Britania njoftoi të martën se do të ofrojë 1 miliard paund (1.3 miliardë dollarë) mbështetje shtesë për bizneset e goditura më rëndë nga vala e rasteve të variantit Omicron të koronavirusit, i cili po dëmton sektorin e mikpritjes në vend dhe bizneset e tjera.

Ministri i Financave Rishi Sunak tha se ishte i bindur që masat do të ndihmonin qindra mijëra biznese. Por ai shtoi se do të “përgjigjej në mënyrë proporcionale dhe të përshtatshme” nëse qeveria do të vendosë kufizime të mëtejshme për të ngadalësuar përhapjen e Omicron.

Për momentin, bizneset e mikpritjes në Angli nuk i nënshtrohen asnjë kufizimi të ri ligjor, pavarësisht rritjes me 60% të rasteve të COVID-19 gjatë javës së kaluar, e cila e ka çuar në rreth 90,000 numrin e infeksioneve ditore.

Baret dhe restorantet në Skoci do të kufizohen në kapacitetin e tyre të tavolinave duke filluar nga 26 dhjetori.

Nën planin e mbështetjes të shpallur të martën, bizneset e mikpritjes dhe ato të argëtimit në Angli do të kenë të drejtë të përfitojnë grante deri në 6,000 paund për secilin prej ambienteve të tyre, që përbën në total pothuajse 700 milionë paund të paketës së re.

Grantet ishin ekuivalente me ato të ofruara për bizneset e mikpritjes kur ato u mbyllën plotësisht këtë vit, tha Ministria e Financave në MB.

Por, ndryshe nga paketa e mëparshme e ofruar gjatë pandemisë, nuk do të ketë ndihmë shtesë nga qeveria për të punësuarit që humbasin punën ose që punojnë me orë të shkurtuara. Ministria e Financave e Britanisë tha se numri i vendeve të lira të punës ishte 50% më i lartë krahasuar me periudhën përpara pandemisë.

Një fond për të mbështetur organizatat kulturore do të rritet me 30 milionë paund, ndërsa 100 milionë paund do të shkojnë për autoritetet lokale angleze për masat e mbështetjes së biznesit dhe 150 milionë paund për qeveritë në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut.

Përveҫ paketës prej 1 miliard paund, Ministria e Financave tha se, për bizneset e vogla dhe të mesme në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, do të mbulonte koston e pagës ligjore për mungesat e justifikuara si pasojë e sëmundjes me COVID, për një periudhë deri në dy javore për ҫdo punonjës.

Britania mori hua më shumë se 300 miliardë paund në vitin e kaluar financiar për të përballuar goditjen në ekonomi që u shkaktua nga koronavirusi dhe masat izoluese të qeverisë.

A do të ketë rregulla më të ashpra?

I pyetur për mundësinë e kufizimeve shtesë, Sunak tha se situata ishte shumë e pasigurt për të ditur se ҫfarë do të ndodhë.

“Ajo që tha kryeministri është se ne po i shqyrtojmë të dhënat ditë pas dite, orë pas ore, duke e mbajtur situatën në shqyrtim të vazhdueshëm, por nuk mund të përjashtojmë asgjë”, tha ai.

Kryeministri Boris Johnson tha të hënën se po shqyrtonte të gjitha llojet e masave për ta mbajtur nën kontroll Omicron, duke paralajmëruar se mund të nevojiten kufizime të mëtejshme.

Shifrat nga organi tregtar UKHospitality të publikuara të hënën treguan një rënie prej 40% të blerjeve gjatë fundjavës, si dhe një perspektivë të errët për natën e Vitit të Ri.

“Kjo është një paketë bujare që i shtohet masave ekzistuese të mbështetjes në sektorin e mikpritjes, për të ofruar një injeksion të menjëhershëm parash për ato biznese të cilave, jo për fajin e tyre, u është goditur periudha e tyre më fitimprurëse e tregtimit,” tha Shefja Ekzekutive e UKHospitality, Kate Nicholls.

Megjithatë, mungesa e ndihmës për punonjësit në sektorin e mikpritjes u kritikua nga think tank-u Resolution Foundation, i cili tha se punonjësit me paga të ulëta që humbasin punën e tyre do të pësonin një rënie të të ardhurave prej 70%, krahasuar me një rënie prej 20% në rast të mungesës së paguar në punë.

“Shkalla e mbështetjes për bizneset është e mjaftueshme vetëm në një skenar të mirë të një vale të shpejtë të Omicron, ndërsa mungesa e mbështetjes së re për të punësuarit i lë ata në rrezik të madh për të ardhurat e tyre në javët në vijim,” tha drejtuesi ekonomik i Resolution Foundation, Mike Brewer./ BBC