Britania e Madhe bëri të ditur se do të thërrasë një takim urgjent të ministrave të shëndetësisë të G7 të hënën për të diskutuar zhvillimet mbi variantin e ri të koronavirusit, Omicron.
Takimi vjen në një kohë kur ky variant është zbuluar në Britani, Gjermani dhe Itali, ndërsa ministri francez i shëndetësisë u shpreh të dielën se ky mutacion ka të ngjarë të jetë duke qarkulluar edhe në Francë.
Qeveria britanike njoftoi masa të reja të shtunën në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e variantit të ri COVID-19, shkruan Euronews.
Në kuadër të masave hyjnë ashpërsimi i rregullave për njerëzit që mbërrijnë në Britani nga jashtë dhe urdhrat për mbajtjen e maskave në mjediset e shitjes me pakicë dhe në transport publik.
G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA, dhe aktualisht Mbretëria e Bashkuar mban presidencën.