“Forbes”/ 10 futbollistët më të paguar në botë

 

Para se të kalonin 24 orë nga lajmi se Cristiano Ronaldo u largua nga Juventus për t’iu bashkuar Manchester United, ylli portugez u bë lojtari me vlerën më të lartë të shitjes në faqen sportive të merchandise Fanatics.

Ai tejkaloi vlerën e shitjes së atletëve të tjerë të famshëm që kanë ndryshuar ekip në vitet e fundit, në mesin e të cilëve Tom Brady (NFL) në 2020-n; LeBron James (NBA) në 2018-n dhe Bryce Harper (MLB) në 2019-n.

Por fitorja e tij më e ëmbël mund të ketë qenë ajo lënies pas të rivalit në futboll, Lionel Messi, i cili vetëm pak javë më parë kishte njoftuar se do të linte Barcelonën për t’iu bashkuar Paris Saint-Germain.

Ky është lloji i forcës së shitjes që lind nga të qenët atleti më i famshëm në botë – me më shumë se gjysmë miliard ndjekës në Facebook (149 milionë), Instagram (344 milionë) dhe Twitter (94,3 milionë) – gjë që e ka ndihmuar të ngjitet në vendin e parë të klasifikimit të Forbes të futbollistëve më të paguar në botë për vitin 2021. (The World’s Highest-Paid Soccer Players 2021).

Fitimi para taksave i Cristiano Ronaldos në sezonin 2021-22 është 125 milionë $, ku 70 milionë $ vijnë nga paga dhe bonusi për rikthimin te Manchester United, ku në përvojën e parë nga viti 2003 në vitin 2009 fitoi tre tituj kampion radhazi në Premier League dhe trofeun e Champions League në vitin 2008.

Pjesa tjetër vjen nga angazhimet personale dhe marrëveshjet sponsorizuese, me marka si Nike, Herbalife, Clear. Portofoli i tij gjithnjë në zgjerim, CR7-branded, përfshin parfume, veshje të brendshme, syze, hotele, palestra etj. Vetëm tre atletë të tjerë sportivë fitojnë më shumë komercialisht: Roger Federer (90 milionë $), LeBron James (65 milionë $) dhe Tiger Woods (60 milionë $).

Dhe Ronaldo, 36 vjeç, nuk po shfaq shenja ngadalësimi, duke vazhduar të lërë pas shumë prej rivalëve në Europë, pjesa më e madhe e të cilëve janë dhjetë vite më të rinj se ai. Ronaldo shënjoi rikthimin në “Old Trafford” duke shënuar dy herë në ndeshjen e parë në rikthimin në “Teatrin e Ëndrrave”. Dhe tashmë ka shënuar katër gola në tre ndeshje të luajtura me Djajtë e Kuq (3 në Premier League dhe 1 në Champions League, ne humbjen me Young Boys).

Rivali i tij, 34-vjeçari Lionel Messi, pas 21 viteve te Barcelona – është transferuar te PSG ku do të paguhet 75 milionë $ në vit këtë sezon. Ylli argjentinas renditet në vendin e dytë në klasifikimin e Forbes, me 110 milionë $. Messi u detyrua të largohet pasi La Liga spanjolle u vuri kufizime shpenzimeve të pagave FC Barcelona, duke detyruar klubin të mbyllë marrëveshjen me 6 herë futbollistin më të mirë të vitit, i cili ka luajtur te Barça që kur ishte 13 vjeç.

Në total, fitimi para taksave i dhjetë futbollistëve më të paguar në botë pritet të arrijë 585 milionë $ në këtë sezon, krahasuar me 570 milionë $ vitin e kaluar. Pagat dhe bonuset përbëjnë pjesën më të madhe të totalit – 415 milionë $ – në rritje modeste 2.6% krahasuar me vitin e kaluar, duke qenë se pjesa më e madhe e klubeve vijojnë të jenë të kujdesshëm përballë paqartësive të pandemisë.

Në maj, UEFA, organi qeverisës i futbollit europian, publikoi një raport ku shkruhej se klubet e mëdha po përballeshin me humbje të larta të ardhurash të lidhura me pandeminë, prej 8.5 miliardë $, duke ndikuar në lëvizjen e lojtarëve më të rëndësishëm.

PSG zotëron tre nga pesë futbollistët më të paguar në botë, duke përfshirë edhe Neymar, 29 vjeç, i treti në klasifikim, me 98 milionë $ dhe Kylian Mbappe, 22 vjeç, i katërti në klasifikim, me 43 milionë $. Futbollisti i Liverpool, Mohamed Salah, 29 vjeç, mbyll “top 5” me 41 milionë $.

Këtë vit, 37-vjeçari Andres Iniesta është i vetmi futbollist i cili luan në një skuadër joeuropiane, duke u renditur i shtati, me 35 milionë $, pasi firmosi një rinovim të kontratës me dy vjet me klubin Vissel Kobe në Japoni, që kur u largua nga Barcelona në 2018-n.

Për të përpiluar klasifikimin, Forbes bisedoi me klubet, agjentët e klubeve, sponsorët komercialë dhe ekspertë të futbollit në mbarë botën. Shifrat janë në Dollarë Amerikanë, duke përdorur kursin aktual të këmbimit dhe duke përfshirë fitimin para taksave për sezonin 2021-22, bonuset dhe të ardhurat nga sponsorizimet. Komisionet e transferimit përjashtohen.

Forbes / Klasifikimi i 10 futbollistëve më të paguar në botë për vitin 2021

  1. Cristiano Ronaldo, Manchester United, 125 milionë $
  2. Lionel Messi, Paris Saint-Germain, 110 milionë $
  3. Neymar, Paris Saint-Germain, 95 milionë $
  4. Kylian Mbappe, Paris Saint-Germain, 43 milionë $
  5. Mohamed Salah, Liverpool, 41 milionë $
  6. Robert Lewandowski, Bayern Munich, 35 milionë $
  7. Andres Iniesta, Vissel Kobe, 35 milionë $
  8. Paul Pogba, Manchester United, 34 milionë $
  9. Gareth Bale, Real Madrid, 32 milionë $
  10. Eden Hazard, Real Madrid, 29 milionë $

/ Forbes

Foto: MARTIN RICKETT/GETTY IMAGES, ANP SPORT/GETTY IMAGES