Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se e ka ulur parashikimin e rritjes ekonomike globale për këtë vit në 5.9 për qind. Në këtë ka ndikuar pasiguria për përfundimin e pandemisë së koronavirusit. Më parë FMN-ja kishte parashikuar rritje ekonomike prej 6 për qind.
Sipas kësaj organizate me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara, në këtë ulje të parashikimit kanë ndikuar edhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit që u përkeqësuan nëpër qendrat prodhuese të Azisë, si dhe pabarazitë në shkallën e vaksinimit midis vendeve të pasura dhe të varfra.
“Rimëkëmbja globale vazhdon, por hovi i saj është dobësuar”, tha Gita Gopinath, drejtoreshë e hulumtimeve në FMN. Gati 60 për qind e popullsisë në ekonomitë e zhvilluara është plotësisht e vaksinuar, krahasuar me vetëm rreth 4 për qind në vendet më të varfra.
Gopinath paralajmëroi për një hendek të rrezikshëm në rritjen ekonomike midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre me të ardhura më të ulëta.
Fondi pret që deri në vitin e ardhshëm prodhimi i përgjithshëm nga ekonomitë e zhvilluara të kompensojë humbjet që pësuan gjatë pandemisë ndërsa kthimi në gjendjen e para-pandemisë të arrihet deri në vitin 2024.
Fondi tani pret që ekonomia më e madhe në botë, Shtetet e Bashkuara, të ketë rritje 6 për qind në 2021. Në muajin korrik parashikimi ishte për 7 për qind.
Ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, parashikohet të ketë rritje prej 3.1 për qind, duke mbetur pas Francës dhe Italisë, ku parashikohet rreth 6 për qind.