Shkruan: Mr. Sc. Skënder R. HOXHA

      Krahina etnogjeografike e Dushkajës  

     Krahina Dushkajës së Rrafshit të Dukagjint shtrihet në pjesën lindore të Dukagjinit Qendror, e cila karakterizohet me numër të madh kodrash, sukash, fushëgropash dhe luginash të gjera të mbuluara me pyje të vogla e të mëdha me dushk, për çka ky rajon herët e vonë u quajt D u s h k a j ë. 1) Si i tillë, konfiguracioni i rajonit të Dushkajës në mënyrë komplekse paraqet një veçanti trajtash tektonike dhe morfologjike. Duke shkruar për këtë formacion bimor, gjeografi serb, Jovan Cvijiq, kishte thënë se: “S’ka asnjë fushëgropë në Gadishullin Ballkanik, për të cilën ky formacion vegjetativ të jetë aq karakteristik sa (Dushkaja – plotësim yni) për Metohinë”2)

    Gjatë hulumtimeve tona , e sidomos pas bisedimeve e konsultimeve me pleq të kësaj treve, kemi ardhur te formulimi se regjioni etnogjeografik i Dushkajës përfshin 26 katunde të komunave Gjakovë e Deçan, nga të cilat: Bardhaniqi, Beci, Bërdesana, Cërmjani, Doblibarja, Gërgoci, Jabllanica, Janoshi, Kralani, Llugaxhia, Marmulli, Meqja, Palabardhi, (Radoniqi e Rakoci, të cilat janë përmbytur në Liqenin Akumulues “Radoniqi”)3), Rakovina, Rashkoci, Sapoti, Vraniqi, Zhabeli dhe Zhdrella – për qendër administrative, arsimore e kulturore kanë Gjakovën, kurse Dashinoci, Mazniku, Ratishi i Epër, Ratishi i Ulët dhe Vranoci i Vogël – Deçanin. Mirëpo, në kuadër të kësaj krahine, janë edhe katër vendbanime të cilat në pikëpamje administrative janë si paralagje: 1. Velikobarja – si paralagje e Bardhaniqit, 2. Kodralia, 3. Netici – si paralagje të Rashkocit dhe 4.Rezina – si paralagje e Bërdesanës. Këto katër vendbanime, nga ajo që dëgjohet në traditë, kanë shumë atribute të katundeve në vete, sepse gjithandej thuhet: “Po shkoj në Kodrali, në Velikobare, …” etj. Ndërkaq, për Kodralinë, ndonjëherë thuhet Kodralia e Rashkocit, kur e kërkon puna për ta dalluar nga Kodralia e Pozharit, e cila gjendet në krahinë të Rekës.

   Lumenj që përkufizojnë Dushkajën   

  Kufij natyrorë të kësaj krahine janë: Drini i Bardhë – në lindje, Bistrica e Deçanit (Lumbardha) – në veri, rrjedha e poshtme e lumit Erenik – në jug dhe krahina e Rekës – në perëndim.

    Pjesa lindore e Dushkajës i takon pellgut të Drinit të Bardhë, duke u shtrirë në anën e djathtë të rrjedhës së mesme të tij, ndërsa kah veriu dhe verilindja, për kufi natyror, ka po ashtu anën e djathtë të rrjedhës së mesme dhe të poshtme të Bistricës së Deçanit, e cila e ndan Dushkajën nga krahina e Lugut të Baranit në këtë krah. Duke e kundruar më tej, nga aspekti i përkufizimit, Dushkaja, në anën perëndimore ka krahinën e Rekës e për të vazhduar kah jugu me Fushat e Trakaniqit, Fushat e Gjakovës dhe anën e majtë të rrjedhes së poshtme të lumit Erenik, gjer te gryka e derdhjes së tij në Drinin e Bardhë, afër katundit Marmull.

