidentja për dëshmorët, familjet e tyre dhe luftëtarët e mirëfilltë të mbijetuar.
     Por, ajo është selektive pozitive, duke mos “futur në një thes”, disa “komandantë” fiktiv, të inkriminuar dhe të dëshmuar si hajna zyrtarë. Dhe, mirë bënë, sepse Presidentja e vendit, si shtetare e parë, duhet t`ua thotë vetëm të vërtetën qytetarëve të këtij vendi. Ajo njeh popullin e vet, rrjedhimisht, edhe ata që fshihen prapa emërtesës shenjtërore UÇK-e, edhe pse nuk kanë qenë kurrë pjesë e saj.
         Vjosa ka bërë një prerje të plotë me partin​ë
     “Presidentja Osmani ka dalë nga roli kushtetues, duke mos u shkëputur nga veprimet partiake”,- shpifin gojëkëqinjtë opozitarë! E vërteta është se Vjosa ka bërë një prerje të plotë me partinë. Madje, ka prishur shumë miqësira, duke shkëputur të gjitha lidhjet fizike dhe telefonike, me bashkëpartiakët e saj. Ajo kishte përvojën e shkarkimit të padrejtë të presidentit Fatmir Sejdiu, nën akuzën se ka ushtruar edhe detyrën e kryetarit të partisë. Realisht, ishte një pabesi e Hashim Thaçit dhe përfaqësuesit të OSBE, të cilët kishin një marrëveshje xhentilmene, njësoj si me pararendësin e tij, Presidentin Rugova.
     Por, viktimizimi i Sejdiut kishte dy shkaqe tjera:
1) Në cilësinë e Presidentit, ai nuk miratoi 6 pikëshin e Baki Munit;
2) “Vrasjet e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut dhe të veprimtarëve të LDK-së, nuk i kanë bërë jashtëtokësorët”, – deklaroi publikisht presidenti Sjediu. Dhe, kush e ka “mizën pas veshit”, i djeg fort.
     “Shkelje të Kushtetutës”, nga Presidentja, opozita e quan shkarkimin e ligjshëm të kryetares të KQZ, Valdete Daka, e cila e pranoi se “ishte bërë gruaja më e urryer”, në Kosovë, sepse duke qenë e mbrojtur nga PRONTO-mafia, PAN-i, i shpalli të pavlefshme, qëllimshëm, 72 mijë zarfa me fletë-votime të Mërgatës tonë!
     Akuzat tendencioze paushalle, janë renditur se presidentja, “nuk ka realizuar njohje, anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, NATO, BE, OKB, investime të huaja”, duke përgojuar atë për mungesë vizioni! Në fakt, është adresim i gabuar. Janë PRONTO-mafia, si NPK, që ka dëmtuar dhe rrënuar, madje, me fund, imazhin e shtetit të Kosovës, ka stopuar dhe pamundësuar çfarëdo nismash në këto drejtime.
      Por, vetë CV-ja e Vjosë Osmanit dëshmon për përgaditjen profesionale e politike, si dhe njohëse e mirë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Edhe kur presidentja Osmani realizon dhjetra takime me personalitete shtetërore botërore, në mes tjerëve edhe me presidentin gjerman, Steinmajer, edhe kur takon nënpresidenten amerikane, Harris, dhe deklaron: “Me Vjosë Osmanin u pajtuam për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë”, Pan i quan, cinikisht e poshtërsisht, “eskursione të presidentes!”
         Refuzoi zgjedhjen banditeske të Hashimit president
     Ata që akuzojnë, padrejtësisht, presidenten Osmani se “heshtë për rrymën, pandeminë”, i bëjnë thirrje se “tregoju qyetarëve të Kosovës se ju nuk i përfaqësoni më interesat e tyre!” Ndërkohë, të njëjtët e pranojnë se “qytetarët të kanë votuar përshkak të “guximit”, (edhe pse e thojëzon!), që ke shfaqur për të kundërshtuar vendimet e padrejta ndaj tyre, dil e shpjegoju qytetarëve arsyen e heshtjes tënde”?
     Realisht, presidentja nuk ka heshtur, madje, në asnjë rast. Përkundrazi, vazhdon të jetë shumë aktive, duke justifikuar, devotshmërisht, besnikërinë plebishitare të 300 mijë votuesëve shqiptarë. Vjosë Osmani sfidoi Thaçin kryeministër, për veprimet skandaloze, rrast të dyshimta, si aprovimin e 6 pikëshit të Baki Munit, Demarkacion, Asociacionin. Refuzoi zgjedhjen banditeske të Hashimit president, me bekimin e kreut aksidental të LDK-së, Isa Mustafa.
      Vjosa luftoi dhe shkatërroi klanin Mustafa, duke i bërë një shërbim të madh LDK-së, atëherë patericë e PDK-së, demokracisë në Kosovë, duke rrënuar e pamundësuar kulte dhe autokraci, me klane e bërrylime. Ajo e shpalli votimin aklamativ armik të demokracisë, duke u përcaktuar vetëm për votën e fshehtë demokratike. Vjosë Osmani e ndjek, besnikërisht, metodën politike të Presidentit Rugova, parimore dhe e vendosur, në realizimin e objektivave atdhetare.
     Ekstremi majtist-stalinist, PAN, i cili, rrejshëm, thirret në djathtizëm, kopjon komunizmin envero-stalinist, në fushën e agjitimit denigrues të kundërshtarit politik. Social-komunistët e Shqipërisë, nga 24 gazeta që kishte vendi, dikur, zotëronin 22 syrësh, ndërsa PDSH-ja e Dr. Berishës vetëm dy sosh! Sot, nga 60 portale të zëshme dhe një duzinë stacione televizive, me pak përjashtime, janë në zotërim të PRONTO-mafisë PAN-iste. Dhe, këto media kanë një qendër orkestrimi, për të bërë lajme me porosi, për t`i “qepuar”, në mënyrën më të poshtër dhe më kriminale, presidentes!
      Gjithnjë në stilin “shpif, shpif, se diçka mbetet! ” Dhe, vërtet, kjo fushatë e egër kundër presidentes, në veçanti, disa minstrave dhe Qeverisë Kurti, në përgjithësi, u reflektua në zgjedhjet lokale të tetorit.
     Megjithatë, presidentja Vjosë Osmani, e zgjedhur, pothuajse, në mënyrë referendare, është e gatshme për çdo sfidë ndaj një opozite çakorduese PAN-iste. Bukur e shpërfaqë këtë përballje, njeriu i mirë, urtak unik, studjuesi Vehbi Miftari: “Ajo, (Presidentja), ka përjetuar shumë mosmarrëveshje politike, si brenda LDK-së, ashtu edhe me partitë tjera. Ajo gjithmonë u përmbajt parimeve të Rugovës dhe demonstroi një nivel të lartë të përkushtimit dhe besueshmërisë”.