Ballina Ravijëzime HASASN HASANI SHTIGJEVE KRIJUESE E SHKENCORE TË NJË DUSHKAJASI

HASASN HASANI SHTIGJEVE KRIJUESE E SHKENCORE TË NJË DUSHKAJASI

 

Në vend të hyrjes

Vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar vërtet sollën një rilindje për Kosovën. Në këtë gji të madh të Kosovës strukej edhe Dushkaja me 30 fshatrat e saj, e sidomos Jabllanica, një fshat i Dushkajës, që gjatë historisë kishte bërë emër dhe po bënte edhe në këto vite. Deri në këto vite nga ky fshat kishin dalë tre mësues: Rrustem Sadri Kosumaj, Rexhep Dinë Hajdaraj dhe Sylë Smajl Hajdaraj si dhe disa njerëz që merreshin me punë administrative shtetërore. Po, pikërisht në Jabllanicë, në mahallën e Përkolve, të lindur në fundvitet e dekadës së katërt të shekullit të kaluar, po rriteshin dy fëmijë të cilët me mundime të mëdha kryen shkollën fillore në pesë-gjashtë katunde të Dushkajës. Këta ishin Hasan Malë Hasani (1947) dhe Skënder Ramiz Hoxha (1949). Dhe arritën që në vitin shkollor 1963/1964 të regjistroheshin në shkolla të mesme në Gjakovë: Hasani në Normalen “Hysni Zajmi”  dhe Skënderi në gjimnazin “Hajdar Dushi”.

Mirëpo, e veçanta e këtyre dy të rinjve ishte se, përveç që po kryenin shkollat e mesme, këta dy të rinj po hedhnin hapat e parë edhe në publicistikë, e sidomos në krijimtari letrare, me ndonjë shkrim apo lajm të vogël, apo edhe me ndonjë poezi a skicë miniaturale. Dhe koha vërtet tregoi se këta dy djem ndër vite (pesëdhjetë vjet krijimtarie) bënë emër jo vetëm në publicistikë, por edhe në krijimtarinë letrare. Për dallim të këtyre dy fushave të krijimtarisë, Skënder R. Hoxha dha kontribut të  pamohueshëm edhe në sferën e shkencës së gjuhësisë, sidomos në atë të onomastikës. Kështu, kontributi i tij shtrihet në shumë fusha. Shkroi e shkruan poezi për të rritur e për fëmijë, kritika letrare, studime shkencore, monografi, shkrime publicistike etj. që e dëshmojnë mijëra faqe librash me rreth 30 vepra gjinish të ndryshme të botuara.

Për të gjitha këto që zumë ngojet më lart do të bëj fjalë në këtë shkrim rreth jetës dhe veprës së publicistit, shkrimtarit e shkencëtarit Skënder R. Hoxha.

 

Akademik Skënder R. Hoxha

Jeta dhe shkolla

Skënder R. Hoxha u lind në vitin 1949 në Jabllanicë (tash Shqiponjë) të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Në vitin 1964 kreu shkollën fillore në Zhabël të Dushkajës. Në shtator të këtij viti regjistrohet në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, të cilin e kryen në vitin 1968. Po këtë vit (shtator) regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, po ashtu në Gjakovë. Ndërsa në shtator të vitit 1969 filloi të punojë arsimtar në Shkollën fillore “Ferhat Binishi” në Zhabël. Në vitin 1972, pa shkëputje nga puna kryen Shkollën e Lartë Pedagogjike. Ndërsa në janar të vitit 1973 emërohet drejtor i parë i Shkollës fillore “Hazir Ramaj” në fshatin Kralan të Dushkajës. Në shtator të vitit 1978 Skënder R. Hoxha vendoset në Pejë, ku jeton edhe sot. Në fillim punoi arsimtar i gjuhës shqipe në Shkollën fillore të fshatit Ozdrim. Gjatë kësaj kohe Skënder R. Hoxha regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe dhe pa shkëputje nga puna arrin ta kryejë në fillim të vitit 1985. Në vitin 1995 në Pejë themelon Shtëpinë Botuese “Art poetika” ku është drejtor dhe redaktor i botimeve. Përveç punës si arsimtar e profesor i gjuhës shqipe, nga Ozdrimi Skënder R. Hoxha kalon në Pejë, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme Teknike “Shaban Spahija”, ku punoi derisa u pensionua. Ndërsa në vitin akademik 2011/2012 regjistrohet student i rregullt në studimet pasdiplomike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, dega Gjuhë e Letërsi, të cilin e kryen me sukses të shkëlqyeshëm, me ç’rast me 13 qershor të vitit 2013 mbron punimin e magjistraturës me titull: “Gjuha poetike e prozave të dramatizuara të Azem Shkrelit” dhe fiton gradën Magjistër i letërsisë shqipe.

