Demokracia s’ka fund dhe kërkesat për avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve janë pafund, thotë Ali Ahmeti për DW. Pallton e luftës ia ka dhuruar Piter Fejt, thotë ai në 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.

Marrëveshja e Ohrit, që i dha fund konfliktit shtatëmujor në vitin 2001, mbijetoi tre persona vendas nënshkrues të saj- Presidentin Boris Trajkovski, kryetarin e PDSH-së Arbër Xhaferri dhe kryetarin e PPD-së Imer Imeri, ndërsa në qershor ndërroi jetë edhe njëri nga nënshkruesit ndërkombëtar, diplomati amerikan James Perdew. Krahas nënshkrimeve të tyre  dhe nënshkrimeve të Lipço Georgievskit dhe Branko Crvenkovskit dhe ndërmjetësuesi europian Francois Leotard, për zgjidhjen dhe dhënien fund konfliktit janë angazhuar asokohe por edhe më pas edhe të tjera personalitete.

Për atë se çfarë ka ndodhur më 2001 dhe 20 vite pas përfundimit të konfliktit, flet për DW Ali Ahmetin ish- udhëheqës i UÇK-së, sot kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut.

DW: Angazhimi i kujt mund të thuhet se ka luajtur rolin kyç për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit më 2001?

Ali Ahmeti: Shpreh keqardhje se në mesin tonë nuk janë më një pjesë e personave që kanë dhënë nënshkrimin e tyre në Marrëveshjen e Ohrit, por pa marë parasysh këtë fakt kjo Marrëveshje mbetet detyrim që duhet respektuar, sepse ajo është garantuar nga vendet të cilat kanë investuar dhe kontribuar për paqën në vendin tonë dhe në rajon. Marrëveshja e Ohrit është rezultat edhe i të kuptuarit të realitetit për rezikun që i kanosej vendit tonë. Bashkësia ndërkombëtare në veçanti  NATO, SHBA dhe BE nuk lejuan të përsëritet tragjedia e Bosnjës dhe e Kosovës, dhe ndërmorrën një mision të rëndësishëm me autoritetet vendase: filluan bisedimet para se të ndodhë tragjedia, e cila nuk do t’i linte hapsirë bisedimeve. Mund të ndodhte epilog i cili nuk do të ishte i mirë as për shqiptarët e as për maqedonasit. Faktor i rëndësishëm ishte edhe ushtria, edhe pse nuk kishte bisedime të drejtëpërdrejta, UÇK-ja ishte në kontakte të drejtëpërdrejta me gjithçka çka bisedohej dhe ndodhte në Ohër përmes përfaqësuesve Piter Fejt, Dejvid Slin dhe Stephan Lehne… Çdo ndryshim ose hap që ndërmerrej, aprovohej dhe diskutohej në UÇK. Gjithësesi se Marrëveshja e Ohrit është një kompromis. Rëndësia e kompromisit vërehet pasi lidhet me një periudhë të caktuar. Tani Maqedonia nuk është ajo çka ishte para 20 viteve. Sot kemi një Maqedoni krejt ndryshe, shumë më stabile, më të sigurtë, komunitete që janë shumë të përafërta njëri me tjetrin, shumë më tolerantë ndaj njeri-tjetrit dhe kanë shumë më pak paragjykime ndaj njeri-tjetrit.

Para Marrëveshjes së Ohrit shqiptarët kërkonin arsimim. Përgjigjja ishte me viktima. Shqiptarët i kërkonin simbolet e tyre kombëtare. Kërkesat përfundonin tragjikisht. Shqiptarët kërkonin të jenë pjesë e institucioneve të shtetit. Ata margjinalizoheshin. Sot është gjithçka e ndryshuar.

A mundej që deri te plotësimi i kërkesave të arrihej me mjete paqësore e jo me luftë dhe viktima?

Duhej pyetur për këtë ata që krijonin politika në atë kohë, jo mua.

Por, me komunikatat e para të UÇK-së kërkohej zgjidhja e problemeve etnike përmes zgjidhjeve territoriale. Ato kërkesa ishin pak sa më ndryshe…  

Kjo nuk është e vërtetë. Komunikata bazë e UÇK-së është me numër 6. Atëhere u dha drejtimi politik. Komunikata 6 është reflektim i aspektit politik, strategjik dhe ushtarak. Ne kërkuam dialog, ne kërkuam mirëkuptim, dhe unë kam më shumë se dhjetë komunikata me të cilat i drejtohem Presidentit, kryeministrit, për t’i tejkaluar dallimet dhe t’i afrojmë qëndrimet, sepse ky vend është i yni, i përbashkët. Dhe ato viktima që do të bien, pa dallim a janë shqiptarë apo maqedonas, nënat do t’i vajtojnë.

