Agjencia Europiane e Barnave po heton për dyshimet se vaksinat Pfizer dhe Moderna mund të jenë shkaktare të disa efekteve të reja anësore. Mes tyre renditen reaksionet në lëkurë dhe inflamacioni i veshkave.

Agjencia Europiane e Barnave EMA dyshon se vaksinat Pfizer dhe Moderna shkaktojnë disa lloje të alergjisë së lëkurës, inflamacion të veshkave dhe sindromën nefrotike, një tjetër çrregullim i veshkave që karakterizohet nga humbje të mëdha të proteinave urinare.

Këto probleme janë konstatuar tek disa persona pas vaksinimit me dozat e këtyre firmave, që për imunizimin anti-COVID përdorin të njëjtën metodë inovative të lajmëtarit të ARN-së.

Ekspertët e agjencisë europiane po kryejnë të gjitha analizat e mundshme, për të vendosur nëse do i përfshijnë në listën e efekteve anësore të vaksinave, këto tre probleme.

Muajin e kaluar EMA zbuloi lidhje mes injektimit të këtyre dozave me një lloj të veçantë inflamacioni në zemër.

Sakaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë po mbështet provat klinike të tre ilaçeve anti-inflamatore si artesunate, imatinib dhe infliksimab. Deri më tani, ilaçet që përdoren kundër artritit reumatoid kanë dhënë efekte pozitive në kurimin e COVID-19.