Ballina Bota Presidenti Biden po zbut kufizimet për udhëtarët ndërkombëtarë

Presidenti Biden po zbut kufizimet për udhëtarët ndërkombëtarë

 

Marrë nga Associated Press

Duke filluar nga muaji nëntor, Presidenti Joe Biden do të lehtësojë kufizimet për udhëtarët e huaj që futen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa administrata e tij do të kërkojë që të gjithë vizitorët e huaj të jenë të vaksinuar plotësisht.

Jeff Zient

Të gjithë vizitorët e huaj që duan të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara duhet të tregojnë çertifikatën e vaksinimit, si dhe provën e një testi negativ, të bërë tre ditë para se të lejohen të hypin në avion, tha të hënën Jeff Zients, kordinator i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.

Presidenti Biden pritet të shtrëngojë rregullat e testimeve për shtetasit amerikanë të pavaksinuar, të cilët duhet të testohen një ditë para hyrjes në Shtetet e Bashkuara, si dhe pasi të arrijnë në vend. Zoti Seints tha se pasagjerëve të vaksinuar plotësisht nuk do t’u kërkohet që të karantinohen.

Rregullat e reja do të zëvendësojnë disa kufizime udhëtimesh ndërkombëtare të vëna një vit më parë nga Presidenti Trump dhe të përforcuara më tej në fillim të këtij viti nga Presidenti Biden, duke vënë kufizime për jo-shtetasit që kanë vizituar Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, Kinën, Indinë, Iranin, Republikën e Irlandës, Brazilin dhe Afrikën e Jugut gjatë 14 ditëve të fundit.

“Rregullat e reja bazohen tek individi, në vend të qasjes ndaj shteteve, ndaj është një sistem më i fuqishëm”, tha zoti Zients.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve gjithashtu do të kërkojnë që kompanitë ajrore të mbledhin nga udhëtarët të dhëna kontakti për të lehtësuar gjurmimin në raste infektimesh, tha zoti Zients.

Për momentin nuk është e qartë se cilat vaksina do të ishin të pranueshme në bazë të politikës së re amerikane dhe nëse vaksinat që nuk kanë marrë aprovimin amerikan do të ishin të pranueshme. Zoti Zients tha se ky vendim i përket Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Rregullat e reja do të futen në fuqi në fillim të nëntorit, në mënyrë që t’u japin kohë firmave ajrore dhe partnerëve të kësaj industrie që të përgatiten për zbatimin e protokolleve të reja.