Ishulli italian i Sicilisë mund të ketë regjistruar temperaturën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Europë.
Autoritetet rajonale raportuan për temperaturën 48.8 gradë Celsus (119.8F) në Sirakuza të ishullit.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), rekordi aktual zyrtar në Europë është 48C, i regjistruar në Athinë, Greqi, në 1977.
Vala e fundit e nxehtësisë në Itali po shkaktohet nga një anticiklon, i njohur si “Lucifer” që vjen nga Afrika.
Lucifer parashikohet të shkojë në veri të Italisë, duke rritur më tej temperaturat në qytetet, përfshirë edhe kryeqytetin, Romën.
Ministria e Shëndetësisë ka aktivizuar alarmin e kuq për nxehtësi ekstreme në disa rajone, ndërsa numri i qyteteve që përballen me rrezik maksimal shëndetësor do të rritet nga 8 në 15.
Vala e të nxehtit mesdhetar, e cila ka bërë që disa vende të regjistrojnë temperaturat e tyre më të larta në dekada, ka çuar në përhapjen e zjarreve në të gjithë Italinë jugore, me Sicilinë, Kalabrinë dhe Puliën, rajonet më të goditura.
Zjarrfikësit italianë të Mërkurën thanë se ata ishin përfshirë në më shumë se 300 operacione në Sicili dhe Kalabri gjatë një periudhe 12-orëshe, duke luftuar gjatë gjithë natës për të kontrolluar flakët, të cilat kanë djegur mijëra hektarë tokë.
Ndryshimi i klimës rrit rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë që ka të ngjarë të nxisë zjarret.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë Celsius që kur filloi epoka industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në të gjithë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve./BBC