Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell e quajti përvojën e Afganistanit një “katalizator”, një nga ato ngjarje historike, që ndryshojnë politikën dhe mund të sjellin më shpejt kthesën në çështjen e mbrojtjes europiane. “Kur, nëse jo tani”, pyet Borrell.
Fund i hidhur, dështim i rëndë
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer bëri fjalë për një “fund të hidhur, një dështim të rëndë” në Afganistan. Mbetet të shihet, nëse perëndimi me këtë do të dëmtohet rëndë në plan afatgjatë. Ajo shpreh keqardhjen, që europianët “nuk janë në atë pikë ku duhet” me aftësitë e tyre mbrojtëse. Por nga kjo varet besueshmëria e Europës në të ardhmen, sepse deri më tani Europa ka qenë e varuar nga SHBA, siç u pa edhe në Kabul, u shpreh ajo.
Ministrat e Mbrojtjes së BE diskutuan në Brdo, Slloveni, nëse mund të ecet më shpejt përpara me planin për trupën e shpejtë europiane të ndërhyrjes pas zhvillimeve në Afganistan, një plan. 5000 vetë do duhet që të reagojnë në të ardhmen më shpejt ndaj krizave, në situata si në aeroportin e Kabulit, ku evakuimi i të huajve dhe ndihmësve afganë duhej të sigurohej ushtarakisht. Avionët e europianëve u ndalën në momentin që SHBA i tërhoqi ushtarët e saj. Por megjithë zhgënjimin e qartë të ministres gjermane të Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe mjaft kolegëve të saj, në fund të takimit u ra dakord vetëm për zbatimin në disa faza të këtij plani, që francezët e kanë sjellë në tryezë që në maj.
Plan në letër
Deri në vjeshtë Gjermania do të përgatisë një dokument për zbatimin kokret të këtij plani. “Në debatin e sotëm për Afganistanin bëra edhe njëherë të qartë, se ne nuk dinim me çfarë t’i përgjigjeshim tërheqjes së amerikanëve, sepse nuk ishim në gjendje vetë të qëndronim në Afganistan, duke pasur parasysh këtu forcat”, tha Annegret Kramp-Karrenbauer.