   Së këndejmi, mund të thuhet se më tepër se gjysma e territorit të Dushkajës përkufizohet me lumenjtë e sipërpërmendur, si: në krahun lindor, duke filluar nga një pjesë e territorit të katundit Kralan e për të vazhduar me pjesë të territoreve të katundeve të tjera të Dushkajës: Rakovinë, Cërmjan, Meqe, Doblibare, Bërdesanë dhe Marmull, Dushkaja kufizohet me krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të Drinit të Bardhë. Në territor të katundit Marmull, një pjesë e vogël e krahut jugor të Dushkajës ka për kufi krahun e majtë të rrjedhës së poshtme të lumit Erenik, deri aty ku ky lumë derdhet në Dri të Bardhë. Ndërkaq, në anët veriperëndimore, veriore e verilindore, Dushkaja kufizohet me krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të Bistricës (Lumbardhës) së Deçanit, buzë së cilës (duke filluar nga veriperëndimi) shtrihen: Malet e Kotradiqit (që janë në Dushkajë), territori i katundit Vranoci i Vogël, Butajat e Buqanit, Llugaxhia, Jabllanica (Shqiponja) dhe një pjesë e territorit Kralan, aty ku Lumbardha derdhet në Dri të Bardhë. Këta tre lumenj, edhe pse në anët skajore, përbëjnë një strategji natyrore, në një anë, e në anë tjetër hidroniminë e Dushkajës e karakterizojnë me veçantitë e tyre.

       Reflekset e hidronimeve në formime toponimike   

   Emërtimet hidronimike që kemi në shqyrtim, në trajtat: Dri, Drini (ndonjëherë: Drini i Bardhë); Bistricë, Bistrica(ndonjëherë Bistrica e Deçanit, Lumbardha e Deçanit); Erenik, Ereniki –(u), përdoren në krahinën e Dushkajës. Meqë për prejardhjen e këtyre emërtimeve disa herë është shkruar edhe më herët, këtu nuk do të ndalemi. Por, do të vëmë në spikamë reflekset e tyre në mikrotoponime të kësaj ane, si dhe ngurosjen e tyre si pjesë përbërese e disa emërtimeve toponimike.    

   Të kësaj rrjedhoje në katundin Kralan patëm shënuar toponimet: Arat e Drinit (ara afër Drinit të Bardhë), Arat e Llugav t’Drinit, Livadhet e Drinit ; në Rakovinë shënuam mikrotoponimet: Ledina Vaut (lëndinë afër Vaut në Dri të Bardhë), Rruga Vaut (rrugë që çon teVau) , Vau i Rakovin’s(Va, vend më i gjerë e më i cekët në Dri të Bardhë, në territor të katundit Rakovinë të Dushkajës), Vorret te Drini(varre afër Drinit…); Fusha e Drinit dhe Arat e Drinit, të territorit të katundit Cërmjan, meqë gjenden në afërsi të Drinit; në katundin Meqe: Ara Drinit, Ara Drinit te Plepat, Kroni te Livadhi Drinit, Ledinat te Drini, Livadhi Drinit, Rruga Drinit; në këtë varg territoresh vjen katundi Doblibare me emërtimet toponimike të kësaj sfere: Ara Mell’s, arë afër Drinit të Bardhë, sipas M e l l ë –s, lloj deltine që zakonisht formohet afër lumenjve, pastaj Ranishtat, tokë me rërë, buzë Drinit, që gjithashtu është pasojë e daljes nga shtrati të këtij lumi, Ledina Bares, – tokë me ujë, si ligatinë, afër Drinit, Rruga Vaut Currit, – sipas një Vau në Dri që quhet Vau i Currit; në Bërdesanë kemi pasë shënuar mikrotoponimet Ulica Drinit (lëndinë afër Drinit të Bardhë), Ulica Vaut Grazhd’s (lëndinë afër një Vau në Dri, ku thurnin grazhde (gardhe), mbase për ta mbrojtur tokën nga vërshimet e Drinit dhe Rruga Ulic’s Drinit, – rrugë që çon në Ulicë të Drinit; ndërkaq, në territor të katundit Marmull, në krahun jugor të Dushkajës, kemi formimet toponimike me emrin e hidronimit Dri: Fusha Drinit (ara, livadhe që shtrihen buzë Drinit) dhe Rruga Drinit (rrugë që çon te Drini, e përtej tij në Anadrini…). Po në këtë katund kemi shënuar toponimin Arat e Erenikit, emërtim ky në të cilin pjesa e dytë, pjesa përcaktuese, është hidronimi Erenik.

