Ballina Ravijëzime 5 kërcënimet për ekonominë globale në vitin 2022

5 kërcënimet për ekonominë globale në vitin 2022

 

Rimëkëmbja ekonomike globale po frenohet nga pandemia COVID, e cila vazhdon të ketë ndikimin e saj kudo.

Sidoqoftë, koronavirusi që po pëson mutacione, është vetëm një nga rreziqet kryesore që mund të zbehë shpirtrat e investitorëve në vitin e ardhshëm.

Ekonomia globale pati një fuqizim të ndjeshëm në vitin 2021 krahasuar me nivelet më të ulëta të pandemisë, por në gjysmën e dytë të vitit, një pjesë e këtij fuqizimi ra për shkak të rritjes së infektimeve nga pandemia, të pengesave të shkaktuara nga zinxhirët e furnizimit, të mungesës së fuqisë punëtore dhe të një përhapjeje të ngadaltë të vaksinave për COVID-19, veçanërisht në vendet në zhvillim dhe ato me të ardhura të ulëta.

Ngadalësimi i rimëkëmbjes bëri që ekonomistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) të ulin disi parashikimet e tyre të rritjes ekonomike globale për këtë vit, përkatësisht në muajin tetor dhe dhjetor.

Megjithatë, ata ruajtën perspektivën e tyre për vitin 2022, por paralajmëruan se variantet e COVID mund të ngadalësojnë rritjen ekonomike. Ata theksuan nevojën për të vaksinuar me shpejtësi shumicën dërrmuese të popullsisë globale.

Ndërkohë që pandemia mbetet një rrezik i madh për rritjen ekonomike globale, ajo nuk përbën kërcënimin e vetëm që do të shqetësojë investitorët në vitin 2022.

Variantet rezistente ndaj vaksinave të COVID-it

Në nëntor, tregjet financiare u zgjuan të frikësuara: Një variant i ri i koronavirusit, Omicron, ishte raportuar në Afrikën jugore. Varianti i koronavirusit, i cili ishte shumë i transmetueshëm, bëri që tregjet globale financiare dhe të mallrave të marrin një tjetër goditje.

Qeveritë e shumë vendeve kanë forcuar kufizimet për të mbajtur në kontroll përhpajen e variantit të ri, duke kërcënuar kështu rimëkëmbjen ekonomike.

Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të analizojnë të dhënat, strategët e JP Morgan kanë thënë që nëse Omicron rezulton të jetë “më pak vdekjeprurës”, atëherë ai mund të sjellë fundin e pandemisë.

Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse pandemia përhapet në përmasa të mëdha, atëherë mund të shfaqen varianteve të COVID-it që janë rezistente ndaj vaksinave, të cilat mund të sjellin rikthimin e izolimeve.

“Nëse COVID-19 do të kishte një ndikim të zgjatur – deri në planin afatmesëm – ai mund të zvogëlojë PBB-në globale me një shumë kumulative prej 5.3 trilion dollarë (4.6 trilion euro) gjatë pesë viteve të ardhshme, në krahasim me parashikimin tonë aktual,” tha në tetor kryeekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath.

Problemet me zinxhirët e furnizimit

Bllokimet në zinxhirët e furnizimit kanë luajtur një rol kryesor në pengimin e rimëkëmbjes ekonomike globale këtë vit. Vështirësitë në transport, së bashku me mungesat e kontenierëve të transportit, si dhe rritja e madhe e kërkesës pas lehtësimit të kufizimeve të pandeminë, i kanë bërë prodhuesit të kenë vështirësi në gjetjen e produkteve dhe të lëndës së parë.

Sektori i automjeteve ka qenë ndër më të goditurit, pasi në muajt e fundit prodhimi ka rënë ndjeshëm në eurozonë, duke përfshirë Gjermaninë. Prodhuesit e makinave kanë reduktuar prodhimin pasi disa pajisje, veçanërisht gjysmëpërçuesit, mungojnë në tregjet globale.

Rritja e inflacionit

Mungesa e lëndëve të para dhe e inputeve, së bashku me rritjen e çmimeve të energjisë, kanë bërë që inflacioni në eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara të arrijë në nivelet më të larta të shumë viteve. Kjo ka trembur investitorët globalë, të cilët kanë frikë se bankat qendrore do të detyrohen të rrisin para kohe normat e interesit për të zbutur rritjen e çmimeve.

Banka Qendrore Europiane ka pohuar se çmimet janë rritur nga faktorë të përkohshëm si mungesa e furnizimeve dhe çmimet e rritura të energjisë. Ajo pret që inflacioni të bjerë sapo të ulen efektet çekuilibruese të kërkesë-ofertës globale.

Masat ekonomike të Kinës

Ngadalësimi i ekonomisë së Kinës, ekonomia e dytë më e madhe në botë, sigurisht që do të shtonte shqetësimet e investitorëve në vitin 2022.

Fuqia ekonomike aziatike ndihmoi botën të dilte nga recesioni i shkaktuar nga pandemia në vitin 2020, duke u mbështetur te kërkesa globale për mallrat e saj elektronike dhe mjekësore. Ajo ishte e vetmja ekonomi e madhe që u rrit në vitin 2020 dhe pritet të rritet edhe këtë vit me rreth 8%, duke e bërë atë ekonominë kryesore me rritjen më të shpejtë pas Indisë.

Megjithatë, rimëkëmbja pas pandemisë po pengohet nga masat që Pekini ka ndërmarrë ndaj titanëve të tij të teknologjisë, duke përfshirë Alibaba dhe Tencent, ndaj firmave të pasurive të paluajtshme me borxhe të larta si Evergrande dhe Kaisa, si dhe ndaj industrisë së arsimit privat. Zyrtarët e lartë kinezë kanë kërkuar të qetësojnë investitorët duke thënë se stabilizimi i ekonomisë do të ishte prioriteti i tyre kryesor për vitin e ardhshëm, duke krijuar kështu pritshmëri për një stimul fiskal në fillim të vitit 2022.

Tensionet gjeopolitike

Edhe pse temperaturat bien në hemisferën veriore, temperaturat mes Rusisë dhe SHBA-së e aleatëve europianë janë rritur ndjeshëm. Uashingtoni ka paralajmëruar Moskën për pushtimin e Ukrainës, në një kohë kur në kufirin ukrainas po bëhej një grumbullim masiv i trupave ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë po paralajmërojnë për më shumë sanksione ekonomike kundër Rusisë, duke përfshirë pezullimin e gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2, nëse ajo pushton fqinjin e saj.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë qenë gjithashtu të tensionuara për Tajvanin, pasi Uashingtoni paralajmëroi Pekinin për ndryshimin e njëanshëm të status quo-së mbi territorin e ishullit.

Uashingtoni e ka zemëruar më tej Pekinin me njoftimin e tij se zyrtarët amerikanë do të bojkotojnë Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit në shkurt për shkak të “mizorive” të Kinës ndaj të drejtave të njeriut. Kina ka kërcënuar se SHBA do të “paguajë një çmim” për vendimin e saj./ CNBC