Shtëpia e Bardhë publikoi të enjten rregullat e reja të vaksinimit kundër COVID-19 për kompanitë amerikane me 100 ose më shumë punonjës, duke kërkuar që punonjësit e tyre të vaksinohen plotësisht deri më 4 janar ose të testohen të paktën një herë në javë.
Shtëpia e Bardhë nxorri rregulla të ngjashme për punonjësit e kujdesit shëndetësor të punësuar në objektet e përfshira në sistemet Medicare dhe Medicaid. Sipas rregullave, të nxjerra nga Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë ((OSHA)), zyrat duhet të ofrojnë leje nga puna për punonjësit për të bërë vaksinat. Po sipas këtyre rregullave, punonjësit e pavaksinuar duhet të mbajnë maska në vendin e punës.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, rregullat do të prekin 84 milionë punonjës dhe rreth 17 milionë punonjës të kujdesit shëndetësor në 76,000 objekte, përfshirë spitalet dhe objektet e kujdesit afatgjatë. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se punëdhënësit që nuk respektojnë rregullat mund të përballen me gjoba deri në 14,000 dollarë për shkelje.
Punonjësit mund të kërkojnë të përjashtohen nga zbatimi për arsye mjekësore ose fetare.
Me anë të një deklarate, Presidenti Joe Biden tha se ai e sheh këtë si një zgjedhje të thjeshtë: “Vaksinoni më shumë njerëz ose do të zgjasni këtë pandemi dhe ndikimin e saj në vendin tonë.”
Zoti Biden tha se ndërsa ai do të kishte preferuar të mos i lëshonte këto rregulla, numri i madh i të pavaksinuarve, nuk po e bën të mundur daljen përgjithmonë nga pandemia të vendit. Disa ligjvënës republikanë po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj urdhrit./ Voa