Shkruan: Florim Zeqa

Secili njeri i gëzohet ndërtimit të një objekti të ri, qoftë ajo shtëpi familjare apo kolektive e banimit, shtëpi shëndeti apo objekt tjetër me interes të përbashkët qytetarë, e aq më tepër ndërtimit të një shkolle të re. Por, secili lloj ndërtimi duhet të bëhet në përputhje me nevojat e qytetarëve, në veçanti shkollat duhet ndërtohen në përputhje me numrin e nxënësve që frekuentojnë mësimet në lokalitetin përkatës.

Cilat janë kapacitetet e shkollës “Azem Bejta” në Grabanicë

Objekti i shkollës fillore “Azem Bejta” në Grabanicë i ndërtuar në vitet e 70-ta, ishte ndër objektet më të përsosura në Kosovë, investim ky i bërë me këmbëngulësinë e faktorit politik dhe arsimor shqiptar të asaj kohe në nivelin komunal dhe atij të lartë të kohës.

Ky ishte gëzim i madh dhe i papërshkruar më fjalë për rreth 1000 nxënësit e gjashtë fshatrave përreth dhe prindërve të tyre.

Punëtorët arsimor (atëherë) ishin më krenarët dhe më të privilegjuarit, se punonin në objektin modern, me të gjitha kushtet dhe paisjet e nevojshme për punë edukativo-arsimore.

Shkolla në brendin e saj i kishte 11 dhoma (klasa) mësimi, kabinetet: të Histori-Gjeografisë, të Fizikës, të Kimisë, të Matematikës, të Mbrojtjes, të Edukatës fizike, madje edhe të Artit figurativ.

Shkolla e kishte Bibliotekën e pasur me libra dhe literaturë profesionale,

e kishte edhe Sallën solemne me dy dhoma tjera përcjellse, kishte Toalete në të dy katet, për nxënës dhe punëtorë.

Objekti kishte ujësjellës të instaluar.

Po ashtu kishte edhe hapësira tjera të cilat shfrytëzoheshin: Salla e arsimtarëve, Zyra për drejtor, Zyra për sekretar dhe Lokali për punëtorë ndihmës (domarë).

Poashtu, ishte edhe punëtoria e mjeshtrit (mirëmbajtësit) të shkollës, bashkë me veglat e punës, lokal ky që shpesh përdorej e shfrytëzoheh edhe për lëndën e BAT-it .

Koridorët e kësaj shkolle i plotësonin kushtet e një Amfiteatri të vërtet për shfaqje të ndryshme.

Objekti kishte hymje te veçanta për nxënës dhe personel arsimor.

Mirëmbajtja permanente i ka zgjatur jetën objektit shkollor

Sikurse çdo ndërtesë, objekt i vogël apo i madh, edhe shkolla me kalimin e viteve ishte amortizuar dhe ka pasur nevojë për mirëmbajtje dhe riparime periodike. Ato kanë ndodhur në vazhdimësi, e madje edhe gjatë viteve të ’90-ta, të periudhës së sistemit paralel, ku me ndihma nga prindërit e nxënësve dhe jo vetëm ishte investuar në mirëmbajtje dhe sigurimin e lëndëve djegëse gjatë stinës së dimrit.

Pas përfundimit të luftës, me ndihmat e banorëve të fshatrave përreth ishte riparuar komplet çatia e shkolles dhe disa anekseve përcjellëse.

Mirëpo, investimi më serioz kishte ndodhur dy viteve të fundit, kur u bë një renovim i përgjithshëm, me ç’rast u ndërruan të gjitha dyert dhe dritaret e shkollës, rregullimi i tualeteve dhe inventari tjetër përcjellës i shkollës, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ngrohjes qendrore.

I tërë ky projekt renovues në shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë u financua nga Komuna e Klinës.

Në vitin 2019 nga buxheti i Komunës së Klinës në shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë për renovime u investuan 6484,81euro, kurse për ngrohje qendrore 18.333,66euro, apo gjithsejt 24.818,47 euro. Ndërsa për renovime tjera në këtë shkollë, në vitin 2020 Komuna e Klinës ka investuar edhe 13.883,88 euro të tjera, me të cilat totali i investimeve për dy vite arrinë shumën prej 38.702.35 eurove!

Investime këto që ndikuan në përmirësimin e infrastrukturës shkollore e cila nxënësve iu krijojë kushte shumë më të përshtatshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Pas këtij investimi vlerëmadh dhe të konsiderueshëm financiar nga Kuvendi Komunal i Klinës, vitin e kaluar kjo shkollë e përfitoj edhe një donacion prej shoqatës “Entr-Aides”, nga Zvicëra: banka, karrike, kompjuter, një piano, paisje sportive, disa tabela të zeza, dhe mjete tjera mësimore.

Vlenë për të theksuar se, nga shoqata humanitare “Entr-Aides” pritej ardhja e kontigjentit të dytë të ndihmave për shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë, por më gjasë fillimi i ndërtimit të objektit të ri shkollor, është bërë pengesë e finalizimit të këtij projekti humanitar.

Kur jemi tek donacionet, duhet përmendur edhe ndërtimin e fushës moderne të sportit nga KFOR-i italian.

Do t’u hyja në hak lexuesve pa e përmendur bibliotekën moderne (ndër më të mirat në vend) dhe klasën e bukur për parafillorët që ndodhen në brendi të objektit shkollor, të cilat e plotësojnë mozaikun e një shkolle model në Republikën e Kosovës.