   Formime toponimike në të cilat ka hyrë hidronimi Bistricë (është fjala për Bistricën e Deçanit), në Dushkajë kemi shënuar mikrotoponimet – në Vranoc të Vogël: Nalloga Epër (Digë në Lumbardhë (Bistricë) për të ndarë ujin për ujitje të fushave), Nalloga Poshtër, digë…, Nalloga Ali Arifit, digë, …, Ura Bistric’s (Urë e re e ndërtuar në vitin 2001, e cila lidh të dy Vranocet, përkatësisht lidh krahinën e Dushkajës me Lugun e Baranit, në këtë krah.), Vigi (Vig, si urë e thjeshtë në Bistricë, me drunj, që shërbente për të kaluar Bistricën njerëzit.), Zallina(ara, buzë Bistricës, që morën emrin nga toka me zall që e kishte shkaktuar Bistrica…); në Llugaxhi: Jazi Mullinit(Jaz i moçëm që çonte ujin e ndarë nga Bistrica për në Mullirin e Llugaxhisë), Nalloga Mullinit (digë, ku ndahej uji për ta çuar në këtë mulli të dikurshëm), Kamsorja Bregit Bistric’s (rrugicë për këmbësorë, buzë Bistricës, ndërmjet saj dhe arave të Llugaxhisë. Kjo këmbësore çonte në territor të Jabllanicës, kah lindja.), Nalloga Avramit (digë që ndante ujin në Bistricë, në territor të Llugaxhisë dhe e çonte në Mulli të Avramit, mulli i cili ishte i Jabllanicës dhe në territor të Jabllanicës. Avram Cvetkoviqi ishte serb, kolon, në Llugaxhi të Dushkajës.); Në Jabllanicë (Shqiponjë): Ledina Nallog’s (lëndinë afër Nallogës në Bistricë, ku ndahet uji për ujitje të fushave dhe për mullinj të Jabllanicës.), Vau i Gllogjanit, (Va në Bistricë, në mes të fushave të Jabllanicës dhe atyre të Gllogjanit të Lugut të Baranit.), Vau i Nepoles, (Va në Bistricë, në mes të Jabllanicës dhe fushave të Nepoles së L. të Baranit), Vau i Gashit (kështu e quajnë gjithandej këtë Va në Bistricë, në mes të territorit të Jabllanicë dhe atij të Nepoles.), Ranishtat (Renishtat), quhen shumë fusha të Jabllanicës që shtrihen buzë anës së djathtë të rrjedhës së Bistricës (Lumbardhës së Deçanit). Në këtë emërtim toponimik është strehuar fjala  r a n ë (rërë) që është pasojë e daljes nga shtrati të këtij lumi, e tokën e ka bërë me ranë, prej nga  – R a n i s h t ë.; Në fund të rrjedhës së saj, para derdhjes në Dri të Bardhë, Bistrica la gjurmë edhe në toponiminë e Kralanit, si: Arat Nërvane (Arat Nër (nën) Va, ku pjesa e dytë e këtij emërtimi toponimik është një kompozitë e ndërtuar nga  nër + va, që tregon se ndodhen në anën e poshtme të një Vau-t në Bistricë, ndaj i quajnë kështu.), Ura Bistric’s (Urë e thjeshtë mbi lumin Bistricë, në territor të Kralanit), pastaj: Nalloga Çallakve, Nalloga Mullinit, (diga ku ndahet uji…) etj.

