Komisioni Europian propozoi që të standardizohen të gjithë rikarikuesit në llojin USB-C dhe të shiten veçmas. “Kursime deri në 250 milionë në vit”. Apple: Do të angazhohemi të gjejmë një zgjidhje.
Komisioni Europian propozoi që të standardizohen të gjithë rikarikuesit në llojin USB-C, duke u dhënë fund standardeve të tanishme.
Me propozimin e sotëm – i cili synon të rishikojë Direktivën për Pajisjet Radio, e cila duhet kalojë për miratim në Parlamentin Europian – porta e rikarikimit dhe teknologjia e rikarikimit të shpejtë do të harmonizohen: USB-C do të bëhet porta standarde për
– Telefonat
– Tablet-ët
– Fotokamerat
– Kufjet
– Speaker
– Konsolët
Për momentin përjashtohen orët inteligjente (smartwatch) dhe pajisjet për fitness, për arsye teknike që lidhen me madhësinë e tyre. Propozimi njëson edhe shpejtësinë e rikarikimit. Komisioni propozon që rikarikuesit të shiten veçmas pajisjeve elektronike.
Pse u bë ky propozim dhe kush e kundërshton?
Komisioni synon të lehtësojë jo vetëm konsumatorët (që me blerjen e një celulari të ri janë të detyruar të paguajnë edhe për një rikarikues të ri: mesatarisht, sipas KE, çdo qytetar i BE-së zotëron të paktën tre rikarikues, dhe përdor rregullisht dy), por edhe të zvogëlojë mbeturinat elektronike, sasia e të cilave rritet nga sistemi aktual që parashikon rikarikues të ndryshëm dhe jokompatibël për pajisje të ndryshme elektronike.
Pas vitesh punë me industrinë, kompanitë në mënyrë vullnetare e kanë reduktuar numrin e rikarikuesve për telefona celularë nga 30 në 3 në dekadën e fundit, por nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë.
Qëndrimi i Apple
Në veçanti, Apple u ka rezistuar ashpër përpjekjeve për standardizimin duke i cilësuar ato “të rrezikshme për inovacionin”.
“Jemi të shqetësuar se një rregullore e rreptë, që imponon vetëm një lloj rikarikuesi, do të mbysë inovacionin në vend që ta nxisë atë – kjo është deklarata e kompanisë me seli në Cupertino pas lajmit sot – që nga ana tjetër do të dëmtojë konsumatorët në Europë dhe në botë. Ne do të angazhohemi me palët e interesuara të gjejmë një zgjidhje që të mbrojë interesat e konsumatorëve, si dhe aftësinë e sektorit për të sjellë inovacion dhe teknologji emocionuese te përdoruesit.
Ne jemi të angazhuar për mbrojtjen e mjedisit. Presim me padurim të vijojmë angazhimin me palët e interesuara për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhje që të mbrojë interesat e konsumatorëve, si dhe aftësinë e sektorit për të sjellë inovacion dhe teknologji të reja emocionuese”.
“Ne mbështesim angazhimin e Komisionit Europian për mbrojtjen e mjedisit – shton kompania Apple dhe jemi që tani ‘carbon neutral’ për gjithë emetimet e korporatës në mbarë botën dhe brenda vitit 2030 çdo pajisje Apple dhe përdorimi i saj do të jetë kështu.
Disa prej projekteve më inovative – shkojnë drejt krijimit të produkteve me materiale të riciklueshme dhe të rinovueshme”. Apple thotë në fund se “është sinonim i inovacionit dhe shqetësohet thellësisht për përvojën e klientit. Disa prej mendimeve më inovative të Apple shkojnë drejt krijimit të produkteve me materiale të riciklueshme dhe të rinovueshme”
“I kemi dhënë industrisë gjithë kohën për të gjetur zgjidhjet e saj, tani kohët janë pjekur për një veprim legjislativ për një rikarikues të përbashkët” – shpjegoi zv.presidentja e Komisionit të BE, Margrethe Vestager, duke theksuar se bëhet fjalë për një “fitore të rëndësishme” për europianët dhe mjedisin.
Për komisionerin e BE për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, propozimi “është një hap i rëndësishëm për të rritur prakticitetin dhe për të reduktuar mbeturinat”
Sipas vlerësimeve të Komisionit, “reduktimi i prodhimit dhe asgjësimit të rikarikuesve të rinj do të zvogëlojë sasinë e mbetjeve elektronike me thuajse 1 mijë tonë në vit dhe do t’i ndihmojë konsumatorët të kursejnë 250 milionë euro në vit për blerjen e rikarikuesve jo të nevojshëm”.
Kur do të hyjë në fuqi ky rregull
Për momentin, ky është një propozim dhe nuk është e mundur të parashikohet se sa kohë do të duhet të hyjë në fuqi. Direktiva duhet të shqyrtohet nga Parlamenti Europian dhe nga Qeveritë kombëtare. Parlamenti Europian dhe Shtetet Anëtare duhet të propozojnë amendamente dhe pasi ato të marrin dritën e gjelbër, direktiva do të hyjë në fuqi. Komisioni shpreson që kjo të ndodhë në vitin 2022.
/ Corriere della Sera