Një nga shkencëtarët që i është bashkuar thirrjes për një samit global për të vaksinuar botën dhe për t’i dhënë fund pandemisë, u shpreh për BBC se përpjekjet aktuale janë “tepër të vogla”.
Prof. Andrew Hayward, një epidemiolog në University College London, thotë se grupi i shteteve të pasura G7 premtoi një miliardë doza në fillim të këtij viti, gjë që “tingëllon si një numër i madh vaksinash”, por që në fakt, është vetëm një pjesë e vogël e 11 miliardë dozave që ai thotë se janë të nevojshme.
Deri tani, rreth 70% e vaksinave janë përdorur nga vetëm 10% e shteteve, thotë ai për programin Today të Radio 4, dhe disa vende në Afrikë janë “jashtëzakonisht të rrezikuara” sepse kanë vaksinuar vetëm 2% të popullsisë.
Ai thotë se dështimi për të vaksinuar mjaft njerëz dhe për të frenuar pandeminë, do t’i kushtojë ekonomisë globale plot 9 trilionë dollarë.
Mbretëria e Bashkuar duhet të “mendohet mirë” përpara se të vërë në zbatim planet e saj për të përdorur edhe më shumë nga furnizimi i kufizuar i vaksinave për doza të treta përforcuese, thotë profesor Hayward.
Ai thotë se Britania e Madhe ka rezervuar më tepër vaksina se nevojat reale të popullsisë, duke arritur në 100 deri në 200 milion doza shtesë. Por vendet e pasura gjithashtu duhet të investojnë në prodhimin shtesë të vaksinave, jo vetëm në dhurimin e dozave të tepërta, thotë profesori.
“Nëse vendet e pasura nuk mund të angazhohen së bashku për të vaksinuar botën, atëherë çfarë shprese mund të kemi për zgjidhjen e problemeve të tjera komplekse si ndryshimi i klimës?” thotë ai./ BBC