Elon Musk, themeluesi dhe CEO i kompanisë Tesla, tha dje se ka në plan të krijojë një robot, të aftë për të kryer disa detyra.
Miliarderi premtoi se roboti i ‘Tesla Bot’ do të prezantohet vitin e ardhshëm dhe do të ketë pesë gishta në duar, ndërsa ngjyrat do t’i ketë bardh e zi.
Sipas Elon Musk, roboti do të ketë një ndikim të madh në ekonomitë amerikane dhe globale, pasi mund të përfundojë mungesat e fuqisë punëtore dhe të zvogëlojë kostot e pagave. Ai shtoi se e konsideron të rëndësishme që ky robot të mos jetë “shumë i shtrenjtë, por nuk tregoi më shumë detaje rreth çmimit të tij.
Për të, sigurisht Tesla është kompania më e rëndësishme e robotikës në botë, pasi makinat e saj tashmë janë robotë me rrota, që mund të lëvizin në rrugë edhe pa shofer, por me një autopilot.
“Prandaj, ka kuptim të kesh një robot Tesla në formë njerëzore”, shtoi ai.
Lajmin për krijimin e robotit, Elon Musk e konfirmoi në një eveniment që kishte kompania e tij, ku flitej për përparimin në fushën e inteligjencës artificiale (TN). Ndër të tjera, qëllimi i prezantimit, i cili kryesisht kishte të bënte me zhvillimin e teknologjive për krijimin e makinave plotësisht autonome, ishte që Tesla të tërhiqte inxhinierë të rinj.