Indeksi vjetor i demokracisë i “Economist Intelligence Unit” tregon një “rekord të mjerueshëm”: përqindja e njerëzve që jetojnë në demokraci ka vazhduar të bjerë.
Protesta për klimën në Berlin
Vetëm pak më pak se 46 përqind e popullsisë së botës ka jetuar në demokraci në vitin 2021, thuhet në hulumtimet e kompanisë britanike për analiza “Economist Intelligence Unit” (EIU). Sipas “Indeksit të Demokracisë” në vitin 2020 vetëm pothuajse 50 përqind e popullsisë jetonte në kushte demokracie. Është rënia më e madhe që nga viti 2010 dhe rezultati më i keq që nga fillimi i matjeve në vitin 2006.
Indeksi i ri i demokracisë hedh “një dritë mbi sfidat e vazhdueshme për demokracinë në mbarë botën, nën presionin e pandemisë së koronavirusit, që u shkon në favor sistemeve autoritare”, kumtoi EIU.
Vetëm 6,4 përqind e të gjithë njerëzve kanë jetuar gjatë këtij viti në një “demokraci të plotë”, që është një rënie e lehtë krahasuar me një vit më parë. Norvegjia mbetet lider. Studimi i dha vendit skandinav notat më të mira në tre nga pesë kategoritë e matura. Ndërsa Zelanda e Re është ngjitur nga e katërta në vendin e dytë. Pasojnë vendet e tjera nordike: Suedia, Finlanda, Islanda dhe Danimarka. Si një vit më parë, Gjermania është në vendin e 15-të, mes Luksemburgut dhe Koresë së Jugut.
Autorët kritikuan dy vende të mëdha në Evropë. Ata e ulën Spanjën (vendin e 24-të) në një “demokraci me mangësi”. Arsyeja ishte një vlerësim më i dobët i pavarësisë së gjyqësorit. Mbretëria e Bashkuar mbeti një “demokraci e plotë” në vendin e 18-të. Por edhe ajo ka shënuar rënie. Në raport thuhet se disa skandale që kanë ndodhur atje e kanë minuar besimin ndaj qeverisë. Kryeministri britanik Boris Johnson është kritikuar prej javësh për aferën “Partygate”.
Roli i Kinës
Mbi një e treta e njerëzve në botë kanë jetuar në diktaturë në vitin 2021. Përqindja e shteteve autoritare është rritur në mënyrë në mënyrë konstante vitet e fundit.
Veçanërisht Kina (vendi i 148 nga 167 vendet që janë përfshirë në këtë hulumtim) ka shënuar një ngecje në fushën e demokracisë. Në raportin e EIU me titull “Sfida e Kinës” thuhet: “Kina nuk është bërë më demokratike, ndërkohë që është bërë më e pasur. Përkundrazi, ky vend ka shënuar rënie në respektimin e lirive. Aktivistët e të drejtave të njeriut ankohen për mbikqyrje dhe represion në rritje kundër kritikëve të qeverisë kineze, kundër disidentëve dhe pakicave si ujgurët myslimanë.
Në fund të kësaj renditje janë Siria, Republika Qendrore e Afrikës, Republika Demokratike e Kongos, Korea e Veriut, Mianmari dhe Afganistani. /DW./ bc/wa/rb (dpa, afp)/