Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara thotë se përzgjedhja nga ana e Kinës e një sportisti ujgur për të ndihmuar në mbatjen e flakës olimpike, ishte një përpjekje e zyrtarëve kinezë për të larguar vëmendjen botërore nga shkeljet e të drejtave të njeriut.
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë një bojkot diplomatik këtyre lojrave, duke dërguar sportistë, por jo delegacionin tradicional të zyrtarëve, duke e mbështetur vendimin tek informacionet për abuzim sistematik e të përhapur të Kinës, ndaj pakicave etnike dhe fetare në rajonin e saj perëndimor, veçanërisht ndaj pakicës myslimane ujgure të Xinjiang-ut.
Kina zgjodhi skiatorin Dinigeer Yilamujiang si një prej atyre sportistëve që mbajti pishtarin e fundit olimpik në ceremoninë e hapjes së Lojërave Dimërore, çka befasoi shumë vetë.
Për ambasadoren e SHBA-ve Linda Thomas-Greenfield, zgjedhja ishte “një përpjekje e autoriteteve kineze për ta larguar vëmendjen nga problemi i vërtetë, ai torturimit të ujgurëve, si dhe shkeljes së të drejtave të njeriut”.
Shtetet e Bashkuara thonë se Kina po kryen gjenocid në trajtimin e ujgurëve. Kina i ka hedhur poshtë akuzat dhe thotë se hapat që ka ndërmarrë janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin dhe një lëvizje separatiste.
Diplomatja amerikane tha se; “ne e kemi bërë të qartë se në Kinë po kryhen krime kundër njerëzimit”.
Ajo shtoi se: “është e rëndësishme që audienca që mori pjesë dhe ishte dëshmitare e asaj që ndodhi (në ceremoninë e hapjes), të kuptojë se kjo nuk heq vemendjen nga ajo që ne dimë se po ndodh në terren”.
Këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë shkuar ‘duke trokitur’ në çdo vend të botës në një përpjekje për të organizuar një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.
Disa vende aleate kryesore të SHBA-ve, si Britania, Australia dhe Kanadaja ndoqën shembullin e Uashigtonit, duke përmendur si shkak për vendimin e tyre abuzimin me të drejtave të njeriut nga qeveria kineze. Por të tjerë udhëheqës botërorë morën pjesë në ceremonitë e hapjes së Lojrave Olimpike.
Zoti Sullivan tha për rrjetin televiziv NBC të dielën se administrata Biden mbajti një qëndrim parimor, të cilit disa vende pranuan t’i bashkohen e të tjerë jo.
Zoti Sullivan theksoi nivelin e gjerë të përqafimit të këtij qëndrimi nga vende demokratike, që janë bërë bashkë ndaj një sërë sfidash që paraqet Kina, qoftë për sa i takon agresionit ushtarak, apo detyrimit të politikave të saj ekonomike, ashtu edhe në fushën e të drejtave të njeriut.