Ngjarja më e madhe e vitit në botën e elektronikës, panairi i pajisjeve elektronike për konsumatorët , do të zgjasë vetëm tre ditë, nga katër që ishte planifikuar, si rezultat i shtimit të rasteve me COVID-19 dhe i tërheqjes së disa prej kompanive më të njohura në fushën e teknologjisë. Panairi do të hapë dyert për publikun të mërkurën më 5 janar në qytetin e Las Vegasit.
Organizatorët thanë se janë marrë masa shtesë në bazë të protokolleve aktuale shëndetësore. Disa gjigandë të teknologjisë kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë si rezultat i rrezikut nga përhapja e infektimeve.
Firma T-Mobile ka njoftuar se do të marrë pjesë me një numër të kufizuar njerëzish, ndërsa kompanitë Lenovo, Twitter dhe Meta, kompania mëmë e Facebook-ut, kanë anuluar pjesëmarrjen.
“Mund të ndjekim në rrugë virtuale parashikimet që bëjnë kompanitë e mëdha që u tërhoqën nga panairi”, thotë Nicole Scott me faqen e lajmeve teknologjike “Mobile Geeks”.
Panairi që shkurtimisht njihet si “CES”, është ngjarja më e madhe e teknologjike e vitit. Nga kjo ngjarje dalin disa nga lajmet më të rëndësishme mbi pritshmëritë e përparimeve teknologjike për konsumatorët.
“Me kaq shumë firma që po anulojnë pjesëmarrjen, të lind përshtypja se panairi nuk do të ketë atë madhështinë që ka patur ndër vite”, thotë Michael Josh Villanueva me faqen e lajmeve elektronike “GadgetMatch”.
Organizatorët thonë se mbi dy mijë kompani kanë konfirmuar pjesëmarrjen në panair. Ata duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar dhe të mbajnë maskë.
Gjatë pandemisë, shumë panaire të mëdha tregtare janë zhvilluar në rrugë virtuale. Por për shumë kompani, lidhjet personale që arrihen në panaire si CES janë të paçmueshme.
“Shumë kompani, veçanërisht ato amerikane, marrin pjesë në panaire për të gjetur investitorë për të prodhuar pajisjet që ato reklamojnë. Është e vështirë që kjo lidhje të arrihet në rrugë virtuale”, thotë Nicole Scott me faqen e lajmeve teknologjike “Mobile Geeks”.
Vitin e kaluar panairi i elektronikës u zhvillua tërësisht në rrugë virtuale ndërsa këtë vit mbi 2 mijë kompani kanë konfirmuar pjesëmarrjen në pavionet e panairit.