Në Pejë, përveç shkrimeve nga fusha të ndryshme të krijimtarisë që zumë ngojet më lart, Skënder R. Hoxha në shkollat ku punoi ka themeluar grupet letrare, grupet dramatike dhe ka organizuar aktivitet e tyre. Po ashtu me 26 prill të vitit 2014, me një grup krijuesish nga Dushkaja, në Cërmjan, themeloi Shoqatën e Krijuesve Letrarë të Dushkajës “Penat e Dushkajës”, të cilën e udhëheq si kryetar që nga themelimi e deri më sot.

Skënder R. Hoxha jeton në Pejë dhe në vendlindjen e tij në Jabllanicë (Shqiponjë) të Dushkajës.

Veprimtaria publicistike

Skënder R. Hoxha aktivitetin e vet priblicistik e filloi gjatë fundviteve gjashtëdhjetë e sidomos në fillimvitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Krijimet e para publicistike, apo letrare, i botoi nëpër revistat që botoheshin në Prishtinë, e sidomos në gazetën e përditshme “Rilindja”, që ishte e vetmja sofër ku krijuesit në Kosovë botonin shkrimet e tyre. Përveç këtyre, qysh në vitin 1975 Skënder R. Hoxha nisi mbledhjen dhe vjeljen e lëndës  onomastike, pra toponimeve në krahinën e Dushkajës. Duhet theksuar se pikërisht angazhimi i tij në këtë sferë të krijimtarisë së gjerë e të pafund shkencore, bëri që në lëmin e publicistikës të vërehet një ngadalësim. Shkaku ishte pikërisht angazhimi në sferën e krijimtarisë shkencore, me ç’rast gama e botimeve të tij, tashmë nuk ishin gazetat e revistat ku botonte lajme, reportazhe apo intervista, po ishin revistat shkencore. Kështu, portreti krijues i Skënder R. Hoxhës, si shkrimtar, publicist dhe studiues po rritej dita më ditë. Këtë aktivitet shkrimtari, poeti, publicisti dhe studiuesi Skënder R. Hoxha e vazhdon edhe sot, kurrë pa u lodhur, me përkushtim dhe dashuri të pakufijshme, me ç’rast e dëshmojnë librat e shumtë nga të gjitha sferat e krijimtarisë me të cilat u mor që gjysëm shekulli. Nga shkrimet e shumta publicistike, Skënder R. Hoxha botoi librin “Poet i trazuar” (2007) që është një bisedë-intervistë e gjatë (168 faqe libri), shkrim serioz i zhvilluar me bashkëbiseduesin e vet, poetin e tregimtarin, romacierin e kritikun, publicistin e leksikologun nga Dushkaja (edhe Jabllanica), Hasan Hasanin, me rastin e 60-vjetorit të tij të lindjes dhe 40-vjetorit nga botimi i librit të parë të tij. Është kjo një bisedë që Skënder R. Hoxha me shkathtësi dhe njohuri të thella nga veprimtaria e bashkëbiseduesit, arriti që të zbardhë shumë dilema e paqartësi që e përcollën Hasan Hasanin gjatë krijimtarisë së tij e që nuk i kishte thënë asnjëherë më parë. Këtu qëndron aftësia e publicistit dhe kritikut Skënder R. Hoxha që opinionin e gjërë ta njoftojë, qoftë me rrugën e gjatë krijuese të shkrimtarit Hasani, qoftë edhe me vështirësitë me të cilat krijusit ballafaqohen gjithmonë në rrugën e tyre të mundimshme krijuese.

Poezia për të rritur dhe për fëmijë

Skënder R. Hoxha poezinë e ka të dashurën e zemrës. Hapat e parë i bëri pikërisht në këtë lëmë të krijimtarisë dhe daton që nga vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ishte gjimnazist.Veprat poetike si vëllime të veçanta vijnë më vonë, por që aty gjejmë poezitë nga të parat kur edhe nisi të shkruajë. Dhe, njëra pas tjetrës, arriti të botojë dhjetë vëllime poetike (nëntë për të rritur dhe një për fëmijë). Kjo nuk është pak kur dihen angazhimet e tij nëpër fusha të tjera të krijimtarisë. Po, sido që të jetë, poezia për Skënder R. Hoxhën është ajo ku shpirti i gjen prehje, ajo tek e cila i pushon zemra, i qetësohet frymëmarrja. Ndjenja e poetit, frymëzimet, janë ato që burimin e kanë pikërisht te Dushkaja, tek njerëzit e saj, rropatjet e tyre për një jetë më të mirë. Në këto poezi frymojnë njerëzit e Dushkajës, të përzier me ndjenjën intime të poetit, ku përmes figurave, e sidomos metaforës, shpalos dhembjet, gëzimet, hidhërimet, shqetësimet që ruan shpirti në thellësitë e tij. Këtu gjejmë fuqinë e fjalës që ngritet mbi të gjitha dhe bën poezinë mbretëreshë të fjalës së shkruar. Këtë e dëshmojnë veprat poetike të poetit Skënder R. Hoxha: “Pëllumbi në fluturim” (1990), “Kalorësit e mortit” (1993), “Bilibili i Dushkajës” (1995), “Dy akte të dramës së pakryer” (1997), “Vjersha dhe poema” (2004), “Poemë e dhimbjes krenare” (2007), “Në mes meje e dhimbjes” (2010), “Këndimi i muzave” (2011), “Udhëkryqet e Fatamorganës” (2012) dhe “Lirikë për këngë harrimi” (2015). Prandaj poezia është ajo që i prin librit të Dinë Halilajt “Dimensionet universale të një shkrimtari, studiuesi e publicisti dushkajas” për Skënder R. Hoxhën, ku autori do të ndalet veç e veç për secilën, duke filluar nga kjo (poezia) e për ta përfunduar me librat nga toponimia, etnokultura etj.

