Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë sanksionet ndaj Republikës Serbe të Bosnjës dhe gjithashtu të ndërpresë mbështetjen financiare, nëse kriza në vendin ballkanik vazhdon të përkeqësohet, thuhet në një dokument të brendshëm të BE-së, të cilin e ka parë agjencia e lajmeve Reuters.

Bosnja po kalon nëpër krizën e saj më të keqe politike që nga fundi i luftërave ballkanike të viteve 1990, meqë serbët e Bosnjës po sfidojnë institucionet shtetërore si pjesë e përpjekjes së tyre të gjatë për t’u shkëputur dhe në fund për t’iu bashkuar Serbisë fqinje.

Dokumenti i brendshëm i përgatitur nga shërbimi i Jashtëm i BE-së për ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, thotë se ndalimet e udhëtimit dhe ngrirja e pasurive për zyrtarët e Republikës Serbe duhet të merren parasysh, nëse politikanët serbo- boshnjakë vazhdojnë të kërkojnë të marrin pushtetin nga qeveria qendrore.

Ligjvënësit në Republikën Serbe votuan me 10 shkurt për të formuar një organ të veçantë për të zgjedhur gjyqtarët dhe prokurorët, duke e tërhequr në mënyrë efektive rajonin nga institucioni më i lartë gjyqësor i shtetit, si pjesë e një agjende separatiste.

Në dokumentin e BE-së thuhet gjithashtu se sanksionet mund të zgjerohen dhe të përfshijnë edhe “veprimtari të tjera që paraqesin kërcënim për shtetin”, megjithëse ato duhet të mbeten si mjeti i fundit.

“BE-ja mund të vendosë të përdorë ndihmën e saj financiare si levë”, thuhet në dokument, duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian ka rreth 1.5 miliardë euro të investuara në Bosnjë dhe pjesë të fondeve të ofruara për Bosnjën.

Dokumenti është një mundësi për ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët do të mblidhen për të diskutuar mbi Bosnjën në një takim të planifikuar për 21 shkurt.

Gjermania ka kërkuar tashmë sanksione ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, por Hungaria ka argumentuar se masa të tilla do të ishin kundërproduktive, pasi BE-ja kërkon të anëtarësojë Bosnjën dhe pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në bllok.

Shtetet e Bashkuara vendosën me 5 janar sanksione të reja ndaj Dodikut. Departamenti amerikan i Thesarit, e akuzoi atë për korrupsion dhe kërcënim të qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës.