Merkel nuk ishte shumë kritike ndaj rrëshqitjes së Serbisë në një diktaturë. Qeveria e re gjermane duhet të angazhohet për më shumë demokraci në rajonin e BP, shkruan eksperti i Europës Juglindore, Florian Bieber.

Gjatë dy javëve të fundit mijëra serbë dolën në rrugë, dy të shtuna njëra pas tjetrës ndërkohë, dhe bllokuan autostrada, ura dhe pika të rëndëdishme rrugore për të protestuar kundër një ligji që do të lehtësojë shpronësimet. Sfondi: Koncerni ndërkombëtar Rio Tinto kërkon të ngrejë një minierë gjigante të litiumit në Serbinë perëndimore me pasoja fatale potenciale për mjedisin. Koncerni mbështetet aty nga regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Pamjet e demonstratave në fund të nëntorit tregonin trupa me maska që vepronin kundër demonstruesve. E dukshme që ata i ishin dërguar më parë nga qeveria.

Këto pamje të kujtojnë kohën, kur para pesë vjetësh burra të maskuar me makineri shkatërruan shtëpitë në qendër të Beogradit për të hapur vend për projektin e ri të madh “Belgrade Waterfront”. Problemet me fondet, me mungesën e transparencës në marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara e kanë deformuar ndërkohë bregun e Savës me ato ndërtesat e larta. Trupa të gatshme për dhunë mbrojtën edhe portretin e gjeneralit të dikurshëm boshnjak-serb, Ratko Mladiç, që papritur u pikturua në një faqe muri në Beograd. Huliganët e eliminuan çdo përpjekje të beogradasve, të kolegevë atje, edhe timen për të larguar nderimin që i bëhej kriminelit të dënuar për krime lufte. Këta të rinj të veshuar me “hoodi” janë ata që këlthasin shpesh në stadiume e janë prej kohësh dora mbështetëse e regjimit të Vuçiqit.

Projekte me prestigj, mbështetje ndërkombëtare

Në Serbi ndjehet frika. Gati nuk ka media të pavarura në vend, kritikët baltosen dhe opozita akuzohet për tradhti kombëtare. Nëse unë  e kritikoj qeverinë në Serbi, cilësohem si “lobiist shqiptar”. Në një klimë të tillë nuk ka shumë vetë që guxojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre hapur. Prandaj protestat aktuale mjedisore kundër projektit të litiumit janë kaq inkurajuese. Ato janë të rëndësishme, sepse nuk zhvillohen vetëm në Beograd, por edhe në qytete të tjera më të vogla, ku qasja në qëndrimet kritike është më e vështirë.

Në të njëjtën kohë është fatale, që shumë serbë besojnë, dhe jo aq pa ta drejtë, se Vuçiq mund të mbështetet tek përkrahja e perëndimit, sidomos e Gjermanisë. Shumë dyshojnë, se ish-kancelarja federale, Angela Merkel e mbështeste minierën e litiumit. Sidoqoftë diku duhet të prodhohet lënda e parë për bateritë e automjeteve elektrikë “made in Germany”. Presidenti serb ia del me projekte të tilla me prestigj të sigurojë mbështetje ndërkombëtare.