Kritika letrare

Kontributi i Skënder R. Hoxhës në fushën e kritikës letrare është solid. Kur them kështu kam parasysh shumë shkrime të tij, si reçensione, vështrime, kritika, ese për libra të ndryshëm që nga fillimet e krijimtarisë së tij, të cilat i publikoi nëpër gazeta e revista në Prishtinë e më gjerë. Vlerësimet që ka dhënë ky autor për shkrimtarë të ndryshëm i gjejmë të përmbledhura në librin e tij “Thanë për veprat e mia – thashë për veprat e tyre” (2011). Mirëpo, nuk është e tëra kjo që tashë, sepse Skënder R. Hoxha kontributin më të madh gjatë tërë jetës e dha në fushën e kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore.

Ajo që Skënder R. Hoxhën në fushën e kritikës letrare e bën emër të përveçëm është studimi i veprës së dy shkrimtarëve të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe, atë të Azem Shkrelit dhe Hasan Hasanit. Kur jemi të Hasan Hasani duhet të pohojmë me plot gojën se ky kritik (S.R.Hoxha) më shumë se askush tjetër, e njeh krijimtarinë e gjerë letrare e publicistike të këtij autori. Këtu vlen të përmendet studimi (libri) me titull: “Rrugëtimi për në Panteon” (2009), ku Skënder R. Hoxha i qaset me përkushtim të jashtëzakonshëm krijimtarisë letrare të Hasan Hasanit hap pas hapi, duke filluar nga poezia, tregimi, romani, kritika letrare, shkrimet publicistike, ato leksikologjike e deri të monografitë. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe librat e përgatitur me shkrimet e autorëve të ndryshëm nga kritikë të ndryshëm  për veprën e Hasan Hasanit të pranishëm për gjysmë shekulli (1967/2017), si: “Hasan Hasani në sytë e kritikës” (2008) botuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit nga botimi i librit të parë dhe “Muza e Dushkajës” (2017) botuar me rastin e 70-vjetorit të lindjes dhe 50-vjetorit nga botimi i librit të parë, shihet përkushtimi i madh i tij prej kronisti të pashembëllt në grumbullimin për dhe rreth veprës së dushkajasit Hasan Hasani si dhe paraqitjes së kompletuar të të gjitha shkrimeve kritike dhe vlerësimeve për të, të botuara gjatë pesëdhjetë vjetësh.

Dhe shkrimtari tjetër që Skënder R. Hoxha u mor në mënyrë komplete për të është Azem Shkreli. Vepra “Prozat e dramatizuara të Azem Shkrelit – Shtresime gjuhësore, letrare e stilistike” (2016) hedh dritë mbi veprën letrare të Azem Shkrelit në përgjithësi, e sidomos për prozën e dramatizuar të tij në veçanti, me ç’rast, pikërisht në këtë aspekt vrojtimi të kësaj vepre, u laurua me titullin magjistër i shkencave filologjike nga Universiteti i Tetovës. Pra, studimi i veprës së Hasan Hasanit dhe të Azem Shkrelit e radhit Skënder R. Hoxhën ndër autorët e kritikës letrare shqipe që tha, (pse jo), fjalën e fundit për këta dy shkrimtarë ku vërehet qartë se i ka për zemër më shumë se të tjerët. Këtë përfundim e nxjerr pikërisht nga studimi që Skënder R. Hoxha u ka bërë veprës së tyre në përgjithësi.

Krijimtaria shkencore

E thamë edhe më herët se krijimtaria shkencore e Skënder R. Hoxhës, zë fill që në vitin 1975 kur iu rrek terrenit të krahinës së Dushkajës dhe 30 katundeve të saj, duke vjelë material të vlefshëm nga onomastika, urtia popullore, etnokultura, etj., punë të cilës edhe sot e kësaj dite nuk i ndahet dhe jetën e kalon në terren duke vjelur hap pas hapi, derë më derë e shtëpi më shtëpi, mahallë për mahallë e katund për katund. Për historikun e kësaj lëmie, këtu do të japim punimet e para të botuara nëpër gazeta dhe revista, e sidomos ato në revistat shkencore me peshë. Qysh nga viti 1986 Skënder R. Hoxha botoi studimin “Toponimia e fshatrave Radoniq e Rakoc”“Gjurmime albanologjike”. Pastaj vjen studimi “Çështje të toponimisë së katundeve Radoniq e Rakoc të Dushkajës” (kumtesë) që u botua në librin “Çështje të studimeve albanologjike (I)” që përmbledh punimet dhe materialet nga Simpoziumi shkencor i mbajtur në Prishtinë më 20 e 21 dhjetor 1985 në Prishtinë. Njëra pas tjetrës vijnë edhe punimet e tjera që vërtetojnë seriozitetin e studiuesit Skënder R. Hoxha edhe në këtë fushë të krijimtarisë, si: “Vëzhgime mbi toponiminë e Dushkajës” botuar në dy vazhdime në gazetën “Rilindja” të datës 4 dhe 11 nëntor 1989; “Rreth herrjes dhe riemërtimit të disa toponimeve të krahinës së Dushkajës”“Rilindja” të 29 janarit 2000; “Disa të dhëna të toponimisë së Dushkajës” në Tryezën shkencore të mbajtur më 4 maj 2001 në Gjakovë, me temë bosht “Toponimia e Gjakovës me rrethinë”; “Hidronimia e Dushkajës” botuar në gazetën “Nacional” me 12 prill 2008, në Tiranë; “Gjurmë të administratës turke në toponiminë e Dushkajës” botuar në gazetën “Epoka e re” me 18 janar 2008 në Prishtinë; “Toponimet në poezi – si truall frymëzimesh” (Këndvështrim letraro-gjuhësor) botuar në gazetën “Zëri” të datës 2 prill 2008 etj., që rrumbullakojnë të arriturat shkencore nga kjo lëmi që Skënder R. Hoxha po i qaset me përkushtim. Tek, pas shumë punimeve të tilla vijnë edhe botimet e plota shkencore sipas gjinisë, kështu që këto punime të lartpërmendura i gjejmë në libra të ndryshëm, si: “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës I” (1992), “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës II” (2000); “Toponimia e Dushkajës” (2007); “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës” (2010) që shtrihen në 886 faqe libri. Këto vepra tash janë edhe literaturë që shfrytëzohet nga studentë e studiues të shkencave të filologjisë dhe të tjerë.

Toponimia e Dushkajës

Nisur nga viti 1975 kur Skënder R. Hoxha iu qas terrenit për vjeljen e thesarit tonë gjuhësor, pra onomastikës dhe pjesëve përbërëse të saj, siç janë toponimet, fitonimet, zoonimet, hidronimet etj., iu deshën 32 vjet punë e pandërprerë që opnionit t’ia dhurojë Toponiminë e Dushkajës, të vjelur me kujdes në 30 katundet, sa e përbëjnë këtë regjion etnogjeografik. Të vjelish gjithë toponimet në një terren kaq të madh, padyshim është një punë Sizifi. Në 562 faqet e këtij libri gjëjmë mijëra toponime të regjistruara, të dokumentuara, të dëshmuara me të dhëna, qoftë nga literatura, qoftë edhe nga vetë goja e popullit që këto shpjegime i ruajti brez pas brezi si relikte të shenjta. Ky thesar i çmuar të cilin na afroi në libër Skënder R. Hoxha me titull “Toponimia e Dushkajës” (2007) është i rëndësisë së veçantë, madje një punë të tillë nuk e ka bërë askush tjetër në regjionet e caktuara gjeografike, si: Reka, Reka e Keqe, Hasi, Drinia, Llapusha, Podguri, Drenica, Karadaku, Anamorava, Llapi, Gallaku, Shala etj. Ka përpjekje nga studiues të ndryshëm që pjesërisht (ndonjë katund apo më shumë) ta vjelin dhe ta botojnë këtë material, por kështu të kompletuar për një regjion, askush s’e bëri deri me sot, siç e bëri Skënder R. Hoxha me Dushkajën. Për vështirësitë që ka hasur autori për më shumë se tri dekada, nuk do të flasim këtu. Ato janë evidente, por të gjitha harrohen kur sheh përpara frytin tënd të punës, siç është libri për toponiminë e Dushkajës. Se, është e vërtetë, se të shkelish me këmbë 30 katunde, qindra e mijëra familje, qindra e qindra pleq, që të vjelish këto materiale, padyshim se është një punë shumë e mundimshme. Andaj, duhen vite e dekada, ashtu siç iu deshën studiuesit Skënder R. Hoxha 32 vjet deri te finalizimi i librit. Vetëm kur e ke librin përpara, atëherë vjen edhe gjykimi për gjithë atë thesar toponimik që e shikon me sytë tuaj, që e prek me dorën tënde dhe e shfleton faqe për faqe librin. Një punë të tillë, një vepër të tillë nuk kanë mundur ta bëjnë as  institute shkencore, as akademi të ndryshme, që kryesisht merren me shkencën në përgjithësi. Por, këtë e bëri një individ, e ky është studiuesi Skënder R. Hoxha.

Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës

Skënder R. Hoxha duke kaluar vitet nëpër katundet e Dushkajës, krahas toponimeve, nuk e la t’i anashkalojë edhe kategoritë e tjera të onomastikës, siç janë fitonimet, zoonimet, hidronimet. Edhe këto tashmë mbushin fletore të shumta, të cilat, njëra pas tjetrës, duke pritur në rend, u erdhi koha që të shtrihen në letër, të përpunohen dhe të dalin para opinionit si vepra të plota, të kompletuara, të kurorëzuara dhe si të tilla, na servohen vlerat e hulumtimeve, vjelja e materialit në terren duke mos iu nënshtruar pluhurit të harresës që shpesh di edhe për t’i zhdukur pamëshirshëm. Pikërisht këtë (duke patur parasysh Skënder R. Hoxhën), autori arriti që edhe këto kategori onomastike t’i sistemojë në një libër të veçantë dhe t’ua dhurojë lexuesve në Kosovë. Pra, gjithë këtë material e gjejmë në librin “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës” (2010), ku studiuesi i pasionuar arriti t’i zbulojë, t’i dallojë, t’i shënojë, t’i përpunojë e madje edhe t’i dëshmojë të gjitha fitonimet dhe zoonimet. Pra, të gjitha këto Skënder R. Hoxha i paraqet gjerësisht, duke i dokumentuar me shënime e të dhëna gjithnjë të mbështetura në literaturë e në dëshmi nga terreni, po edhe nga goja e popullit. Nuk është e lehtë t’i gjesh e t’i dëshmosh, t’i dallosh e t’i regjistrosh  një numër kaq të madh të fitonimeve dhe zoonimeve në Dushkajën e 30 katundeve. Një gjë të tillë Skënder R. Hoxha e ka bërë edhe me  hidronimet që krahinën e Dushkajës e përshkojnë gati nga të gjitha drejtimet, e shpesh edhe e përkufizojnë si territor gjeografik. Me librin e Skënder R. Hoxhës “Fitonimia e zoonimia e Dushkajës”, secili lexues do t’i përvetësojë, do të krijojë njohuri të reja për to që nuk i ka ditur më parë. Falë këtij studiuesi, krahina e Dushkajës me të gjitha begatitë e saj gjuhësore e onomastike, po hyn mbrenda kopertinave të librave që do ta dëshmojnë lashtësinë nga antika e deri në ditët tona, e të cilat do ta vazhdojnë jetën e tyre nëpër mijëvjeçarët e ardhshëm.

Etnokulturolog me emër 

Gjysmëshekulli pune të pandërprerë e Skënder R. Hoxhës u kurorëzua me librat “Toponimia e Dushkajës”, “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës”, ku gjithë mundin dhe djersën e vet e vendosi brenda kopertinave të librave, atëherë kur nga këto sfera vjeli çdo toponim, fitonim, zoonim, hidronim të mundshëm, studiuesi nuk e la anash as vjeljen e materialeve nga etnokultura dhe historia, dy skaje të lidhura ngusht në mes vete. Këtë e dëshmon libri vëllimor prej 490 faqeve me titull “Dushkaja – Gjurmime etnokulture e historie” (2017). Janë këto gjurmime etnokulture e historie, që studiuesit e lexuesit në përgjithësi nuk i kanë njohur deri më sot ose i kanë njohur pjesërisht. Ky libër, siç dëshmon autori, paraqet besnikërisht gjurmët e etnokulturës në Dushkajë, duke e pasuruar thesarin etnokulturor në atë masë, sa t’ia kenë lakmi të gjitha regjionet etnografike, të cilave u mungon një libër i tillë. Libri “Dushkaja – gjurmime etnokulture e historie” është një cicëron pa të cilin askush nuk mund të pohojë se e njeh Dushkajën në përgjithësi me të gjitha të mirat materiale e shpirtërore që i ka. Këtu, për herë të parë jipet kultura shpirtërore e Dushkajës, mikro e makrotoponimet për të gjitha fushat e saj, për objektet e kultit (kisha, xhamia, teqe, tyrbe) të konfesioneve religjioze që gjenden në këtë trevë me shekuj, aktivitetet që janë zhvilluar në to, pa dallim religjioni atëherë e sot, Epika e Dushkajës, gjendja e sotme e eposit të kreshnikëve, anekdotat, këngët lirike të dashurisë, lahutarët, luftërat që janë zhvilluar në këtë trevë, krimet mbi shqiptarët, shkollimi dhe objektet shkollore, gjenealogjitë e familjeve të ndryshme, Dushkaja objekt frymëzimi në vargje dhe këngë, këngëtarë, rapsodë e poetë që kënduan e këndojnë për të, etj. Vetëm kur ta lexosh këtë libër (apo vetëm ta shfletosh) mund të thuhet me plot gojën se kemi fituar njohuri për të, pra e njohim më mirë Dushkajën. E gjithë kjo, falë sakrificës shpirtërore e fizike të shtatëdhjetëvjeçarit, studiuesit Skënder R. Hoxha.

