Ballina Aktualitet Escobar: Ballkanit i duhet pajtim etnik dhe jo politika nacionaliste

Escobar: Ballkanit i duhet pajtim etnik dhe jo politika nacionaliste

 

Ballkanit Perëndimor i duhen liderë politikë që janë të përkushtuar në integrimet evropiane, ka deklaruar zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Më 26 tetor, në Forumin e Sigurisë në Beograd, ai ka thënë se rajonit i duhen politikanë të hapur për dialog, të cilët do të merren me çështje të shekullit XXI dhe jo me probleme nga e kaluara.

“Çelësi për Ballkan Perëndimor më të fuqishëm është ai i cili krijon gjithëpërfshirje, integrim, pajtim etnik dhe jo politika nacionaliste”, ka thënë Escobar.
Sipas tij, një nga sfidat më të mëdha dhe më zhgënjyese është se shumë politikanë nuk e kanë ndryshuar mënyrën e të menduarit.

Ai ka shtuar se ende po diskutohet për çështje të viteve 1990, të cilat është dashur të zgjidhen me vullnet politik shumë kohë më parë.

“Ne kemi nevojë për politikanë të përkushtuar të Bashkimit Evropian, por për fat të keq kjo nuk është gjithmonë kështu. Shohim disa tendenca shqetësuese në përqendrimin e pushtetit në partitë politike dhe koncentrimin të mundësive ekonomike te njerëzit që janë të lidhur me paritë politike”, ka thënë mes tjerash ai.

Escobar ka thënë mes tjerash se politika e çdo administrate amerikane, duke filluar nga ajo e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, ishte që të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen shpejt pjesë e BE-së dhe se rajoni do të mund të llogarisë në SHBA-në si partnere.

“Shumë vende kanë shënuar përparim të madh dhe shpresoj se së bashku me kolegët tanë evropianë do të kemi sukses të bindim anëtarët se ata nuk janë rrezik sa janë mundësi”, ka thënë ai.

Ai shprehu mbështetjen për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, qoftë, siç tha, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal apo nismës Ballkani i Hapur.
Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë se anëtarësimi i Shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk ka alternativë.

Ai ka shtuar se Prishtina dhe Beogradi duhet të shfrytëzojnë mundësinë për arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

“Rikthimi i bashkëpunimit dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin është shenjë e unitetit transaltantik”.

Ai ka shtuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është e vetmja platformë për zgjidhjen efikase të çështjes së Kosovës.

Fakti që u arrit një marrëveshje për targat në Bruksel tregon se dialogu mund të sjellë rezultate”, ka thënë mes tjerash Joffre.

Forumi treditor i Sigurisë në Beograd, i hapur më 26 tetor, diskuton efektet e pandemisë, pasigurinë ekonomike, krizën e demokracisë dhe rritjen e autoritarizmit, ksenofobisë dhe mosbesimit në botë.

Më shumë se 80 ekspertë të njohur në gjithë botën marrin pjesë në këtë organizim./R.E.L