Ballina Aktualitet Kukës, Aeroporti ndërkombëtar “ZAYED- Flatrat e Veriut” pret avionin e parë të...

Kukës, Aeroporti ndërkombëtar “ZAYED- Flatrat e Veriut” pret avionin e parë të kompanisë ajrore WizzAir

 

 

Në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED- Flatrat e Veriut”, në Kukës u ul sot avioni i parë i kompanisë WizzAir për të nisur në maj operimin e pandërprerë me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë.

Aeroporti i Kukësit tashmë është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s që do të thotë se plotëson të gjitha standardet e sigurisë teknike dhe të gjitha kërkesat e sigurisë të vendosura nga BE dhe NATO gjithashtu. WizzAir është një kompani ajrore e ngritur në 2014, sipas modelit të biznesit me kosto të ulët, e cila ka punësuar aktualisht 200 të rinj shqiptarë me perspektivën për ta rritur në 500 numrin e punësuarve.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama, u shpreh se “do të jetë shumë e afërt dita, brenda këtij mandati të kësaj qeverie, që Kukësi dhe aeroporti i tij do të jenë një pikë referimi, jo vetëm për banorët e verilindjes së Shqipërisë apo të Kosovës apo të pjesës së sipërme të Maqedonisë së veriut, por edhe për më tepër se kaq, pasi oferta e Kukësit do të jetë një ofertë shumë konkurruese dhe një ofertë fituese për të gjithë, për komunitetin, për ekonominë kombëtare”.

* * *

Përshëndetje të gjithëve!

Më vjen shumë mirë që jemi përsëri këtu, në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, për të lajmëruar ardhjen e avionëve të kompanisë WizzAir, pas një periudhe të rëndësishme bashkëbisedimesh, diskutimesh e analizash nga ana e kompanisë dhe testimesh dhe faktikisht nga sot, kompania është e vendosur edhe në Kukës dhe fillon me prenotimet për 4 destinacionet e para, nga 2 herë në javë dhe të cilat, nga maji do jenë destinacione të vijueshme, jo thjeshtë për sezonin.

Ndërkohë që me drejtorin e madh të kopanisë, kemi diskutuar edhe për destinacionin tjetër të rëndësishëm që është Anglia, dhe unë nuk do t’i ndahem Kukësit deri kur “the London Boys of Kukës” të kenë fluturimet nga Kukësi në Londër dhe nga Londra në Kukës ose destinacione të tjera rreth e rrotull me tarifa krejtësisht simbolike.

Kjo është dita për t’u thënë të gjithë atyre që nuk kanë asnjë kapacitet durimi, se kjo punë dhe të gjitha punët e mira kërkojnë durim. Shumë gjëra kemi dëgjuar pasi anonçuam fillimin e punës për aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit. Pastaj, pasi e hapëm aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit, me siguri të tjera do dëgjojmë edhe sot, por në fund, fjalët i merr era dhe punët e mira mbeten dhe unë jam shumë besimplotë që ky aeroport ka një të ardhme fantastike dhe e gjithë kjo zonë ka një të ardhme fantastike edhe falë këtij aeroporti.

Dua ta falenderoj drejtorin e kompanisë për gatishmërinë për ta parë Kukësin si një mundësi, sepse në fillim ai ishte skeptik, por pastaj e gjithë analiza e bërë rezultoi në favor të aeroportit.

Sot është një ditë shumë e bukur këtu, me diell dhe me dëborë në majat përreth dhe unë jam shumë i kënaqur që sot ne jemi këtu për t’i dhënë një mundësi të re të gjithë banorëve jo vetëm të Kukësit, por të një treve të tërë që përfshin edhe pjesën matanë bjeshkëve, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke ju hapur 4 destinacione në Austri, Gjermani dhe në Zvicër. Janë 3 vende me 4 destinacione, 2 herë në javë, ndërkohë që çmimet e udhëtimeve janë, siç e patë, 19 euro për secilin destinacion.

Sot ne mund të shohim si ka ndryshuar e gjithë panorama e çmimeve, falë reformave të bëra për aviacionin, falë ndryshimeve të bëra në sistem, falë konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe sigurisht, falë negociatave dhe marrëveshjes së re me koncesionarin e ri shqiptar të aeroportit të Tiranës, ku edhe njëherë fjalët i mori era dhe faktet janë aty, me një shumëllojshmëri ofertash për qytetarët dhe ulje të çmimeve deri në dhjetëfish, për të ardhur nga Anglia në Shqipëri apo nga vende të tjera edhe pse ka kompani, të cilat kanë çmime më të larta, ka kompani që kanë çmime më të ulëta, por në tërësi, rënia e çmimeve është shumë domethënëse dhe aeroporti i Tiranës, sot, nga një aeroport totalisht jokonkurrues në tregun europian, është një aeroport shumë konkurrues.