Kontribut për historinë

Në varganin e veprave të Skënder R. Hoxhës ndodhet edhe një libër, një kontribut i veçantë për shkencat shoqërore, pra për historinë e Dushkajës, e kjo është “Kolonizimi dhe rikolonizimi i Dushkajës me sllavë” (2010) që aspak nuk i përket profesionit të autorit, por që ka plotësuar një vakuum në këtë pikëpamje. Skënder R. Hoxha kësaj radhe u mor me një temë sa delikate, aq edhe të rëndësishme. Sepse, solli para lexuesve dushkajas dhe jo vetëm dushkajas, dokumente të verifikuara për kolonizimin dhe rikolonizimin e Dushkajës (ashtu si tërë Kosovën) me sllavë, që është një plagë që gjithmonë dhemb në këta njëqind vjetët e fundit të shekullit që lamë pas. I tërë materiali i shtruar është i dokumentuar me literaturë, por edhe i mbështetur në burimet shkrimore nga informatorët në terren. Autori na afron “Dëfterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës” të vitit 1485, pastaj hartat e vjetra “Gastaldi, Casta dei Paesi Danubjani” të vitit 1517, “General Karte Von Zeneral Evropa” (Vjenë, 1900 dhe 1904) ku flitet për territorin e Kosovës, po edhe për vendbanimet e Dushkajës. Po ashtu autori zbulon edhe harta të tjera të huaja ku shënohen toponime nga ajo kohë për Dushkajën dhe vendbanimet e saj që korrospondojnë me të dhënat që autori i ka vjelë në terren. Mbështetur në të gjitha këto, si dhe në dokumentet e Qeverisë së Beogradit e cila përherë ka zbatuar dhe zbaton edhe sot përpjekjet e saj për ndryshimin e strukturës etnike të trojeve shqiptare. Kësaj të keqeje nuk i ka shpëtuar as Dushkaja ku zbarkojnë kolonë sllavë nga Serbia, Mali Zi dhe Bosnja ee Hercegovina që nga fillimi i shekullit të kaluar. Skënder R. Hoxha i mbështetur në të dhëna të sakta dhe të dokumentuara, për secilin katund në Dushkajë ku ishin vendosur kolonë, i jep me emër dhe mbiemër familjet serbe si dhe vendet prej nga kishin ardhur. Kolonizimet më të mëdha gjatë shekullit të kaluar u bënë në vitet 1931 e 1933, pastaj me 1946 deri më 1948, në Dushkajë bëhet rikolonizimi, meqë gjatë Luftës Dytë Botërore kolonët e ardhur më herët, ikën dhe shkuan në vendet e tyre prej nga kishin ardhur nga frika që kishin në tokën e huaj. Të gjitha këto autori i pasqyron nëpër katundet dhe komunat që i kolonizuan apo edhe rikolonizuan. Mirëpo, falë ndihmës dhe përkushtimit të studiuesit Skënder R. Hoxha, sot kemi në duar një libër shumë të vlefshëm, një libër-dokument, për gjithë atë që ka ndodhur në Dushkajë nën regjimin njëqindvjeçar serb. Në mos për asgjë tjetër, ky libër nuk e lë të zbehet nga kujtesa e dushkajasëve ajo që kolonët serbë iu kishin shkaktuar shqiptarëve autoktonë në Dushkajë.

