(Kumtesë e mbajtur në takimin e organizuar nga Gazeta e Alpeve, me 1 gusht 2021, në Vuthaj-Plavë dhe Guci)
Shkruan: MSc. Adem Lushaj
Të nderuar të pranishëm!
Fillimisht, shprehë mirënjohjen time për organizatorin, Ramiz Lushaj, duke i thënë se më keni nderuar tejmase, me këtë mundësi që më dhatë, për të qenë njëri nga folësit e këtij tubimi, aq sa të rëndësishëm, aq edhe miqësorë.Jashtëzakonisht mirënjohës për mundësinë që më dhatë, që para këtyre pjesëmarrësve shumë të nderuar, që t”i themi disa fjalë për rëndësinë e ndërtimit të rrugës “Deçan-Plavë”!
Fjalën time do filloj me një thënie të ish Presidentit tëRepublikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova:
“Për një kafe në Tiranë”! Apo…!
“Për një kafe në Ulqin”,
“Për një kafe në Preshevë”,
“Për një kafe në Shkup”,
Për një kafe në të gjitha trojet shqiptare!
Kjo, përmes ndërtimit të rrugëve që bëjnë lidhjen e trojeve shqiptare.
E, njëra nga rrugët e rëndësisë së veçantë të zhvillimit dhe lidhjes së trojeve tona, krahas rrugës drejtë Tiranës, apo siç po e quajmë “rruga e kombit”, rrugës drejtë Shkupit, rrugës drejtë Preshevës, drejtë Rozhajes,… është rruga që lidh Deçanin me Plavën dhe Gucinë. Duhet rikujtuar se ideja për ndërtimin e kësaj arterie të zhvillimit dhe integrimit, ka qenë e kamotshme. Qysh në vitet e ’70-ta. Por, kjo gjë ishte penguar nga Serbia, me arsyetimin politik se “nuk duhet ndërtojmë rrugë, për t’u lidhur me Shqipërinë”.
Rëndësinë e ndërtimit të kësaj rruge do e bazoj në tri aspekte.
- Rëndësiaekonomike e ndërtimit të rrugës Deçan–Plavë
Për njohësit e ekonomisë, dihet mirëfilli se një nga faktorët e rëndësishëm të zhvillimit ekonomik është komunikacioni, siçështë në këtë rast, infrastruktura rrugore. Rruga që kalon nëpër grykën e Deçanit dhe vazhdon drejtë kufirit me Malin e Zi, me një gjatësi rreth 30 kilometrash, lidh shumë zona turistike të të dyja vendeve. Krijon parakushte për investime në shfrytëzimin e resurseve ekonomike-turistike të Kosovësdhe Mali të Zi. Krijon kushte të jashtëzakonshme për të investuar në Bjeshkën e Belegut, Zallin e Rupës, në Dervishkom, në Bjeshkët e Isniqit, të Prejlepit dhe Baballoqit, sikurse që krijon kushte për zhvillimin ndërkufitar, kur dihet se bashkësia ndërkombëtare ndan fonde të shumta për projektet e kësaj natyre.
Ndërtimi i kësaj rruge ka edhe leverdinë tjetër ekonomike, ngase do të shfrytëzohej nga bashkatdhetarët tanë, duke kursyer shpenzimet që bëjnë drejtë kufirit në Vërmicë.
- Rrugë e lidhjes kombëtare
Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, ka rëndësi kombëtare, ngase bën lidhjen trojeve shqiptare. Përmes kësaj rruge do lidhet Deçani, Peja, Gjakova, Juniku, …Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva….me Plavën dhe Gucinë, Malësinë e Krajës dhe të Tuzit, me Shkodrën dhe Ulqinin. Po ashtu, përmes Çeremit dhe Dragobilit, do lidhë Luginën e Valbonës në Bajram Curri, e më pastaj me rrugën e Adriatikut.
Deçan-Plavë, është rrugë që na mundëson t’i vizitojmë dhe tënjihemi me bukuritë natyrore dhe kulturore të Plavës dhe Gucisë. T’a vizitojmë “Limin”, “Liqenin e Plavës”, “Krojet e Ali Pashë Gucisë”, “Shpellën e Ukut”, “Mullinin e Vuthajve”, e shumë e shumë bukuri tjera të këtyre trojeve. Po ashtu, të njihemi me traditën, bujarinë, trimërinë, pleqninë dhe atdhedashurinë e kësaj treve, të vendlindjes së të madhit Ali Pashës, Esad Mekulit e shumë atdhetarëve të kombit tonë.
