Ministri i Brendshëm i Gjermanisë tha të dielën se mbrotja e kufirit është një masë “legjitime”, një deklaratë që vjen pasi disa shtete të Bashkimit Evropian i kërkuan Brukselit të paguajë për ngritjen e pengesave, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm.

Në fillim të këtij muaji Polonia propozoi ndërtimin e një muri, me një vlerë prej 410 milionë dollarësh, në kufirin e saj me Bjellorusinë, me qëllimin për të mos lejuar futjen e emigrantëve brenda vendit.

BE-ja ka akuzuar autoritetet bjelloruse se pasi i sjell emigrantët nga Lindja e Mesme e Afrika, në Minsk, i dërgon ata në kufijtë e vendeve evropiane, si hakmarrje ndaj sanksioneve të vendosura për shkak të goditjes së qeverisë ndaj opozitës së këtij vendi.

I pyetur nëse muri kufitar i propozuar nga Polonia ishte i nevojshëm, Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer tha se mbrojtja e kufijve ishte një veprim i justifikueshëm.

Është e ligjshme që ne të mbrojmë kufirin në mënyrë që të parandalojmë kalimin e paligjshëm të tij“, tha ai për gazetën “Bild am Sonntag” që publikohet të dielën.

Rritja e numrit të personave që kalojnë ilegalisht nëpërmjet kufirit lindor të BE-së me Bjellorusinë ka krijuar tensione me shtetet anëtare të pa mësuara me flukse migratore të mëdha.

Zoti Seehofer tha gjithashtu se Gjermania do të rrisë kontrollet në kufirin gjermano-polak dhe se atje tashmë ishin dislokuar tetë qind ekipe policie.

“Nëse do të jetë e nevojshme, jam gati ta përforcoj praninë (policore)”, shtoi ai.

Sipas shifrave të ministrisë së brendshme gjermane, rreth 5.700 persona kanë qarkulluar në kufirin mes Gjermanisë dhe Polonisë pa leje hyrjeje që nga fillimi i vitit.

Javën e kaluar zoti Seehofer i propozoi homologut të tij polak Mariusz Kaminski rritjen e patrullimeve të përbashkëta përgjatë kufirit me Poloninë në përgjigje të rritjes së numrit të emigrantëve.

Zoti Kaminski u përgjigj duke thënë se Polonia do të ofrojë “mbështetjen e saj të plotë” në këtë drejtim.

Megjithatë zoti Seehofer tha javën e kaluar se Gjermania nuk kishte në plan të mbyllte kufirin me Poloninë, duke shtuar se një veprim i tillë do të ishte gjithashtu “ligjërisht i diskutueshëm”.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarë të vendeve si Polonia, Lituania dhe Greqia argumentuan mbi nevojën e vendosjes së pengesave përgjatë kufijve të BE-së kundër çdo përpjekjeje për ta përdorur si “armë” çështjen e migracionit.

Deri tani Brukseli i është shmangur financimit të mureve kufitare për shtetet anëtare, duke këmbëngulur se kuadri ligjor aktual i lejon ta përdorë buxhetin e BE-së vetëm për “sistemet e menaxhimit të kufirit”.