ECJE TË TYMOSURA
Aromë lagështie myk i shprishur
Shtresohej në varëset e rrobave në dollap
Në xhepin e majtë të xhaketës
Ishte një paketë duhani e çakmaku i bardhë
Dorë e lodhur e mbërrin “zodiakun” e gjatë
Në dhomë rrathë tymi si histori
Fije mendimesh figura lypsarësh
Njerëz të tretur skajeve të botës
Një gotë verë në tavolinë dite
Ngacmonte etjen e sëmurë e kronike
Buzëqeshja rrapëllonte skajeve të buzëve
Si mëngjeseve vjeshtore mbuluar me vesë
Tymnaja shponte parvazet e dritareve
Balli ndizej mbuluar me djersë të ftohta
Një kollitje larg dëgjohet në rrugë
Gjumi kishte marrë arratinë
Mëngjesi kishte thithur gjithë nikotinën
Dikush kishte pirë verën në shishen e kuqe
Sillesha i dehur në dhomën e ëndrrave
I frikësuar nga figura të zverdhura
Rreshtuar në shpresë te një dite të re
Në pritje të metamorfozës të ditës e natës….
IKJA AS NATËN NUK NDALET…
Shpesh iki nga vetmia e natës
Zbres shkallëve e hap derën e rrugës
Shikoj ftohtësinë dritat e neonit
Të varura mureve të zbehta
Fenerë mbyllur në xhama qelqi
Asnjë lëvizje në mesnatën e heshtur
Pos ndonjë qenë i uritur
Me zor ndalen lotët e zemërimit
(Urrej e dashuroj vetminë time….)
Sytë shndritin në prushin e fjetur
Udhëtimi natën nuk ndalet
Deri tek pritat e dallgëzuara
Pusi ka zënë shpirti i rebeluar
Kërkon të shuajë etjen
Nuk di as cilën etje
Ndoshta atë të çmendurisë
BALLAFAQIM SHIKIMESH
Diçka po digjet në mua
Kaq shumë tim
Edhe erë shkrumbi përtej flakëve
Shikimet ballafaqohen si dy memecë
Trishtueshëm flasin në heshtje shkallëzimet
Jeta po fshihet diku skutave të përvuajtura
Ngarkuar me injorancë
Dashuri e rreme përvidhet shikimeve
Nën këmbë hetohet flaka
Kush mund të di kahet e rrugëtimeve…
Në ballafaqim shikimesh diçka po ikën
Ndoshta kotësia e jetës
Si një ditë pluhur….