Besoj që me lëvizjen tjetër të radhës të qeverisë për të hequr taksën e kufirit nga aeroportet, do ketë një tjetër ulje të çmimeve për qytetarët dhe një tjetër hop në aspektin e konkurrueshmërisë.

Ajo që vlen të theksohet këtu dhe nuk e di pse drejtori e harroi, por ishte një pjesë e diskutimit që kemi bërë, është punësimi.

Sot kompania WizzAir ka 200 shqiptarë dhe shqiptare, vajza dhe djem të rinj, të punësuar dhe plani është për të shkuar në 500 të punësuar. Menjëherë në muajt në vijim, kompania do hapë thirrjet për të punësuar të rinj, janë vende pune cilësore dhe të paguara mirë e sigurisht, të gjithë ata që dëshirojnë të provojnë veten e tyre dhe të punësohen në këtë kompani, ashtu sikundër edhe në kompanitë e tjera, duhet thjeshtë të mos e presin punën t’u vijë me aeroplan te shtëpia, por të shkojnë dhe të aplikojnë.

E fundit që dua të them sot është se ne do të vazhdojmë investimet.

Investimet në aeroportin e Tiranës do jenë masive, bazuar në marrëveshjen dhe kontratën që kemi bërë me koncesionarin, më në fund shqiptar, të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës. Do investohet për pistën për të garantuar çeljen edhe të fluturimeve trans-oqeanike, siç e kemi premtuar.

Do të investohet për terminalin e ri për të përballuar gjithë këtë fluks të rritur.

Drejtori i WizzAir tha një fakt që është shumë domethënës dhe kuptimplotë edhe pse për shumëkënd dhe posaçërisht për ata që preferojnë të dhënat e rrjeteve sociale në raport me të dhënat e shkencës, që nga vaksina e deri tek të gjitha llojet e shifrave, ky fakt mund të mos ketë rënë në vesh apo mund të mos bjerë në vesh, vetëm nga kjo kompani dhe oferta e saj, por në kontekstin e uljes tërësore të peshës së kostove të aeroportit të Tiranës, i janë kursyer qytetarëve shqiptarë 120 milionë euro. Llogaria që ne bëjmë pak a shumë në total është dyfish i kësaj shifre në bileta, vetëm në bileta. Për të gjithë ata që ankohen se ne vetëm rrisim e shtrenjtojmë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Kudo ku ne kemi mundësi të ndikojmë, ne ndikojmë dhe faktikisht sot kemi një vend me barrën më të ulët të taksave në rajon dhe në Europë pa diskutim për individët, qoftë për biznesin e vogël, qoftë për konsumatorin familjar dhe qeveria po bën një sforco të jashtëzakonshme të përditshme për t’i mbrojtur konsumatorët familjarë dhe bizneset këtu në këtë vendin tonë të vogël e me halle, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, gjë që po ndodh në të gjitha vendet rreth e rrotull, kudo.

Kështu që për ta çuar deri në fund këtë pjesë të fundit të fjalës, paralelisht me Tiranën ne po investojmë në Vlorë.

Do të fillojmë të investojmë edhe në Sarandë, do të këmbëngulim në të katër këto drejtime dhe me katër destinacionet e para të përjavshme, dy herë në javë, këtu në Kukës fillon një epokë e re për aeroportin e Kukësit e për gjithë këtë zonë, por natyrisht siç e thashë në fillim, unë nuk do t’i ndahem këtij aeroporti, nuk do t’i ndahem kësaj zone, deri kur të bëhet realitet parashikimi i studimit për qindra, mijëra pasagjerë, që do të hyjnë e do të dalin nga aeroporti i Kukësit. Do të jetë shumë e afërt dita, natyrisht jo nesër, as pasnesër, por brenda këtij mandati të kësaj qeverie, ku ne do të shohim që Kukësi dhe aeroporti i tij do të jenë një pikë referimi për jo vetëm banorët e verilindjes së Shqipërisë apo të Kosovës apo të pjesës së sipërme të Maqedonisë së veriut, por edhe për më tepër se kaq, pasi oferta e Kukësit do të jetë një ofertë shumë konkurruese dhe një ofertë fituese për të gjithë, për komunitetin, për ekonominë kombëtare, për kompanitë që pas WizzAir me siguri do ta shohin Kukësi me një sy tjetër tani pasi jemi në kushtet kur AirAlbania ishte dallëndyshja e parë, tani i bashkohet edhe WizzAir dhe me siguri dhe të tjerë do të vijnë.

Shumë faleminderit!