Pak ditë më parë, doli nga shtypi libri i doktoreshës familjare, drejtoreshës së Qendrës Shendetësore në Shëngjin, dr. Domenika Gjekmarkaj – Kapllaj, titulluar: Gruaja fisnike, Sabrie Lushaj. Ky liber është i veçantë nga shumë aspekte. I kushtohet një personaliteti jopublik, krejtësisht privat, por të veçantë për karakterin, cilësitë dhe virtytet e saj fisnike: si bashkëshorte, si nënë, si gjyshe, si punëtore, si zonjë shtëpie, si nje shtyllë e familjes, si mikpritëse e dalluar. E veçanta tjetër e librit është se ky është libri i parë i autores dr. Domenika, e cila përkundër angazhimeve të mëdha në profesion dhe në udhëheqjen e institucionit shëndetësor, pati vullnet dhe gjeti kohë për të shkruar për mikën e saj, Sabrien.
Në hapje të librit, autorja ka shkruar: “Një libër … për një njeri. Jeni të falënderuar që po e këndoni këtë libër. Është një libër për një njeri të thjeshtë. Ama, për një njeri`.
Hyrjen e librit e titullon: “Po flas për Sabrien… dhe shton si nëntitull: “Me Sabrien dhe me ju, të nderuar lexues”. Si “enterfil” fjalës së hyrjes, autorja jep një pasazh emocionues, në të cilin thotë: “Më beso mikja ime Sabrie Lushaj, errësira që na ke lënë pas është shumë e madhe. Kam ardhur disa herë pranë teje, aty në Tiranë ku prehesh e qetë, sikundër jo rrallë jam mbyllur edhe në zyrën time, duke derdhur pika loti përballë portretit tënd, duke lutur Zotin që pika e derdhur e lotit të bëhet dritë aty ku ti prehesh. Emocionet, kujtimet e përmallshme që le pas me ikjen tënde nga kjo botë për një botë tjetër të RE, më nxitën të shkruaj (këtë) libër për ty (edhe) si sprovë e parë në jetën time”. Dhe më tutje vazhdon me “Parathënien” e gjatë të librit, prej faqe 7 – 19, në të cilën radhitë vlerësimet e saj për personazhin së cilës ia kushton librin. Edhe “Parathënia” përshkohet, përveçse me fjalët më të zgjedhura për vlerësimin e personalitetit të të ndjerës Sabrie, edhe me shumë emocione, dhe kjo tregon se vërtetë autorja e ka dashur me zemër Sabrie Lushajn. – “Të shkruash diçka për një njeri që e ke dashur dhe të ka dashur shumë, është e dhimbshme. Kështu po e ndjej unë, ndoshta nga që jam mjeke dhe jo edhe aq shkrimtare”, -thotë dr. Domenika.
Autorja thotë se me të ndjerën Sabrie është shoqëruar dhe është bërë mike e ngushtë, qyshse çifti Zeqir e Sabrie Lushaj ishin këthyer nga Amerika, nga fundi i majit të vitit 2014 dhe ishin vendosur në shtëpinë e tyre te pushimit në Shëngjin. Në Amerikë çifti Lushaj ka jetuar e punuar 17 vjet, dhe janë këthyer me shtetësinë dhe pensionin e fituar me punë atje, ku kanë krijuar rrethin e gjërë të miqëve, nga radhët e migrantëve shqiptarë, por edhe të tjerë, dhe me kolegë të punës. Para se të emigronin për Amerikë, pas shpërnguljes nga Grija e Tropojës ne vitet `70, Sabrieja ka punuar 16 vjet në ndërmarrjen “Albturizmi” në Tiranë. Ajo, si në familje e farefis, si në punë e në shoqëri, ka lënë përshtypjet më të mira si grua model në jetën familjare dhe punëtore e vyeshme dhe e respektuar në punë.
Për ta vërtetuar autoritetin e fituar të asaj zonje të veçantë, autorja në Parathënien e librit jep një “insert” nga dita e përcjelljes nga Shëngjini për ta vorrosur në Tiranë. Duke parë gjithë atë turmë njerëzish që po e përcillnin, në kohë pandemie kur tubimet ishin reduktuar në minimum, një banor i Shëngjinit (M.Gj.), kishte thënë: “A po e shihni, nuk paska nevojë të jesh i madh, more, as ministër as deputet, që të jesh shumë i/e nderuar…, dhe kishte folur me zë:“Udha e mbarë Sabrie”, dhe i kishin rrjedhur lotët për faqe, që janë raste të rralla të qesin lot burrat e malësisë.
Në vazhdim të Parathënies, autorja përmend edhe shumë takime e vizita të paharruara dhe plane për vizita tjera të përbashkëta në Tropojë, Valbonë e vise tjera të cilat i donte me zemër e ndjera.
