Danimarka është skuadra e dytë europiane pas Gjermanisë që siguroi zyrtarisht biletën për në Kupën e Botës Katar 2022. 8 ndeshje dhe 8 fitore në grupin F për gjysmëfinalistët e Euro 2020 të cilët konfirmuan momentin e shkëlqyer që po kalojnë duke trimfuar minimalisht 1-0 edhe ndaj Austrisë dhe dy ndeshje para fundit të eliminatoreve kanë 7 pikë avantazh nga Skocia e vendit të dytë.
Goli i futbollistit të Atalantës Maehle në minutën e 53-të vendosi fatet e këtij takimi me danezët që tashmë mund të festojnë një kualifikim të merituar.
Në ndeshjet e tjera të këtij grupi Izraeli mposhti 2-1 Moldavinë me golat e Eran Zahavit dhe Munas Dabbur, ndërkohë që Skocia blindoi vendin e dytë me suksesin minimal 0-1 me një gol të Dykes 5 minuta para fundit në transfertën ndaj Ishujve Faroe.
Në grupin I ku bën pjesë edhe Shqipëria, surprizoi Hungaria që ndali Anglinë brenda në Wembley në barazim 1-1, barazim që gjithsesi i afron anglezët me kualifikimin në Katar 2022.