Një gjykatë federale e apelit në SHBA bllokoi përkohësisht të shtunën rregullin e administratës së presidentit Biden, sipas së cilit punonjësit në kompanitë amerikane me të paktën 100 vetë duhet të vaksinohen kundër COVID-19 ose të testohen çdo javë, duke përmendur probleme “të mëdha statutore dhe kushtetuese” me këtë rregull.

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Pestë në New Orleans vjen pasi shumë shtete të udhëhequra nga republikanët ndërmorën sfida ligjore kundër rregullit të ri, i cili do të hyjë në fuqi më 4 janar.

Në një deklaratë, juristja e Departamentit të Punës, Seema Nanda tha se Departamenti ishte “i sigurt në autoritetin e tij ligjor” për të lëshuar këtë rregull që do të zbatohet nga Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA).

“Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë i jep qartë autoritetin OSHA-s për të vepruar shpejt në rast urgjence kur agjencia konstaton se punëtorët janë nën një rrezik të madh dhe është i nevojshëm një standard i ri për t’i mbrojtur ata,” tha ajo. “Ne jemi plotësisht të përgatitur për ta mbrojtur këtë standard në gjykatë.”

Qëndrimi vjen dy ditë pasi administrata Biden bëri publik rregullin, i cili u përball menjëherë me sfidat për veprime ligjore nga guvernatorët republikanë dhe të tjerë, të cilët argumentuan se ai tejkalonte autoritetin ligjor të administratës.

Urdhri i gjykatës i së shtunës erdhi si përgjigje ndaj një peticioni të përbashkët nga disa biznese, grupe interesi dhe shtetet e Teksasit, Luizianës, Misisipit, Karolinës së Jugut dhe Jutas. Rregulli po përballet gjithashtu me sfida të veçanta ligjore përpara gjykatave të tjera.

Urdhri prej dy faqesh i kërkon administratës Bidenit që t’i përgjigjet kërkesës për ta anulluar në mënyrë të përhershme rregullin deri të hënën pasdite.