Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Izraeli ka qenë zhgënjyese për Serbinë.

Vuçiq ka thënë të martën (10 gusht) se gjatë bisedës telefonike me presidentin e ri të Izraelit, Isaac Herzog, ka shfaqur shpresën se, Serbia dhe udhëheqësia e re izraelite do të përparojnë raportet dypalëshe.

“Presidenti Vuçiq ka shfaqur pritjen se presidenti Herzog dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun Beograd- Prishtinë, i cili për Serbinë është mënyra e vetme e zgjidhjes së çështjes së ndjeshme të Kosovës”, thuhet në komunikatën e presidencës serbe pas bisedës telefonike.

Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021.

Njohja e ndërsjellë mes këtyre dy vendeve ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin ekonomik të arritur në Uashington të SHBA-së më 4 shtator 2020.

Marrëveshja e Uashingtonit, ishte nënshkruar atëbotë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja gjithashtu parashihte që Kosova të hap ambasadën në Jerusalem ndërsa Serbia ta zhvendoste nga Tel Avivi në Jerusalem.

Kosova e ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia ende nuk e ka zhvendosur të veten.

Sipas komunikatës, gjatë bisedës telefonike me presidentin e Izraelit, Vuçiq ka thënë se diskutimet do të kontribuojnë në një mirëkuptim më të madh mes dy vendeve.

“Ne e vlerësojmë si shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura”, ka thënë Vuçiq.

Siç thuhet, Izraeli është një nga investitorët më të rëndësishëm në Serbi, dhe këto investime përfshijnë fushën e transportit dhe atë të pasurive të paluajtshme.

Të dy presidentët, sipas njoftimit, deklaruan se ka hapësirë për të zgjeruar bashkëpunimin përfshirë rritjen e nivelit të tregtisë, dhe se hapja e zyrës përfaqësuese të Odës Ekonomike Serbe në Izrael i ka dhënë shtysë këtij qëllimi.