Mjekët në të gjithë botën kanë vënë re gjatë vitit të kaluar një rritje të pazakontë të çrregullimeve të tikut nervor, të ngjashme me sindromin Tourette, që prek sistemin nervor të njeriut.
Në platformën e videove TikTok, shfaqen shumë kafshë shtëpiake të talentuara, konkurse vallëzimi dhe kohët e fundit,shumë video në lidhje me sindromën Tourette.
“Tourette” është një gjendje neurologjike që i detyron njerëzit të bëjnë tinguj të padëshiruar dhe lëvizje të përsëritura në formën e tikut nervor. Krijuesit e TikTok-ut kanë rritur ndërgjegjësimin rreth këtij sindromi. Videot me hashtag “tourettes” janë parë mbi 4 miliardë herë. Por popullariteti i tyre mund të ketë pasoja të padëshiruara.
Në vjeshtën e vitit 2020, doktoreshë Tamara Pringsheim dhe kolegët e saj vunë re diçka të pazakontë në klinikën e tyre në Alberta, të Kanadasë.
“Po na vinin deri në 17 raste në javë me të rinj që kishin zhvilluar papritur sjellje të ngjashme”, thotë neurologia Tamara Pringsheim.
Sindroma Tourette është gjenetike. Meshkujt preken më shpesh me tikun nervor që shfaqet zakonisht në fëmijërinë e hershme dhe rritet me kalimin e viteve.
“Ndërsa tek fëmijët, kryesisht vajzat, kulmi arrihet brenda një, dy ose vetëm pak ditësh”, thotë neurologu Davide Martino.
Mjekët dyshojnë se kjo valë mund të jetë shkaktuar nga diçka. Nisur nga sugjerimi i vajzës së saj adoleshente, Dr. Pringsheim pa disa video në TikTok.
“Kur nisa të shoh disa nga videot kuptova se kam pesë raste fëmijësh që kanë saktësisht këtë tik nervor. Një vajzë më tha se i filloi vetëm pasi kaloi tërë natën duke parë këto video në TikTok”, thotë doktore Pringsheim.
Gjatë vitit të kaluar, disa klinika në Angli, Australi, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara kanë raportuar një fenomen të ngjashëm.
“Tiku nervor fillon përgjithësisht me lëvizje të mëdha motorike, si p.sh. në formën e goditjeve, gërvishtjeve, ose tundjen e krahëve”, thotë psikologu John Piacentini.
Videot mund të veprojnë si një model për njerëzit që janë të ndjeshëm për shkak të faktorëve të tjerë, thotë John Piacentini, i cili viziton pacientë në Los Anxheles.
“Shumë nga fëmijët me këtë tik nervor, raportojnë nivele mjaft të larta të depresionit dhe ankthit. Dhe shumë prej tyre mund të jenë të lidhura me pandeminë”, thotë doktor Piacentini.
Dhe megjithëse disa nga videot përdorin humorin, të jetosh me një çrregullim të tillë mund të jetë shumë sfiduese.
“Kam pasur pacientë që kanë braktisur shkollën, kanë braktisur kolegjin, dhe lanë punën. Niveli i dëmtimit ka qenë shumë i lartë, më i lartë se shumë nga pacientët e mi me sindromën Tourette”, thotë doktore Pringsheim.
Për këtë sindromë ekzistojnë ende shumë të panjohura dhe kërkimet sapo kanë filluar.
Por ndërsa mjekët po shqyrtojnë qasjet më të mira për kurimin, hapi i parë duket i qartë.
“Gjëja e parë që duam të bëjmë është që të shkëputen për ca kohë nga mediat sociale”, thotë doktor Piacentini.
Rekomandimi i ekspertëve për njëri-tjetrin është të shqyrtojnë më nga afër mediat sociale. Një studim nga Universiteti i Çikagos del në përfundimin se: “Njohja e përmbajtjes së mediave është thelbësore për menaxhimin e pacientëve në mjedisin ku jetojmë”./VOA