   Hidronimet më të përhapura në Dushkajë*)

   Përveç këtyre tre lumenjve, do t’i quaja periferikë, të Dushkajës, në këtë krahinë emërtimi hidronimik Prru, Prroni, Prroje (Përroi) është më i përhapur. Mbase vetë konfiguracioni i terrenit ka bërë që në Dushkajë të ketë disa lumenj të vegjël të cilët gjithandej i quajnë Përroje. Prroni më i gjatë në Dushkajë është Përroi që i bie për së gjati, në drejtimin perëndim – jug – lindje. Ky përrua niset nga disa burime në vendin e quajtur Lluga Keqe, në territor të katundit Kodrali (Kodrali e Pozharit) e komunës së Deçanit, e pak më poshtë i shtohen edhe burimet nga Kodra e Dodës, në territor të katundit Irzniq, dhe vazhdon rrjedhën nëpër luginën ku shtrihen katunde të Dushkajës: Ratishi i Epër – Ratishi i Ulët – (Rakoci – Radoniqi, tash Liqeni i Radoniqit), e për të vazhduar nëpër Zhdrellë – Bec – Vraniq – Doblibare, ku në territor të katundit Doblibare të Dushkajës ky Përrua derdhet në Dri të Bardhë.

   Një përrua tjetër që rrjedh në drejtim perëndim – lindje, të anës veriore të Dushkajës, është përroi i cili niset nga burime në lokalitetin Velikobare e prroska që vijnë nga Dashinoci, bjen nëpër Bardhaniq, vazhdon fushëgropës nëpër Zhebel, ku në territor të Jabllanicës, në lokalitetin Qerhanet, i bashkohet një përrua tjetër që niset prej burimesh e prroskash të maleve të Dashinocit, e vjen luginës nëpër territor të Maznikut e të Zhebelit Plak. Këtu formohet një përrua më i madh i cili vazhdon rrjedhën nëpër territor të Jabllanicës së Dushkajës, e në krahun lindor të saj derdhet në Bistricë (Lumbardhë) të Deçanit. Vlen të përmendet se pjesa e përroit që bie nëpër territor të një katundi, është pronë e tij dhe merr emrin sipas katundit, p.sh.: Prroni Ratishit, Prroni Rakocit, Prroni Becit, Prroni Vraniqit; Prroni Dashinocit, Prroni Zhebelit, Prroni Jabllanic’s, etj. …      

   Siç u tha edhe më sipër hidronimi Përru gjallon në pjesën më të madhe të territorit të Dushkajës. Kjo fjalë na duket gjithëshqipe, e cila edhe sipas gjuhës letrare të njësuar përdoret për të emërtuar një rrjedhë uji më të vogël se lumi, që zbret nga malet. Mirëpo, etimologjia e këtij emri na del paksa e diskutuar. Kështu, Dr. H. Bariqi duke parë afërsi fonetike dhe etimologjike të fjalës  p ë r r u a  të shqipes dhe  p a r a u  të rumanishtes, thotë: “Për datimin shumë të vonshëm të ndërprerjes së kontakteve shqiptaro-rumune do t’ishte, me të vërtetë, vendimtare marrëdhënia tingullore midis fjalës  p a r a u  të rumanishtes dhe  p ë r r u a  të shqipes (prej indoev. per-ron), kur për shpjegimin e –au të rum. do të duhej të niseshim prej fazës paraardhëse shqiptare – prej diftongut nazal –ou, sepse ai shfaqet edhe në elementet sllave të gjuhës shqipe, të cilat nuk i përkasin shtresës më të lashtë. Mirëpo, au në fjalën pârau të rumanishtes, shpjegohet me ndikimin e fjalës rumune râu“përrua”, (prej lat. Rivus).4)

    Kështu, fjala përrua, përroi etj. shqiptohet në rajonin e Dushkajës me grupin e zanoreve ue në fund të fjalës: PRRUE, PRRONI, PRRONIT, sh. PRROJE -T etj. Përveç hidronimit në këto trajta, në Dushkajë kemi regjistruar edhe shumë hidronime të tjera që kanë për bazë fjalën P ë r r o i, si: Prroni Qiqrrit (Rezinë); Prroni Lugit Garanit (Meqe); Prroni Pustîjave (Cërmjan); Prroni Mazniqeve, Prroni Shushic’s, Prroni Thatë, Prroni Verrave (Rakovinë); Prroni Bollodic’s, Prroni Gurr’s, Prroni Laknave (Kralan); Prroni Livadheve t’Mdha, Prroni Porroticit, Prroni Shabanit, Prroni Shushic’s (Gërgoc); Prroni Zallinav (Palabardh); Prroni Lugit Dashinocit (Dashinoc), Prroni Rashkocit(Rashkoc), etj.

