Krahu evropian i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bëri thirrje qeverive që mos t’i mbyllin shkollat, edhe pse numri i rasteve me koronavirus është rritur në shumë vende.

OBSH-ja tha se, me afrimin e dimrit, më shumë se gjysma e 53 vendeve të rajonit evropian të saj kanë raportuar rritje të dukshme të shkallës së infeksionit te të gjitha grup-moshat.

“Nëse ndërmerren kufizime për të zvogëluar ose kontrolluar transmetimin, shkollat duhet të jenë vendet e fundit që mbyllin dyert dhe të parat që do t’i rihapin, me masa të duhura parandaluese të infeksionit”, tha përmes një deklarate OBSH-ja.

“Ndërprerja e shkollimit të fëmijëve duhet të jetë zgjidhja e fundit”, tha ajo.

OBSH-ja, në vend të mbylljes së institucioneve arsimore, rekomandoi një qasje më të gjerë për reduktimin e transmetimit të koronavirusit.

“Kjo përfshin mjediset e shkollimit, ku distanca fizike, pastrimi i shpeshtë i duarve, mbajtja e maskave, sigurimi i ventilimit adekuat në klasa dhe rritja e numrit të testimeve janë të rëndësishme”, thuhet në deklaratë.

Vitin e kaluar, mbyllja e shkollave ka ndërprerë shkollimin e miliona fëmijëve dhe të rinjve dhe ka bërë më shumë dëm sesa dobi, tha Hans Kluge, drejtor i Zyrës për Evropën në OBSH.

“Ne nuk mund t’i përsërisim të njëjtat gabime”, tha Kluge.