Ballina Bota Sllovenët duhet të vaksinohen ose largohen nga puna

Sllovenët duhet të vaksinohen ose largohen nga puna

 

Qeveria sllovene njoftoi se punëtorët e sektorit publik duhet të vaksinohen ose të kenë kaluar sëmundjen COVID-19 në mënyrë që të vazhdojnë punën.

Masa është vendosur në përpjekje për të rritur shkallën e vaksinimit.

Vendimi do të zbatohet nga data 1 tetor dhe do të prekë rreth 31 mijë njerëz, përfshirë nëpunësit civilë, policët dhe ushtarët.

“Ata mund të humbasin punën nëse refuzojnë të vaksinohen dhe detyra e tyre nuk i lejon ata të punojnë nga shtëpia”, tha Qeveria në njoftim.

Ministri i Administratës Publike, Bosjtan Koritnik, në një konferencë për media në Lubjanë shfaqi shpresën se vendimi “ do të ndikojë në ndërgjegjësimin e punonjësve të sektorit publik dhe se nuk do të ketë largime nga puna”.

Sllovenia ka vaksinuar vetëm 45 për qind të dy milionë banorëve të saj.

Ky është njëri nga nivelet më të ulëta në Bashkimin Evropian.

Rritje e numrit të rasteve me koronavirus ka bërë që zyrtarët të vendosin masa të reja duke përfshirë hyrjen me certifikatë të vaksinimit ose atë që personi është shëruar nga sëmundja në vendet e punës dhe në dyqane.

Një protestë u organizua të mërkurën për të kundërshtuar masat e reja të Qeverisë mirëpo policia sllovene përdori gazlotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Autoritetet shëndetësore thonë se masat e fundit kanë kontribuar në një rritje të numrit të personave të vaksinuar.

Një numër në rritje i vendeve kanë ndërmarrë hapa për të rritur normat e tyre të vaksinimit, përfshirë Francën dhe Italinë.