Kina, shteti ku ka shpërthyer për herë të parë pandemia e koronavirusit, është duke u përballur me shpërthimin më të madh, të shkaktuar nga varianti Delta, andaj autoritetet kanë nisur të zbatojnë kufizime të reja në udhëtim.

Sipas kalkulimeve të agjencisë së lajmeve, Reuters, më 14 nëntor, është regjistruar një total prej 1.308 rasteve të brendshme, prej raportimit të simptomave të para më 17 tetor.

Disa zona kanë nisur që të kufizojnë hyrjen e njerëzve nga qyteti Dalian, ku shkalla e infektimit është rritur më së shpejti.

Ndonëse shkalla e infektimit është shumë më e vogël sesa në shtetet tjera, shpërthimi i fundit përbën përhapjen më të madhe të variantit Delta në Kinë.

Ky variant ka prekur 21 provinca, rajone dhe komuna, dhe autoritetet kineze janë duke tentuar të bllokojnë përhapjen e virusit sipas politikës qeveritare për zero-tolerancë.

Dy punëtorë shëndetësorë brenda një laboratori në Kinë.

LEXONI EDHE KËTË:

Heihe i shpërblen ata që ofrojnë të dhëna për shpërthimin e fundit të COVID-19

Dalian – qytet me rreth 7.5 milionë banorë – është izoluar me qëllim të luftimit të virusit, ka thënë një zyrtar i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.

Qytezat afër Dalianit kanë thënë se njerëzit që arrijnë nga ky shtet duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës në objekte qeveritare për dy javë, para se të mund të lëvizin lirshëm.

Shpërthimi i pandemisë së koronavirusit besohet se ka ndodhur në qytetin Vuhan, në fund të vitit 2019.

Në pjesën tjetër të botës, Qeveria britanike ka bërë të ditur të hënën se të gjithë personave nën moshën 40-vjeçare do t’iu ofrohet doza e tretë e vaksinës kundër koronavirusit.

Ky vendim është thënë se është marrë për të rritur mbrojtjen dhe për të kufizuar përhapjen e virusit teksa afrohet stina e dimrit.

Të dhënat kanë sugjeruar se mundësia e infektimit me koronavirus bie për më shumë se 80 për qind pas marrjes së dozës përforcuese.

Komiteti i Përbashkët për Vaksinime dhe Imunizim, ka thënë po ashtu se fëmijët e moshave 16-17 vjeçare tani do të mund të marrin dozën e dytë të vaksinës, ndonëse në fillim u ishte ofruar vetëm doza e parë.

Deri më tani, 12.6 milionë persona kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës në Britani.

Kjo dozë u është dhënë personave mbi moshën 50-vjeçare, stafit shëndetësor dhe personave me të cenueshëm ndaj virusit.

Personat e grup-moshës 40-49 vjeç do të mund të marrin vaksinën Pfizer apo gjysmë dozë të vaksinës së prodhuar nga Moderna.

Doza përforcuese mund të merret gjashtë muaj pas dozës së dytë.

Persona me maskë mbrojtëse kalojnë pranë një murali në një qendrë tregtare në Berlin të Gjermanisë.

LEXONI EDHE KËTË:

Disa shtete evropiane rikthejnë masat kufizuese

Evropa është bërë epiqendër e re e koronavirusit, ndërkohë që shtetet po tentojnë të ndalin valën e katërt të infektimeve.

Austria ka nisur të zbatojë nga 15 nëntori izolim të ashpër për personat e pavaksinuar.

Njerëzit që nuk janë të vaksinuar në këtë shtet do të mund të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për nevoja të domosdoshme, për punë apo për të vizituar mjekun.

Vaksina kundër COVID-19

LEXONI EDHE KËTË:

Austria izolon personat e pavaksinuar kundër COVID-19

Sipas autoriteteve austriake, ata do të mund të ecin në ambiente të jashtme për të përfituar shëndeti i tyre fizik dhe ai mendor.

Do të ketë autoritete shtesë për të kontrolluar zbatimin e masave dhe shkeljet do të jenë të ndëshkueshme deri në 1,660 dollarë.

Masat e izolimit do të jenë në fuqi fillimisht për 10 ditë.

Shkalla e infektimit është rritur në Austri, me të paktën 11,552 raste të regjistruara më 14 nëntor.

Kryeqyteti, Vjena, ka thënë se planifikon të kërkojë testet PCR për personat e vaksinuar dhe të shëruar nga koronavirusi, që duan të shkojnë nëpër restorante apo organizime tjera me më shumë se 25 persona./RFE/RL