Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka urdhëruar që të ndërmerren masa kundër televizioneve apo programeve televizive, që konsiderohen në kundërshtim me vlerat themelore të Turqisë.
Në një qarkore të publikuar të shtunën ai tha se vendimi synon të mbrojë kulturën turke e të eliminojë efektet e dëmshme të programeve televizive me përmbajtje të huaj, të përshtatura për publikun turk.
Në qarkore thuhet se duke përdorur ligjet dhe kushtetutën, do të ndërmerren të gjitha masat paraprake kundër atyre programeve televizive që ndikojnë negativisht tek familja, fëmijët e të rinjtë. Në vendim thuhet se fëmijët dhe të rinjtë do të mbrohen nga ‘mesazhet e përcjella përmes simboleve të caktuara’, por pa dhënë hollësi të mëtejshme.
Autoriteti turk që mbikëqyr median, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit, ka tashmë kompetenca të gjera dhe mund t’i gjobisë mediat ose të urdhërojë ndërprerje të përkohshme të kanaleve televizive që janë kryesisht kritike ndaj qeverisë, për shkelje të vlerave turke. Autoriteti gjithashtu ka gjobitur kanalet për përmbajtje erotike ose që lidhen me komunitetin LGBT.
Ilhan Tasci, anëtar i autoritetit mbikëqyrës të medias që përfaqëson partinë kryesore opozitare, e quajti masën një “qarkore censure” dhe tha se ajo shkel kushtetutën e cila garanton mbrojtjen e lirisë së shtypit.
Shumica e kompanive mediatike në Turqi janë tashmë në pronësi të bizneseve të afërta me qeverinë konservatore e nacionaliste dhe në transmetimet e tyre ndjekin linjën e qeverisë.
Për vitin 2021 organizata Reporterët pa Kufij e ka renditur Turqinë në vendin e 153-të nga 180 vende ku është matur Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit. Sipas Unionit të Gazetarëve të Turqisë të paktën 34 punonjës të medias janë aktualisht pas hekurave.
Javën e kaluar, gazetarja e njohur Sedef Kabas u arrestua në pritje të një procesi gjyqësor nën dyshimet për fyerje të Presidentit Erdogan, pasi ajo përmendi një fjalë të urtë në një televizion si dhe në median sociale duke iu referuar një kau. Dhjetëra mijëra njerëz në Turqi janë ndjekur penalisht nën dyshimet për fyerje të zotit Erdogan.
Qarkorja pason fillimin e transmetimit të një programi ndërkombëtar nga televizioni amerikan ‘Fox’, i përshtatur edhe në turqisht me titullin ‘Këngëtari i maskuar’. Gjatë programit këngëtarë të njohur interpretojnë të maskuar me kostume, për të fshehur identitetin e tyre. Shfaqja është kritikuar në internet për përmbajtje të supozuar satanike e pagane.
Po kështu filmi i parë arab, transmetuar në Netflix ka ngjallur debate te forta në Egjipt e në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Kritikët thonë se filmi është një kërcënim ndaj familjes dhe vlerave fetare dhe inkurajon homoseksualitetin.
Por ata që i kanë dalë në mbrojtje thonë se kritikët mohojnë atë që ndodh në jetën reale pas dyersh të mbyllura, duke shtuar se ata që nuk e pëlqejnë filmin me titull “Ashab Wala A’azz”, thjesht të mos abonohen në Netflix.