Rritja e ndjeshme e rasteve të reja me Covid-19 prej javësh, shoqëruar edhe me humbje jete ka bërë që Shqipëria të renditet sërish mes vendeve me rrezik të lartë infeksioni.
Ambasada gjermane në Tiranë njofton se nga 5 shtatori, Shqipëria konsiderohet sërish si një vend me rrezik të lartë nga Covid-19.
Në këto kushte, ambasada ka publikuar një udhëzim për udhëtarët për në Gjermani, ndërsa theksohet se pas mbërritjes do duhet karantinimi për dhjetë ditë.
“Nga dita e dielë, 5 shtator 2021, Shqipëria konsiderohet sërish si një vend me rrezik të lartë nga Covid19. Për hyrjen në Gjermani kjo do të thotë:
Ju duhet të regjistroheni në faqen e internetit www.einreiseanmeldung.de para se të udhëtoni për në Gjermani.
Gjatë regjistrimit Ju duhet të ngarkoni një dëshmi shërimi nga një infeksion me Covid19 ose që jeni plotësisht të vaksinuar.
Nëse nuk mund të paraqisni asnjërën nga këto dy dëshmi, do t’ju duhet një test i Covid19 për të hyrë në Gjermani. Megjithatë pas mbërritjes do ju duhet të karantinoheni për dhjetë ditë. Pas pesë ditësh, ju mund të testoheni përsëri dhe, nëse rezultati i testit është negativ, mund t’i jepni fund karantinës”, thuhet në njoftimin e ambasadës.