Përmes kësaj rruge do rikutjomë mësimet e marra nga mësimdhënësit për “Betejën e Nokshiqit”, “Betejën e Urës së Murinës”, “Betejën e Arzhanicës”, … T’i rikujtohjmë emrat e At Gjergj Fishtës, Haxhi Zekë Byberit, Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit, Alush Hotit, Hysen Bajrit, Lan Selimit, Çelë Shabanit, Kerë Sadrisë, Zhujë Selmanit, Galë Selmanës, Sakë Fazlisë. T’i rikujtojmë trimat e Rugovës, Rekës dhe Podgurit, deri te Haqif Blyta dhe Demë Ali Pozhari, që ishin vënë në mbrojtje të Sanxhakut.
Lirisht mund t’a quajmë, “rrugë e lidhjes kombëtare”!
- Rrugë e rëndësisë ndërkombëtare
Ndërtimi i rrugës Decan-Plavë, ka edhe rëndësi ndërkombëtare, sepse mundëson krijimin e raporteve ndërshtetërore, si parakusht për tu integruar në familjen e madhe evropiane. Ndër komponentët kryesor të Instrumentit të para anëtarësimit në BE, është bashkëpunimi ndërkufitar i shteteve, ngase mundëson zhvillimin e qëndrueshëm në të dyja anët e kufirit. Pra, promovon zhvillimin ekonomik dhe social, siguron kufijtë, si dhe në mënyrë efikase luftohet krimi i organizuar. Fondet e IPA-s, kryesisht janë të orientuar në projektet të cilat mundësojnë komunikimin rajonal, siç është edhe komunikimi mes shteteve fqinjë, Kosovë-Malit i Zi dhe Shqipëri.
Pra, pa asnjë dyshim rruga Deçan-Plavë, është bosht i zhvillimit dhe integrimit të viseve shqiptare dhe krijimit të raporteve ndër shtetërore, si parakusht i vendosur nga BE-ja. Ndaj nuk duhet të hezitohet e as të kursehet, por nëse është e nevojshme duhet ndarë edhe kafshatën e bukës për ndërtimin e saj.
Mirëpo, pengesa kryesore e ndërtimit të kësaj rruge është “Politika ndërkombëtare e ndikuar nga ajo e manastirit”. Politika ndërkombëtare duhet t’a mundëson ndërtimin e segmenti rrugor prej 5 kilometrash, e mos të ndikohet nga politika penguese e manastirit.
Pengesat që janë duke u bërë për shumë vite, qoftë në shfrytëzimin e resurseve hoteliere-turistike, apo edhe në investimet infrastrukturore në zonën turistike të Bjeshkëve të Deçanit, janë duke na kushtuar me humbje të mëdha. Pra, çelësin e zhvillimit të kësaj komune po e mbajnë “peng” klerikët e Manastirit, të cilët vazhdimisht kanë kundërshtuar ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë. Bashkësia ndërkombëtare dhe klerikët e manastirit, duhet ta kuptojnë se nuk ka zgjidhje tjetër, pos lejimit të investimeve në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, ngase do përfitojnë të gjithë.
Krahas kësaj pengese politike, si pengesë tjetër paraqitet mungesa e fondeve të pamjaftushme për realizimin e këtij projekti jastëzakonisht të rëndësishëm. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkësia ndërkombater, nuk duhet të hezitojnë për të financuar në realizimin e këtij projekti që është i interesit madhor, jo vetëm për Decanin dhe Plavën.
Si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, duhet të ndërtojnë infrastrukturën rrugore drejtë trojeve shqiptare, duke mundësuar lidhjen fizike të tyre. Ndërtimi i rrugëve që bëjnë lidhjen e kombit, duhet të jenë strategji gjithëkombëtare, jo vetëm e një shteti apo të dy komunave.
Këtë fjalë time do e përfundoj me një porosi të profesorit të ekonomisë, Dr. Musa Limani i cili shprehët: “Duhet ndarë edhe kafshatën e gojës, për t’a ndërtuar rrugën Deçan-Plavë”!
Zoti ju bekoftë!
Vuthaj, 1 gusht 2021