Pas fitores së talibanëve, Ankaraja po përgatitet për imigrim masiv. Tani po ndërtohet një mur në kufirin me Iranin. “Ai nuk do ta ndalë fluksin”, tha studiuesi i migrimit Orhan Deniz në një intervistë për DW.

I gjithë rajoni do të ndiejë efektet e ndryshimit të pushtetit: vendet fqinje si Irani dhe Pakistani po përgatiten për lëvizje masive të refugjatëve. Turqia po përgatitet gjithashtu për imigrim masiv dhe ka filluar të ndërtojë një mur kufitar me Iranin. Kufiri irano-turk thuhet se është mbyllur në kohën e duhur para mbërritjes së refugjatëve afganë. Një garë me kohën ka filluar për qeverinë turke – sipas informacionit zyrtar, 150 kilometra tashmë janë përfunduar.

Orhan Deniz është dekan i Universitetit Yüzüncü Yil në Van. Qyteti lindor i Anadollit konsiderohet të jetë porta hyrëse për imigrantët që vijnë në Turqi kryesisht nga Afganistani. Deniz ka 25 vjet që studion emigrimin e paligjshëm dhe biznesin e kontrabandës në kufirin turko-iranian. Në një intervistë për DW, ai shprehu skepticizëm në lidhje me dobinë e një muri kufitar.

DW: A mund të konstatohet se janë larguar jashtë vendit qytetarë afganë pasi erdhën në pushtet talibanët?

Orhan Deniz: Migrimi filloi me kthimin e talibanëve dhe regjimin e tyre shtypës. Me triumfin e talibanëve, një valë e re imigrimi do të jetë e pashmangshme. Në mënyrë të pashmangshme, njerëzit e Afganistanit po përpiqen të shpëtojnë nga një mjedis i pasigurt në një mjedis të sigurt. Vendet që do të goditen më shumë janë Pakistani dhe Irani. Por ne gjithashtu presim që disa nga imigrantët të shkojnë në Turqi. Në fakt, linja kryesore e tranzitit – përsa i përket flukseve të parregullta të migrantëve – është në Turqi. Kufiri turko-iranian është një nga korridoret më të rëndësishëm të migrimit në botë.