Kohë më parë keni vlerësuar se është plotësuar pjesa normative e Marrëveshjes, por pas dy dekadave të miratimit të saj, a mundet me aq siguri të thoni se Marrëveshja krijoji një frymë të re të tolerancës?

Mendoj se pas 20 viteve kemi një frymë të re. Kishte dallime pas 15,18 dhe 20 viteve. Do të jap një shembull. Çka ndodhi kur Talat Xhaferi për herë të parë u zgjodh kryetar i Parlamentit? Të gjithë e dimë se çka ndodhi. Kur u rizgjodh para një viti-çka ndodhi? Të gjithë e përshëndetën zgjedhjen dhe sot të gjithë e njohin si kryetar të parlamentit. Çka ndodhi kur një shqiptar udhëhiqte MPB-në, ose me Ministrinë e Mbrojtses, atë për Financa apo për Punë të Jashtme? Për çka unë dola me kërkesën për kryeministër shqiptar? Me qëllim që të ndikoj në tejkalimin e paragjykimeve, sepse asgjë nuk i ndodhi shtetit nga ministrat e mbrojtjes, të punëve të brendshme, të financave, dhe asgjë nuk i ndodhi edhe nga kryetari i parlamentit. Përkundrazi, ajo ishte një porosi e mirë, për arsye se shqpitarët janë më luajal ndaj shtetit. Aq më shumë kur shteti ka luajalitet ndaj qytetarit, aq më shumë qytetari do të ketë besim ndaj shtetit dhe kështu tejkalohen paragjykimet.

Luajaliteti ndaj shtetit tregohet edhe përmes respektimit të së drejtës, por asnjë nga udhëheqësit e UÇK-së nuk u përgjigj për krimet e luftës nga viti 2001…

Marrëveshja e Ohrit është nënshkruar pasi jemi dakorduar për amnesti, jo vetëm për UÇK-në, por edhe për ushtrinë dhe policinë e shtetit, me përjashtim të rasteve të cilat do t’i hulumtojë Tribunali i Hagës.

Flasim për raste të cilat nuk i kap amnestia. 4 rastet e Hagës iu kthyen në rishqyrtim gjykatave vendase…

Tribunali vendosi që këto raste të rishqyrtohen nga gjykatat vendase. Nuk u hapën çështjet dhe nuk ka vendim nga tribunali, por lëndët u kthyen në vend. Marrëveshja nuk ishte që këto lëndë të shqyrtohen në gjykatat e vendit. Ahmeti si përfaqësues i UÇK-së, Boris Strajkovski si kryetar dhe përfaqësuesi i NATO-s, Piter Fait kanë nënshkruar marrëveshje aneks pas nënshkrimit së Marrëveshjes së Ohrit për procedimin e lëndëve nga Tribunali i Hagës, thotë lideri i BDI-së.

Me kë është arritur kjo marrëveshje, që këto lëndë të mos shqyrtohen në vend?

Kjo marrëveshje është nënshkruar midis meje si përfaqësues i UÇK-së, Boris Trajkovski si kryetar dhe përfaqësuesit të NATO-s Piter Fejt. Kjo ishte marrëveshje aneks, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit për ecurinë e lëndëve për të cilat do të interesohej Tribunali i Hagës. Ne nënshkruam për lëndët që do të ketë interesim tribunali për shkeljen e normave ndërkombëtare dhe për to do të gjykonte tribunali dhe jo gjykatat e vendit.

Për ato raste këtu filloi hetimi, ishte procesi gjyqësor për “punëtorët e Mavrovës” të gjitha hetimet u ndërprenë në vitin 2011 sipas ligjit për amnesti, për të cilin nga përgjimet kuptuam se është pjesë e marrëveshjes politike me partnerin tuaj të atëhershëm të koalicionit qeveritar.

Me vetë iniciativë ka pasur ndonjë veprim. Por këto hetime i kishte bërëTtribunali i Hagës. Unë isha 8 ditë në bisedime, intervista në zyrat e Tribunalit të Hages në Shkup, kam intervistë të dhënë në mbi 200 faqe. Është bërë intervistë edhe me shumë eprorë të UÇK-së. Unë nuk di se kush është thirrur në intervista nga Tribunali Hagës

Ku është sot uniforma të cilën e keni veshur para 20 viteve?

