Franca është e gatshme për një diskutim serioz me Britaninë për çështjet që kanë të bëjnë me imigracionin e paligjshëm, por nuk do të mbetet peng i politikës së brendshme të Londrës, tha ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin.
Të dy vendet janë tashmë në mosmarrëveshje mbi rregullat tregtare dhe të drejtat e peshkimit pas Brexit-it dhe javën e kaluar marrëdhëniet u përkeqësuan më tej pasi 27 persona humbën jetën duke u përpjekur të kalonin Kanalin e La Manshit.
Kryeministri britanik Boris Johnson i shkroi presidentit Emmanuel Macron duke përcaktuar pesë hapa që të dy vendet mund të ndërmarrin për të penguar emigrantët që të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm. Njëri prej tyre ishte dërgimi i emigrantëve të paligjshëm në Francë, që e zemëroi shumë Parisin.
Franca u përgjigj duke anuluar një ftesë për ministren e Brendshme britanike Priti Patel për të marrë pjesë në një takim të dielën me homologët evropianë për të diskutuar çështjen pasi kryeministri Johnson publikoi letrën në Twitter.
“Britania u largua nga Evropa, por jo nga bota. Ne duhet të punojmë seriozisht mbi këto çështje… pa u mbajtur peng nga politika e brendshme britanike”, u tha Darmanin gazetarëve pas takimit me homologët e tij belgë, gjermanë dhe holandezë në Calais.
Ai shtoi se toni i Londrës në diskutimet private nuk ishte i njëjtë me atë të përdorur publik.
Franca kishte trajtuar çështjen e migrimit të paligjshëm në Britani për 25 vjet dhe tani ka ardhur koha që Londra të zgjohej, tha ministri Darmanin.
“Nëse emigrantët vijnë në Calais, Dunkirk ose në Francën veriore, kjo ndodh sepse ata janë të tërhequr nga Anglia, veçanërisht tregu i punës që do të thotë se ju mund të punoni në Angli pa asnjë kartë identiteti”, tha ai.
“Britania duhet të marrë përgjegjësinë dhe të kufizojë stimujt e saj ekonomikë”, shtoi ministri francez.
Britania ka nevojë për bashkëpunimin e Francës për të frenuar fluksin e emigrantëve, të cilit po përpiqen të ikin nga lufta dhe varfëria,duke kaluar Kanalin e Lamanshit nga Evropa, tha të dielën ministri britanik i shëndetësisë Sajid Javid në mbrojtje të letrës së kryeministrit Johnson.
Zoti Darmanin tha se në takimin e së dielës me partnerëttij evropianë u arritën marrëveshje për një numër të vogël çështjesh, por Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Rojës Bregdetare ra dakord të sigurojë një avion nga 1 dhjetori për të monitoruar vijën bregdetare veriore të Francës.