Rregullatori për ilaçe në Indi ka miratuar vaksinën e parë të ADN-së në botë, për përdorim emergjent kundër koronavirusit.

Vaksina që duhet të merret me tri doza, ZyCov-D, ka parandaluar simptomat e sëmundjes në 66 për qind të personave të vaksinuar, ka treguar një studim që është cituar nga kompania prodhuese, Cadila Healthcare.

Kompania planifikon të prodhojë 120 milionë doza të vaksinës në vit.

Vaksinat paraprake të ADN-së kanë funksionuar mirë në kafshë, por jo në njerëz.

India deri më tani ka dhënë më shumë se 570 milionë doza të vaksinave të miratuara – Covishield, Covaxin dhe Sputnik V.

Rreth 13 për qind e të rriturve janë vaksinuar plotësisht dhe 47 për qind kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, prej nisjes së fushatës së imunizimit në muajin janar.

Kompania Cadila Healthcare, ka thënë se ka kryer testimet më të mëdha klinike për vaksinën në Indi, duke përfshirë 28,000 vullnetarë në më shumë se 50 qendra.

Vaksina, sipas kompanisë, ka qenë e sigurt dhe e tolerueshme edhe te fëmijët.

Faza e tretë e testimeve klinike është kryer në pikun e valës së dytë vdekjeprurëse të pandemisë.

Kompania prodhuese beson se vaksina “është efikase edhe kundër varianteve” të koronavirusit, përfshirë atë tejet ngjitës, Delta.

Kjo është vaksina e parë e ADN-së kundër koronavirusit.

ADN dhe ARN janë molekula që bartin atë informacion gjenetik, i cili transmetohet nga prindërit te fëmijët.

ZyCoV-D përdor rrathë të vegjël të ADN-së, që përmbajnë informacion gjenetik, për të dërguar vaksinën në dy shtresa të lëkurës.

Shumica e vaksinave kundër koronavirusit funksionojnë duke i dhënë trupit udhëzime që të krijojë një proteinë, e cila më pas nxit sistemin shëndetësor të një njeriu që të prodhojë antitrupa dhe ta mësojë atë për ta luftuar virusin.

Ekzistojnë një mori vaksinash së ADN-së në Shtetet e bashkuara për përdorim në kafshë, përfshirë vaksinën për sëmundje të kuajve, dhe kancerit të lëkurës për qentë.

Megjithatë, më shumë se 160 vaksina të ndryshime me ADN janë duke u testuar edhe në njerëz në SHBA.

Shumica prej tyre janë për trajtim të kancereve, dhe një e treta për trajtim të sëmundjes HIV.