Në momentin kur jemi debomilizuar, pjesën e sipërme, pallton ia dhurova Piter Fejtit. Pjesët e tjera janë tek unë, në shtëpi. I thashë: po ta dhuroj këtë pallto, sepse unë i besoj NATO-s. Dhe nëse nuk respektohet kjo marrëveshje unë nuk dua ta humbas besimin në këtë organizatë, e cila ka investuar shumë në paqe dhe stabilitet.

Në opinion dominon bindja se frytet nga paqja dhe stabiliteti më konkretisht nga parimi për përfaqësim adekuat të bashkësive në administratën shtetërore, po keqpërdoren për krijimin e një kontigjenti të klientelizmit, që shërben për votuesit partiak të BDI-së. Këto kritika janë aktuale edhe sot…

Unë kam luftuar dhe luftoj. Duhet t’i jepet hapësirë atyre që e meritojnë.

Për çfarë meritojnë?

Ata intervistohen në institucione, dhe gjithsecili që angazhohet në institucion duhet t’i kalojë disa filtra.

Me të vërtetë besoni se kjo ndodh kështu?

Unë duhet të besoj në parimet e mia, sepse unë jam i interesuar për cilësi e jo për sasi.Vetëm me cilësi mund të shkojmë përpara. Unë jam i interesuar të luftoj krimin dhe korupsionin, jam i interesuar të sundojë e drejta dhe do t’ju kemi juve si partner, mediet, që ta luftojmë të keqen. Por jo edhe të biem pre e ndikimeve të politikave ditore. Le të demaskohet secili rast i keq, sepse vetëm ashtu mund t’i ndihmojmë proceset.

Ju jeni partner i koalicionit në qeveri, e cila javën e kaluar shkarkoi një drejtor të sukseshëm. Nuk ishte e rëndësishme cilësia por marrëveshja ndërkoalicionare. A keni arsye për demaskim?

Nuk kam njohuri për këtë rast për t’ju dhënë sqarime.

Partitë e bllokut shqiptar vlersojnë se BDI me vite po monopolizon Marrëveshjen e Ohrit dhe frytet e saj. Pse?

BDI-ja është merritore për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk besoj se dikush mund ta kontestojë këtë. Por askush nuk ia merr të drejtën dikujt të organizojë edhe nga partitë opozitare. Më thoni një rrast kur një parti opozitare ka ftuar ndonjë analist dhe ka bërë shënimin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Në 2006 dhe 2007 ne nuk ishim pjesë e qeverisë, por e kemi festuar përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja kërkon trajtim. Ajo është arritja më e madhe e këtij shteti që ja hapi rrugën për antarsim në NATO, i afroj komunitet, e rriti luajalitetin dhe nuk kemi situata si kishim para 20 viteve. Ende ka paragjykime ndaj të cilave duhet së bashku të luftojmë.

Pas 2 dekadave a ka mbetur diçka pa u thënë për Marrëveshjen e Ohrit, sepse deri më tani kjo marrëveshje çdoherë prodhonte kërkesa të reja? A ka fund?

Demokracia nuk ka fund.

A kanë kërkesat fund?

Edhe kërkesat janë të pafundëta, si nga komuniteti maqedonas, shqiptar, serb, vlleh, turk…Jeta është dinamike. Ne nuk duhet të jemi rob të ndodhive nga politika ditore. Sa më shumë e zhvillojmë demokracinë aq më shumë shoqëria jonë lëviz proceset para, aq më tepër kërkesa dalin në pah.

Nga VMRO-DPMNE paralajmëruan se as lideri dhe as përfaqësues të saj nuk do të marrin pjesë në kremtimin e 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar se kremtimi është një paradë e harxhimit të parave të popullit në kohë të krizës ekonomike

Këto janë qëndrime të politikës ditore, për paqe, stabilitet dhe siguri – nuk ka çmim, është mirë që zotëri Mickovski të marë pjesë në kremtimin e 20 vjetorit së Marrëveshjes së Ohrit, sepse kjo marrëveshje është në të mirë të shtetit, e bëri atë më stabil dhe më të sigurtë, më afër ëndrrës se mund të jetohet në këtë shtet. Nuk është mirë që për qëllime të politikave ditore të abstenohet nga kremtimi i një date aq të rëndësishme siç është nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.