Ndërtimi i objektit të ri, paradoksal dhe i panevojshëm

Paraprakisht fillimit të ndërtimit të objektit të ri shkollor, ekspert të Kuvendit Komunal të Klinës dhe organizateve tjera që mirren me fushën e ndërtimit, e kanë konstatuar se thëmelet dhe baza skeletore e shkollës është shumë e fortë dhe e qëndrueshme të paktën edhe për 50 vitet e ardhshme dhe e rezistueshme qoftë edhe ndaj tërmeteve me të fuqishme!

Shtrohet pyetja, si ka mundësi që një objekt kaq i rezistueshëm të vendoset në radhën e objekteve për rrënim!?

Arsyeja e thjeshtë dhe mendimi logjikë e shtrojnë nevojën e rinovimit total të shkollës me një kosto dhjetë herë më të ulët sesa ndërtimi i objektit të ri prej 650 mijë eurove të planifikuara nga “arkitetktët” e këtij ndërtimi, mjete këto të ndara nga buxheti i shtetit të Kosovës!

Nuk dua të dyshoj në qëllimet e mira dhe përcaktimet atdhetare të ideatorëve të ndërtimit të shkollës së re, por nuk e kam të qartë se cilat janë motivet e vërteta të ndërtimit të një objekti të ri shkollor përballë një objekti që i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor me kapacitete të plota (për 1000 nxënës)!?

Vallë pse ideatorëve të ndërtimit të shkollës së re nuk ju ra ndërmend më herët, por vetëm pas investimit të 38.702.35 eurove në shkollën e “vjetër” dhe pse u dashka të ndërtohet një shkollë e re për më pak se 300 nxënës që potencialisht mund t’i ndjekin mësimet në këtë vit shkollor, e ndoshta shumë më pak së kaq kur shkolla e re të jetë gati për shfrytëzim!?

Kur janë në pyetje shpenzimet si kosto e përgjithshme, duhet të llogaritet edhe vlera reale e objektit aktual të shkollës (e paraparë të rrënohet pas përfundimit të objektit të ri), atëherë  kemi të bëjmë me shuma marramendëse!

Kur këtyre ju shtohet vlera e inventarit brenda shkollës, investimi në fusha sportive dhe donacione tjera pas rrënimit dhe rindërtimit, kostoja e objektit të ri do ta kalojë shumën milionëshe!

Vallë, cilat kritere (korruptive) i ka përfillur MASHT-i dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë për ndërtimin e panevojshëm të një objekti të ri shkollor, kur ai paraprak i plotëson të gjitha kushtet për zhvillim super normal të mësimit për ata pak nxënës që kanë mbetur në atë lokalitet!?

Historia e lavdishme e një shkolle në prag të rrënimit

Objekti i shkollës fillore “Azem Bejta” në Grabanicë e ka një histori në vete, sa të pasur e të lavdishme, po aq edhe krenare. Nga kjo shkollë kanë dalur kuadra që fillet e diturisë i muarën po nga kjo shkollë, me të cilët sot mburret kombi me ta, emra të mëdhenjë që i bëjnë nderë Klinës dhe mbarë Kosovës, figura madhore të pendës dhe të pushkës, të letërisë dhe politikës.

Rezistenca e shkollës fillore “Azem Bejta” në Grabanicë kundrejt pushtuesit serb ishte shëmbull në mbarë Kosovën, për këtë flet shumë edhe pllakata në hyrje të shkollës me emrin “Azem Bejta”, e cila u mbijetoi të gjitha sulmeve dhe përpjekjeve antishqiptare për ndërrimin e emrit të kësaj shkolle.

Për mbrojtjen e emrit të shkollës, më meritorët janë personeli arsimor dhe banorët e fshatrave përreth; Grabanicë, Bokshiq, Dollovë, Qeskovë, Këpuz dhe Zajm, të cilët më trupat e tyre u vunë në mbrojtje të emrit të shkollës që nga fundi i viteve të 80-ta, ku pushteti komunal serb me disa shqipfolës, ish zyrtarë të lartë komunal të asaj kohe, me të gjitha mjetet propaganduese e joshëse ishin munduar për t’i bindur banorët e Bashkësisë Lokale të Grabanicës që t’i pranojnë ofertat e tyre në këmbim të emrit të Azem Bejtës.

Bazuar në trendin e largimit të familjeve shqiptare nga ky lokalitet për në shtetet perëndimore, objekti i ri në ndërtim e sipër, më tepër së një shkolle, do t’i shkonte për shtati një Shtëpie të pleqëve, një Shtëpie Kulture, një Palestre Sportive apo një Qendre të Mjekësisë familjare për nevojat e pak banorëve të mbetur në Bashkësinë Lokale të Grabanicës, kësaj pjese të harruar nga pushtetarët komunalë.

Lamtumirë shkolla ime

Nëse pushtetarët kanë para për t’i hudhur, le t’i hudhin ku të duan, por assesi nuk guxojnë ta rrënojnë objektin e shkollës së vjetër me vlerë shumëdimensionale historike, arsimore dhe kulturore në Republikën e Kosovës.

Përderisa në të gjitha shtetet dhe vendet më të zhvilluara të botës së qytetëruar, tregohet kujdes në ruajtjen e objekteve të vjetra shkollore me tradita qindra e madje mijëra vjeçare, pse u dashka që të rrënohet objekti i qëndrushëm dhe funksional i shkollës fillore “Azem Bejta” në Grabanicë, shkollës me vlera historike, jo më i vjetër se 50 vjet!?

Duke u nisur nga fakti se forca rrënuese e politikanëve të pasluftës është shumëfish më e madhe sesa ajo ndërtuese, me lotë ndër sy, shpirt të thyer dhe zemër të plagosur në hyrje të shkollës ia plasa vajit dhe bërtita me sa zë që kisha: Mos e rrënoni shkollën me vlera historike.

P.S: Fotot e bashkangjitura e vërtetojnë çdo fjalë dhe çdo rresht të shkruar në këtë tekst.