Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se Rusia synon të zhbëjë çdo gjë që kanë arritur amerikanët në Ballkanin Perëndimor, demokracinë dhe qëndrueshmërinë.
Ajo i bëri këto komente në një bashkëbisedim në universitetin Johns Hopkins me temën “e ardhmja e Kosovës në një rajon sfidues”.
Kosova, tha ajo, “i përket një rajoni mjaft sfidues ku Rusia ka interesa specifike dhe interesi i saj nuk është vetëm destabilizimi i Kosovës, por Ballkani Perëndimor është një rajon ku ata dëshirojnë të zhbëjnë çdo gjë amerikane, çdo gjë që Shtetet e Bashkuara kanë arritur në dy-tri dekadat e fundit, që janë qëndrueshmëria dhe demokracia”.
Ajo tha se Kosova është historia me e madhe e suksesit të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe Rusia “duke sulmuar pjesën tonë të botës, po përçon mesazhin se do të sulmojë vlerat për të cilat Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u ngritën në vitin 1999, kur shpëtuan jetët tona dhe sot kur punojnë me ne në përpjekje për të shpëtuar demokracinë dhe qëndrueshmërinë në pjesën tonë të botës”.
Qartazi tha ajo, “Rusia ka gjetur trampolinën për ndikimin e saj dhe kjo është qeveria e Serbisë, e cila vazhdon ta destabilizojë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën”.
Presidentja Osmani tha se regjimi në Serbi vazhdon të ndjekë të njëjtin mentalitet të Slobodan Millosheviçit, nëpërmjet asaj që ata e quajnë “bota serbe”. Ajo tha se Serbia është duke abuzuar me dialogun me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke u thënë vendeve që janë larg territorit të Ballkanit që të mos e njohin shtetësinë e Kosovës, sepse “statusi i këtij shteti është ende duke u negociuar”.
Ajo theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe me përgjegjësi ekzekutive, për të cilin ngulë këmbë Beogradi, do të ishte “prelud i krijimit të një ‘Republika Srpska’, në Kosovë”, duke përmendur shembullin e Bosnjës “si një mësim të mirë” për ata që kërkojnë themelimin e një asociacioni njëetnik.
Presidentja Osmani tha se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk kanë qenë kurrë më të forta dhe se Kosova është “absolutisht në një vijë me Shtetet e Bashkuara dhe shkalla e bashkërendimit më SHBA është në pikën më të lartë”.
Ajo theksoi kundërshtimin e Kosovës ndaj nismës së hedhur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për “minishëngenin Ballkanin” që më pas ndryshoi emrin në Ballkani i Hapur. Mbështetja e kësaj nisme në marrëveshjen për normalizimin ekonomik Kosovë – Serbi që u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, sipas saj, ishte një nga shqetësimet e pushtetit aktual në Kosovë. Ajo tha se shqetësuese ishte edhe përfshirja e moratoriumit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Përtej këtyre shqetësimeve Kosova ka zbatuar zotimet. përfshirë hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem”, tha presidentja Osmani duke nënvizuar se është Serbia ajo e cila nuk ka përmbushur zotimet e saj.