    Me hidronimin Përroi, nëpër Dushkajë, ka edhe ndërtime të tjera toponimike. Në këtë sferë do t’i përmendim edhe disa mikrotoponime të ndërtuara me fjalët: Va –u, Nallog:ë–a dhe ur:ë –a, të cilat drejtpërsëdrejti janë të lidhura me Përroin. Ndërtime të tilla në Ratishë të Epër kemi shënuar: Ara Vaut, Ledina Vaut, Livadhi Vaut (ngase janë afër Vaut të Ratishit), Nalloga (Nallogë (digë) në Përrua); Në Ratishë të Ulët: Ura Vaut, Vorret e Dedakve Nërmje Prrojeve; Në Vraniq: Vau i Rrokotecit (kështu e quajnë këtë arë që gjendet afër Vaut në Përrua), Zallinë (arë afër Përronit); në Palabardh: Zallinë, Zallinat (ara e livadhe me zall, që iu bjen  Përroni përmes. Këto tri toponime të fundit kanë për bazë fjalën Zall.); Në Gërgoc: Livadhet e Prronit Gërrq’s; Në Kralan: Ulica Prronit Çallakit; në Maznik: Arat Nër Nallogë t’Dod’s, Nalloga Dod’s, Nalloga e Rrustemalive (e disa nalloga të tjera…), Në Zhabel: Nalloga Llugave, Nalloga Maliqve, Nalloga Mllak’s, Nalloga Zhebelit; Në Jabllanicë: Nalloga Epër, Nalloga Poshtër (diga në Përrua), Pusi Hav’s (vend më i thellë në Përrua), etj.      

    Në hidroniminë e Dushkajës, për ujëra edhe më të vogla së përrojet është i përdorshëm emërtimi Prrockë që e kemi shënuar në Jabllanicë: Prrocka Lugit, Prrocka Lugit Shavarit, Prrocka Rrahit, e në Gërgoc: Prrocka Suk’s. Për hidronimet artificiale gjithandej përdoren emërtimet V i j ë  dhe J a z (vij:ë –a, Jaz-i). Hidronime të kësaj rrjedhe shënuam: Vija Mullinit (Bërdesanë), Vija Biteshit (Bitesh, Palabardh), Vija Serishtave (në Ratish të Ulët); kurse  me fjalën Jaz: Jazi Arave t’Vad’s, Jazi Nërjazeve, Jazi Nërvijave (në Radoniq); Jazi Gurinave, Jazi Livadheve t’Epra, Jazi Mullinit, (në Ratish të Ulët); Jazi Mullinit(Rakovinë), Jazi Mullinit (Jabllanicë), etj. Mikrotoponime të sajuara të kësaj rrjedhoje: Ara Jazit (Gërgoc), Nërjazet(Radoniq), Kërshat e Rogave t’Jazit (Kralan), Nërjazet(Jabllanicë), etj.

Janë karakteristike edhe tri emërtime hidronimike që gjallojnë në territor të Dushkajës: Skërrka (në Sapot), Shiza(në Bërdesanë) dhe Shushica, e cila ka një rrjedhë më të gjatë (bjen nëpër territoret e katundeve Gërgoc, Kralan, Cërmjan dhe Rakovinë). Rreth këtyre tri hidronimeve kemi shkruar edhe më parë. Për Skërrkën thonë se buron nga shkëmbinjtë, ku edhe vendin e quajnë Skërrkë. Duke e pasur për bazë fjalën skërkë, në Zhdrellë dhe Sapot të Dushkajës gjallërojnë disa emra topikë. Skërkë e kanë Fjalorët e gjuhës shqipe për “Shkëmb i thepisur e me maja të copëtuara; tokë malore e thatë e tërë gurë” (FGJSSH, f. 1765). E ka Tase skërkë: gu “(ndofta e huaj e marrë nga vllahishtja), vrimë, gro në gur, në shkëmp” (P. Tase, Fjalorth i ri, XII, f. 162, 60). I përgjigjet edhe në toponimi kuptimit të fjalës. Ka të ngjarë që sipas mikrotop. Skërrkat(kodër Sapot), të jenë sajuar edhe emërtimet e tjera, si: Skërrka (prroskë Sapot, shfrytëzohet për ujitje), Skërrka Madhe (Sapot); Arat e Skërrk’s, Livadhet e Skërrk’s, Kroni Skërrkave (Zhdrellë, për këtë krua na thanë se është burim i madh, ka shumë ujë).

