Më shumë se 8.500 luftëtarë të huaj janë dëbuar nga Turqia që nga fillimi i luftës civile siriane 10 vjet më parë. Njoftimin e bëri Ministria e Brendshme e Turqisë.
Të dyshuarit për terrorizëm ishin nga 102 vende, përfshirë 44 nga Shtetet e Bashkuara dhe 1.075 nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE), thuhet në një deklaratë të ministrisë turke. Në dhjetë muajt e parë të vitit 2021 në tetë vende të BE-së janë deportuar 61 të dyshuar.
Autoritetet turke thanë se dëbimi i gjithsej 8.585 luftëtarëve u bë si rezultat i përpjekjeve të vendit për të ofruar siguri brenda dhe jashtë kufirit që nga viti 2011.
Këta persona ishin larguar nga vendet e tyre për t’iu bashkuar grupeve militante si Shteti Islamik dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), si dhe dega e saj në Siri.
Që nga viti 2016, Turqia ka ndërmarrë tri operacione ushtarake në veri të Sirisë dhe ka një prani të forcave të saja në provincën veriperëndimore të Idlibit, si dhe zona të tjera brenda kufirit sirian.
Aktualisht forcat turke po kryejnë operacione kundër PKK-së në Irakun verior.
Më 2015 dhe 2016 grupi esktremist i ashtuquajtur Shteti Islamik (IS) kreu një numër sulmesh të mëdha terroriste në Turqi.
Kjo ndodhi pasi Ankaraja iu bashkua koalicionit ndërkombëtar për të luftuar militantët. Sulmet me bomba dhe me armë lanë qindra të vdekur.
Ndërsa grupi PKK-në është në konflikt me autoritetet turke që nga viti 1984.
Dhjetëra mijëra të vdekur janë shënuar përgjatë këtyre viteve. PKK konsiderohet një organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe shumica e shteteve perëndimore.
Dega siriane e PKK-së ishte e rëndësishme në mbështetjen e përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për të mposhtur luftëtarët e Shtetit Islamik nga Siria veriperëndimore.
Lidhjet e Uashingtonit me luftëtarët kurdë kanë shtuar tensionet mes SHBA-së dhe Ankarasë.