I pasionuar pas monografive

Skënder R. Hoxha nuk di të ndalet së hulumtuari e shkruari për Dushkajën që e ka për zemër dhe të strukur diku thellë në shpirt. Një kontribut të rëndësishëm e ka dhënë për disa nga vendbanimet e saj (katundet) duke shkruar monografi për to, çka flet për dhuntinë e tij që nëpërmjet të monografive (historive gjithëpërfshirëse) të bëjë publike historinë, gjeografinë, onomastikën, toponimet, fitonimet, zoonimet, hidronimet, makro e mikrotoponimet që janë bazamenti më i qëndrueshëm, më besnik, i ecejakeve të këtyre vendbanimeve. Shkrimin e monografive Skënder R. Hoxha e nisi në vitin 2001 kur shkroi monografinë për shkollën ku punonte vetë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Ky është libri-monografia “Tridhjetë vjet pune të shkollës së mesme “Shaban Spahija” të Pejës”, (1972 – 2002)”, botuar në vitin 2002, për të vazhduar punën në shkrimin e monografive të katundeve të Dushkajës, siç janë: “Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës” (2004), “Radoniqi e Rakoci të Dushkajës” (2005) dhe “Beci i Dushkajës” (2013). Këto tri monografi paraqesin një sprovë të madhe që Skënder R. Hoxha publikoi para opinionit, ku me përpikëri flet për historikun e këtyre katundeve, ndodhitë që i kanë përcjellë gjatë përiudhave të ndryshme, organizimin familjar, gjenealogjitë e tyre, topinimet dhe makro e mikrotoponimet, edukimin e shkollimin, fiset e bajraqet; pra për gjithë atë që e mbajtën trungun e tyre të qëndrueshëm para stuhive nëpër të cilat kaluan. Kështu Skënder R. Hoxhës i takon merita e pamohueshme që i shkroi dhe i la si të vetmin testament të shkruar për këto vendbanime, siç janë katundet Jabllanica dhe Beci e posaçërisht Radoniqi e Rakoci të cilat sot gjeografikisht nuk ekzistojnë, meqë banorët është dashur të zhvendosen sepse vendndodhja e tyre është shndërruar në Liqenin artificial të quajtur Radoniqi. Sido që të jetë, këto monografi që i shkroi dhe i botoi Skënder R. Hoxha flasin për angazhimin dhe përkushtimin që të nxjerrë në dritë gjithçka për këto vendbanime (katunde) në mënyrë që brezat e ardhshëm të kenë para vetes një pasqyrë besnike, një histori të vogël të vendbanimeve të tyre ku kanë lindur e rritur. Në mos për asgjë tjetër, këto monografi janë mbështetje e historianëve të ardhshëm që pranë tyre nuk mund të kalojnë në heshtje pa i konsultuar, nëse një ditë do të merren me shkrimin e historisë së Dushkajës. Dhe krejt kjo meritë bie mbi të palodhshmin Skënder R. Hoxha.

