Aplikacioni i mesazheve, Telegram, kapërceu 1 miliard shkarkime në nivel botëror, sipas hulumtimit të fundit të Sensor Tower. Raporti tregon se India është tregu kryesor i Telegram, me 22% të shkarkimeve që janë bërë në këtë vend.
Aplikacioni me seli në Dubai, i lançuar në vitin 2013, e theu rekordin e 1 miliard instalimeve të premten.
India është gjithashtu vendi me numrin më të lartë të shkarkimeve të aplikacionit konkurrent, WhatsApp. Sipas analistëve, rritja e Telegram është pasojë direkte e politikave të reja të përdorimit të WhatsApp, që për disa tregje, përfshiu mundësinë për kompanitë të kalojnë të dhënat e përdoruesve në shërbim me ato të platformave të tjera, pjesë e grupit të Facebook.
Për këtë arsye, shumë përdorues zgjodhën të kalojnë në një sistem, të paktën deri më sot, më të izoluar dhe më të pavarur. Në nivel global, pas Indisë, renditet Rusia, që përfaqëson rreth 10% të gjithë instalimeve, ndjekur nga Indonezia, me 8%.
Duhet theksuar se numri i instalimeve nuk përkon me bazën e përdoruesve aktivë në aplikacion. Telegram kishte rreth 500 milionë përdorues aktivë në fillim të këtij viti, për shembull. Por rritja e numrit të shkarkimeve, që përkon me menaxhimin e keq të politikave të privatësisë të WhatsApp, të bën të mendosh se Telegram ka gëzuar një rritje të vëmendjes në tremujorët e fundit.
Raporti shkruan se në 6-mujorin e parë 2021, rreth 214.7 milionë instalime u janë shtuar atyre ekzistuese, me rritje me 61% me bazë vjetore krahasuar me 133 milionë në 6-mujorin e parë 2020. Kjo e bën Telegram, aplikacionin e 15-të në nivel global që është shkarkuar të paktën 1 miliard herë. Para tij renditen WhatsApp, Messenger, Facebook, Instagram, Snapchat, Spotify dhe Netflix.
/Tech Crunch