Në mbarë botën janë anuluar më shumë se 2 mijë fluturime të planifikuara për të premten, një tregues i ndikimit të COVID-19 në industrinë e aviacionit dhe udhëtimeve për Krishtlindje, që është një nga periudhat më të ngarkuara të vitit. Tri kompani të mëdha, ato amerikane United dhe Delta dhe ajo me bazë në Gjermani, Lufthansa, njoftuan anulimin e mbi 200 fluturimeve.

Kompanitë e fluturimeve “United” dhe “Delta” njoftuan se kanë anuluar dhjetëra fluturime në prag të Krishtlindjeve, ndërsa varianti shumë ngjitës i COVID-19, Omicron vazhdon të përhapet mes ekuipazheve të fluturimit dhe punonjësve të tjerë.

United me seli në Çikago tha se anuloi 120 fluturime të planifikuara për të premten, ndërsa Delta me seli në Atlanta tha se anuloi rreth 90.

“Përhapja mbarëkombëtare e rasteve me Omicron këtë javë pati ndikim të drejtpërdrejtë në ekuipazhet tona të fluturimit dhe ata që udhëheqin operimin tonë. Si rezultat, ne jemi të detyruar të anulojmë disa fluturime dhe po njoftojmë klientët e prekur para se të vijnë në aeroport”,njoftoi kompania United.

Delta tha se i ka shteruar të gjitha alternativat dhe mjetet, duke përfshirë ndryshimet e itinerareve dhe zëvendësimin e avionëve dhe ekuipazheve me qëllim të realizimit të fluturimeve, para se të anulonin rreth 90 prej tyre që ishin planifikuar për të premten.

Edhe kompania me bazë në Gjermani, Lufthansa tha se po anulonte më shumë se 10 fluturime të gjata për në Hjuston, Boston dhe Uashington gjatë periudhës së Kirshtlindjeve, për shkak të një rritjeje të madhe të kërkesave për leje për arsye shëndetësore nga pilotët.

Sipas faqes Flightaware, në përgjithësi në nivel botëror, janë anuluar më shumë se 2 mijë fluturime.

Ditën e martë, shefi ekzekutiv i kompanisë Delta, Ed Bastian i kërkoi drejtoreshës së Qendrve amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e e Sëmundjeve , të ulë periudhën e izolimit për personat e vaksinuar plotësisht që infektohen me COVID-19, duke arsyetuar kërkesën e tij me ndikimin që kjo ka në fuqinë e tyre punëtore. Ai kërkoi që periudha e izolimit të shkurtohej në pesë ditë nga 10 sa është aktualisht.

Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga grupi tregtar që përfaqëson transportuesit kryesorë të mallrave dhe pasagjerëve, Airlines for America, dhe kompania Jetblue, të cilat poashtu iu drejtuan CDC-së.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të enjten publikuan udhëzimet e përditësuara të izolimit për punonjësit e kujdesit shëndetësor, duke shkurtuar në shtatë ditë kohën e karantinës për punonjësit që rezultojnë pozitivë për COVID-19, por që nuk kanë simptoma dhe që pas ritestimit rezultojnë negativë.