Komisioneri i Bashkimit Evropian për treg të brendshëm, Thierry Breton paralajmëroi Bullgarinë se niveli jashtëzakonisht i ulët i vaksinimit kundër koronavirusit është “rrezik i madh” jo vetëm për Bullgarinë, por për tërë bllokun evropian.
Me 6.9 milionë banorë të vaksinuar, Bullgaria është një nga shtetet me nivelin më të ulët të vaksinimit në BE me rreth 26 për qind të qytetarëve të vaksinuar plotësisht, krahasuar me 68 për qind, sa është mesatarja në BE, shkruan AFP.
“Ky është një rrezik i madh për Bullgarinë, por edhe për të gjithë të tjerët”, tha Breton më 19 nëntor, gjatë vizitës së tij në Sofje.
Komisioneri Breton, që është personi përgjegjës në BE për strategjinë e vaksinimit, u takua me kryeministrin në detyrë bullgar, Stefan Yanev. Gjatë takimit, ai insistoi se udhëheqësit në mbarë Evropën duhet të ndërmarrin “vendime të ashpra dhe jopopullore” me qëllim që ta luftojnë virusin.
“Nëse ne nuk bëjmë asgjë, ne mund të kemi edhe një variant bullgar sepse shumë njerëz nuk janë vaksinuar dhe kjo mund të gjenerojë një variant të ri, që do të ishte një lajm i keq për Bullgarinë dhe për të gjithë ne sepse Bullgaria nuk është ishull”, tha Breton.
Nivelet e vaksinimit në Bullgari kanë qenë të ulëta që nga fillimi i fushatës së imunizimit për shkak të besimit të ulët në institucione dhe qytetarëve që kundërshtonin vaksinimin si dhe lajmeve të rreme.
Megjithatë, fushata e vaksinimit është përshpejtuar së fundmi, pas vendimit të autoriteteve në tetor që të kërkojnë certifikatë të vaksinimit për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, përfshirë edhe hyrjen në kafene dhe restorante.
Bullgaria po ashtu ka nivel të lartë të vdekjeve nga koronavirusi dhe spitalet në këtë shtet po kanë mungesë të stafit.