Cili ishull votohet si ishulli më i mirë në botë për vitin 2021?

 

Ishulli grek Milos u votua si ishulli më i mirë në botë për vitin 2021, sipas një sondazhi nga revista Travel+Leisure. Ishulli Folegandros i ndodhur gjithashtu në Detin Egje, u votua ishulli i dytë më i mirë në botë.

Sondazhi World’s Best Awards qëndroi i hapur për votim nga 11 janari deri më 10 maj 2021, pasi destinacionet në të gjithë botën filluan të hiqnin kufizimet ndaj COVID-19. Rregullat e sondazhit parashikojnë që udhëtarët të reflektojnë mbi përvojat e tyre të udhëtimit, gjatë një periudhe trevjeçare.

Ishujt më të mirë në botë, sipas lexuesve të T+L, janë destinacionet piktoreske për të cilat udhëtarët fantazojnë gjatë mbrëmjeve të dimrit: me peizazhe ëndërrimtare, mot të ngrohtë me diell dhe ujëra të kaltra. Gjithashtu preferencat dallojnë edhe nga interesat e veçanta të udhëtarëve për kulturën dhe historinë e vendeve.

 

 

Milos, thesari verbues cikladik

I vendosur në mes të ishujve Cikladikë, Mílos u votua i pari nga vendi i tretë që ishte vitin e kaluar, falë vendasve miqësorë që mirëpresin vizitorët për të eksploruar fshatrat piktoreskë (Trypiti është i famshëm për mullinjtë e erës, fshati Plaka për perëndimet e diellit), tavernat e jashtëzakonshme dhe plazhet e bukura që ndryshojnë në ngjyrë, në varësi të faktit nëse janë me gurë apo me rërë.

Për shkak të origjinës së tij vullkanike, Milos zotëron një peizazh tërheqës shumëngjyrësh me plazhe të buta ranore, shpella deti nënujore dhe shkëmbinj të kuqërremtë, dhe ka më shumë se 75 plazhe ekzotikë. Statuja e Venusit të Milos u gjet në ishull, por aktualisht ekspozohet në Muzeun e Luvrit në Paris.

Ishulli është gjithashtu vendi i katakombeve të cilat tregojnë historinë tragjike të të krishterëve të hershëm në Greqi.

Sipas arkeologëve dhe historianëve, katakombet mahnitëse të Milos kanë shërbyer si varreza për 7,000-8,000 të krishterë, duke e bërë këtë vend monumentin e tretë më të shenjtë të hershëm të krishterë, pas Tokës së Shenjtë dhe katakombeve të Romës. / Greek Reporter