   Te trajtat toponimike të zëna ngoje kemi një geminacion ekspresiv r:rr.

  Një prroskë në Bërdesanë, që dimrit mban ujë e verës, zakonisht, thahet, quhet Shìz:ë -a. Në bazë të këtij emërtimi janë sajuar edhe mikrotop. Arat e Shiz’s dhe Livadhet e Shiz’s, që i shënuam në katundin e sipërpërmendur. Etimon i shizës së këtij hidronimi dhe mikrotoponimeve, kujtojmë se është fjala shi, u. Kjo mund të lidhet edhe për punë të kuptimit, meqë prroska formohet nga të reshurat (shiu, bora). Fjalës shi iu ka shtuar prapashtesa , me kuptim zvogëlimi: shi+zë(a) = Shiza.          

Përroni (hidronimi) Shushica formohet në territoret e katundit Gërgoc, ku bashkohen prroskat: Prroni Porroticit dhe Prroni Livadheve t’Mdha, e më poshtë në të derdhet Prrocka e Suk’s, ku lumi nis të merr emrin Shushicë. Gjatë rrjedhës së mesme dhe të poshtme të tijj, ky lumë malor, deri ku derdhet në Drinin e Bardhë, ndan territoret e Kralanit me ato të Cërmjanit e Rakovinës. Kujtojmë se emri i këtij hidronimi qëndron mbi bazë të verbit shushurit, për “zhurmën e lehtë që bën uji kur rrjedh nëpër gurë’, e shushurimë, të shushuriturit e ujit, gjethet kur dridhen nga era etj. Shtrati i këtij përroi është i thellë, me shtresa gurore e shkëmbinj, me kodra të larta përanash, çka e bëjnë edhe më të qëndrueshëm mendimin tonë lidhur me prejardhjen e emërtimit. Për punë morfologjie fjala largohet nga primitivi, na del vetëm pjesa e parë shush me prapashtesën icë = Shushicë, që e përmend profesor Çabej kur zë ngoje disa emra topikë të formuar me këtë prapashtesë.

Në funksion toponimik fjalën e gjejmë edhe në mesjetë. Një vendbanim i ziametit të Suhagerllës, që varej nga Kazaja e Pejës quhej Fshati Shushiça,5) si duket fshati Shushicë i sotëm i Istogut. Shushicë gjeta të quhet edhe një përrua i rrëmbyeshëm në fshatin Brestovik të Pejës.

Pas emrit të hidronimit Shushica, në Dushkajë shënuam të jenë sajuar edhe mikrotoponimet: Mali Shushic’s(Kralan, Rakovinë, Gërgoc), Prroni Shushic’s(Gërgoc,Rakovi), Shushica, Livadhet e Shushic’s dhe Kroni Shushic’s (Kralan) etj., ku të gjitha këto emërtime janë emra vendesh që gjenden përbri, apo afër, përroit Shushicë.

      Në dhjetëvjetshat e fundit të shekullit XX ndërrohet fizionomia e hidronimisë së Dushkajës. Kjo ndodh më saktësisht në vitin 1984 e këndej, kur ndërtohet një makrohidronim – Liqeni i Radoniqit. Ky liqen u ndërtua në fushëgropën ku shtriheshin territoret e katundeve Radoniq e Rakoc të Dushkajës, me ngapak sipërfaqe edhe të ndonjë katundi përreth. Numri i madh i krojeve, lumi Përroni që kalon përgjatë kësaj fushëgrope, pastaj toponimet: ORIZET, TOPILLAT, LINISHTAT etj., flasin për mundësinë se disa toka të këtushme, ndoshta, edhe dikur kanë qenë të mbuluara me ujë.