S’ka moshë për angazhime

Duhet vlerësuar palodhshmërinë e Skënder R. Hoxhës dhe angazhimet e tij nëpër vite. As i ri e as i moshuar ky krijues nuk di ç’është lodhja. Angazhimet e tij datojnë qysh nga bankat e shkollës me pjesëmarrjen e tij në aktivitete të ndryshme, por këto dalin në sipërfaqe me fillimin e karrierës së tij si arsimtar e më vonë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Qysh në vitin 1979 Skënder R. Hoxha angazhohet si regjisor në Grupin Dramatik të FPA “Ramiz Sadiku” të Pejës, ku bën regjinë e dramës “Fosilet” të Azem Shkreli; pastaj të dy komedive të Kristo Floqit si dhe disa akademive solemne. Ndërsa në vitin 1984, pas shumë përpjekjesh arrin ta riaktivizojë Klubin Letrar të Pejës, i cili më vonë emërtohet “Karagaçi”, kryetar i të cilit u zgjodh në mandatin e parë (1984 – 1986), e për herë të dytë  kjo detyrë iu dha në mandatrin 1989 – 1991. Ndërkohë, Skënder R. Hoxha shkruan dhe boton poezi dhe artikuj e fejtone nga fusha e toponimisë e më gjërë. Kështu në vitin 1993 pranohet si anëtar i rregullt në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Meqë angazhimet e tij në jetën letrare e kulturore sa vinin e shtoheshin, Skënder R. Hoxha në vitin 1995 themelon Shtëpinë Botuese “Art poetika” të cilën e udhëheq edhe sot e kësaj dite si drejtor dhe redaktor i saj. Në vitin 1997 kalon nga fshati Ozdrim ku punonte si arsimtar i gjuhës shqipe, në Shkollën e Mesme Teknike “Shaban Spahija” në Pejë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, ku punoi derisa u pensionua. Në këtë shkollë, për një kohë ka qenë kronist i shkollës si dhe themelues  e kryeredaktor i revistës shkollore “Tekniku i ri”. Në të gjitha shkollat ku punoi Skënder R. Hoxha, themeloi grupet letrare, grupet dramatike etj., njëherësh organizoi aktivitetet duke qenë gjithnjë në ballë të tyre. Kështu, paralel me aktivitetin e tij letrar e shkencor, me ç’rast botoi rreth 30 libra me poezi, fejtone, monografi, studime etj., angazhimeve të përditshme nuk iu ndahej. Gjatë kësaj kohe shkrimet e tij letrare e shkencore u botuan nëpër gazeta dhe revista të ndryshme. Mori pjesë në shumë simpoziume shkencore ku u paraqit me kontributet e tij nga shkencat e albanologjisë. Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Pejës edhe gjatë viteve 2008–2011 (që një kohë u quajt “LSHK – Dega në Pejë”, pastaj “Klubi i Shkrimtarëve të Pejës”), ndërsa më 11 shtator të vitit 2014, ky asociacion letrar u emërua “Shoqata e Krijuesve Letrarë të Pejës”, ku shkrimtari Skënder R. Hoxha u zgjodh nënkryetar, e që këtë detyrë e ushtron edhe aktualisht. Në vitin 2014 me një grup krijuesish nga Dushkaja themeloi Shoqatën e Krijuesve Letrar “Penat e Dushkajës” me seli në Cërmjan, me ç’rast u zgjodh edhe kryetar i saj, detyrë që e ushtron edhe sot. Vlen të theksohet se aktiviteti dhe angazhimi i tij letrar sjell si rezultat edhe përfaqësimin e tij në Antologji të ndryshme poetike, ku poezitë e tij gjetën vend. Duhet përmendur përkthimet që iu bënë në Rumuni, ku në Bukuresht u botuan shqip e rumunisht shumë poezi dhe një libër poetik me titull: “Udhëkryqet e Fotamorganës” (2012), poezi shqip-rumunisht, në Bukuresht. Përveç në gjuhën rumune, ky poet botoi edhe haiku e sibilia shqip-anglisht me titull: “Këndimi i muzave” (2011) në Tiranë. Ndërsa nëpër revista të ndryshme i janë përktheyer shumë poezi dhe kontribute shkencore. Një ndër to është edhe shkrimi “Doblibare ve Vraniçe koylerinin yer adlari bikgisinde çerkezlerin izi” (“Gjurmët e çerkezëve në toponimet e katundeve Doblibare e Vraniq të Dushkajës”), botuar në revistën turke “Çevren” në vitin 1989 etj. Këtyre aktiviteteve nuk u kanë munguar as çertifikat, mirënjohjet e ndryshme nga Shoqata dhe Institucione në Kosovë e Shqipëri. Duhet veçuar Çmimin e karrierës që i ndau Drejtoria për kulturë, e sport e komunës në Pejë, Nderi i Bytyçasve nga Shoqata “Bytyçi” në Tiranë; çmimin Poet i vitit nga Iniciativa Sociale e Kosovës për kontribut letrar. Me mirënjohje dhe çertifikata e nde­ruan edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës për kontributin e dhënë. Pastaj vjen Mirënjohja nga kryesia e Shoqatës së Kriju­esve Letrarë “Penat e Dushkajës” me seli në Cërmjan, komuna e Gja­kovës. Ndërsa më 26 gusht 2018, më rastin e shënimit të 15 – Vjetorit të “Festës së Bytyçit”, e emërtuar “Festa e Plisit të Bardhë”, si një nismë për t’u shpallur “Festë Mbarëkombëtare”, Skënder R. Hoxha, për angazhimin dhe kontributin e tij, nderohet me çmimin më të lartë që e ka Shoqata, Mirënjohje speciale. Të gjitha këto formësojnë portretin letrar e shkencor të Skën­der R. Hoxhës nëpër vite, për të cilin angazhimet nuk njohin moshë. Ai përherë gjendet në vorbullën e tyre pa kursyer kohë as mund.

Dy fjalë për fund

U tha shumëherë në këtë shkrim së Skënder R. Hoxha për kulturën, letërsinë dhe shkencën shqiptare paraqet një kompleksitet vlerash të dëshmuara fushash e gjinish të ndryshme. Këtë e vërtetojnë një dyzinë veprash me poezi, publicistikë, kritikë letrare, monografi, studime nga onomastika e të tjera. Me këto ky autor jo vetëm që krijoi emër, por zuri vend meritor në këto sfera të krijimtarisë. Gama e tij krijuese është e gjërë. Epiteti që i shtohet cilësive të tij krijuese vetëm sa e vërteton këtë që po shkruajmë. Skënderi poet, publicist, kritik, monograf, hulumtues, toponimist, fitonimist, zoonimist, hidronimist, makro e mikrotoponimist, gjuhëtar, etnograf, folklorist dhe epitete të tjera e forcojnë mendimin tonë së Skënder R. Hoxha është një figurë komplekse në shkencën dhe kulturën shqiptare, të cilat e cilësojnë këtë figurë si ndër më të rëndësishmit. Gjurmimet dhe hulumtimet e tija e bëjnë një studiues dhe krijues të respektueshëm, i cili me veprën e tij të gjerë, solli vlera të njëmendta në tëgjitha ato fusha ku dha kontributin e vet. E këto janë veprat e tij në poezi, publicistikë, kritikë letrare dhe shkenca filologjike.

Dhe besoj (shumë jam i bindur) se këtu nuk përfundon angazhimi i tij krijues!

 

Shkurt-Mars, 2018                                                      Hasan Hasani

Prishtinë