     Me ndërtimin e hidrosistemit “Radoniqi” në nomenklaturën e hidronimisë së Dushkajës futet edhe hidronimi Liqeni i Radoniqit. Nga ky liqen do të ujiten 21.000 hektarë të tokës pjellore të këtij rajoni. Hidrosistemi “Radoniq” është objekt shumëqëllimor, sepse mundëson furnizimin me ujë jo vetëm të bujqësisë dhe të industrisë por edhe të popullsisë. Për të siguruar një sasi të nevojshme të ujit është shtruar nevoja që të akumulohen ujërat, si nga lumi Përroni, ashtu edhe nga Bistrica e Deçanit. Për këto qëllime është ndërtuar penda në shtratin e lumit Përrua, për të akumuluar ujërat vjetore të tyre dhe mandej ato gjatë tërë vitit të shfrytëzohen në mënyrë përmanente në bujqësi, në industri dhe për pije. Prej Bistricës së Deçanit uji bartet me anë të kanalit derivues, në formë trapezi, i hapur me gjatësi prej 8.600 metrash.6)

     Të theksojmë se në liqenin akumulues të Hidrosistemit “Radoniq” përmbyten 611 ha. tokë.7)

     Me ujitjen e tokave do të ndërrojë edhe struktura ekzistuese e shfrytëzimit të tokave, e cila ka qenë kryesisht ekstensive, në favor të asaj intensive.    

Shënim: Vëllimi i Liqenit “Radoniqi” është 113 milionë m.3ujë, me 800 ha. sipërfaqe të ekproprijuar, ndërsa ka thellësinë maksimale 57 m. Sistemi i tij shtrihet në katër komuna: Deçan, Gjakovë, Rahovec, Prizren. Objektet e gypëzimit janë paralele ndaj atyre të ujitjes dhe të pijes. Ujitja ka strukturë prej: kanaleve kryesore – 13 km, sifona – 3,5 km., kanale primare, sekondare, terciare – 1.100 km, pastaj stacione të pompimit, rezervoare… Në Hidrosistemin “Radoniqi” janë të punësuar: rreth 200 veta në rrjetin e ujit të pijes dhe 43 veta në sistemin e ujitjes.8)          

____________

Fusnotat:

1) Prof. Skënder R. H o x h a, Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (I), Përparimi, Prishtinë, 1992, f. 5.

2) Jovan  C v i j i ć, Osnove za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbije III, Beograd, 1911, f. 1138.

3) Katundet Radoniq dhe Rakoc, si vendbanime, janë zhdukur që nga viti 1984, ngase pjesa më e madhe e tokave të tyre u përmbytën në Liqenin artificial “Radoniqi”, por toponiminë e territorit të këtyre dy katundeve e pata vjelë shumë kohë para zhdukjes së tyre.

*) Mikrohidronimet: Kroni dhe Bunari (pusi), meqë janë në numër të madh në Dushkajë, nuk i morëm në shqyrtim në këtë shkrim.

4) Henrik  B a r i ć, Hymje në historinë e gjuhës shqipe, Mustafa Bakija, Prishtinë, 1955, f. 70.

5) Selami  P u l a h a, Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, Tiranë, 1974, f. 202.

6) Emrullah  Z e n e l i, inxh., Parimet themelore të përdorimit dhe shfrytëzimit të sistemit për ujitje dhe ujitja e bimëve, Organizata Hidroekonomike “Metohija” Prizren, Hidrosistemi “Radoniqi” – Gjakovë, 1984, f. 3.5.

7) Shënim të cilin autori e mori në drejtorinë e Hidrosistemit “Radoniqi” në Gjakovë, në maj të vitit 1985.  

8) Këto të dhëna i morëm (me shkrim) nga inxh. Emrullah  Z e n e l i,  në zyren e tij, në Hidrosistemin “Radoniqi”, më 20 korrik 2005.