Autorja e librit, dr. Domenika, si mjeke familjare dhe si mike, i kishte ndejtur pranë afër tre muaj sa ishte Sabrija e sëmurë, në Shëngjin, në Lezhë dhe në Tiranë. Kur e shihnin personeli mjeksëor i Spitalit të Kardiologjisë, në Tiranë, se sa njerëz interesoshehin për gjendjen shëndetësore të Sabries dhe sa vinin për ta vizituar në spital, çuditeshin me gjithë ato interesime e ato vizita. Një ditë shefi i pavjionit të reanimacionit, i kishte thënë Sabries, duke qeshur:
Po çka bëhet kështu me ty moj Sabrie Lushaj? Dhe Sabrija, duke qeshur e kishte pyet:
Pse doktor, çfarë ka ndodhur..?
Po tanë Tirana është çuar në këmbë për ty moj Sabrie.
Në vazhdim të Parathënies, autorja tregon se si i lindi ideja për të shkruar librin. Duke parë qindra njerëz që kishin marrë pjesë në përcjelljen e fundit, qindra të tjerë vizitorë për ngushëllime, me ditë, me javë e me muaj, dhe duke lexuar nga mediat letra, telegrame ngushëllimi dhe shkrime që vinin në adresë të Zeqirit, me vlerësime e nderime për bashkëshorten e tij të ndjerë,- autorja kishte biseduar me Zeqir Lushajn dhe i kishte shprehë mendimin dhe dëshirën për ta bënrë një libër kushtuar Sabries së ndjerë, në të cilën do të përfshinte edhe ato letra e ngushëllime që ishin botuar deri atëherë. Dhe, siç e thotë vetë autorja, librin “e kanë shkruar” miqtë e shumtë të çiftit Zeqir e Sabrie Lushaj, nga shumica e shteteve dhe qyteteve të vendit, të Kosovës, të Amerikës, Italisë, Zvicrës, Gjermanisë e deri në Zelandën e Re dhe në Australinë e largët. Në ato letra, emaila, mesazhe shprehin dhimbjen, ngushellimet dhe vlerësimet per Sabrien. Dhe për t’i bërë nderë personazhit që i kushtohet, ky libër nuk do të shitet, por do t’iu jepet dhuratë rrethit të gjërë të familjes, farefisit, miqve, kolegëve e shokëve të shumtë të çiftit Lushaj, dhe të vet autores, gjithandej ku gjenden ata.
Në fund të Parathënies, autorja që ështe mjeke familjare, ka dhënë një pasqyrë për gjendjen shëndetësore të të ndjeres Sabrie në këto gjashtë vjetët pas kthimit nga Amerika, e që asnjëherë nuk ka pasur shqetësime as ankime, derisa i është paraqitur tinëzisht sëmurja të cilën nuk arritën ta mposhtin, me gjithë kujdesin dhe angazhimin e përkushtuar të personelit mjekësor, duke filluar nga vet autorja e deri te ai i Spitalit “Nenë Tereza” e “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë. Por, Sabrieja gjatë tërë kohës ka qëndruar e fortë dhe nuk i është dorëzuar sëmundjes për asnjë çast, deri në frymën e fundit. – Qëndroi dhe shkoi pa bërë as ah, as oh, dhe pa një pikë loti as fytyre të mërrolur; e priti vdekjen trimërisht, si një burrneshë e vërtetë. Edhe natën e fundit të jetës, doli vet në ballkon të shtëpisë dhe piu kafe me ne. Hallall të qoftë 1000 herë shërbimi e çfarë mundëm të bëjmë për lehtësimin e dhimbjeve tua, o Sabrie Lushaj. Qofsh e Xhenetit dhe paç me vete Dritën e Perëndisë”, -e përfundon autorja Parathënien e librit, duke shtuar: “Edhe njëherë pra, jeni të falënderuar që po e këndoni këtë libër, për një njeri të thjeshtë, ama, për një njeri”!
Mesazhe ngushëllimi e vlerësimi, emocione…
Në raste të dhembjes për njerëzit e zemrës, fjalët ngushëllluese, kur janë të sinqerta, janë ilaçi më i mirë. Në librin Gruaja fisnike – Sabrie Lushaj, janë përfshirë mbi 110 mesazhe ngushëllimi të miqve të shumtë të familjes Lushaj, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Amerika, Italia, Zvicra, Gjermania, Norvegjia, Zelanda e Re e deri te Australia e largët. Të gjitha mesazhet janë të përshkuara me ndjenjen e dhembjes dhe me vlerësimet më të mira për personalitetin e të ndjerës. Në ato mesazhe do të gjeni cilsime, vlerësime e mbiemra simbolizues e portretzues, siç e kanë njohur të ndjerën. “Dua ta falënderoj zonjën Sabrije se na nderoi sa herë na erdhi në shtëpinë tonë me hijen e saj fisnike, me virtytet e larta të malësores, do ta kemi gjithë jetën tonë prezente në kujtimet, në zemrat dhe në mendjet tona”, -shkruan Aleks Kapllaj, gazetar nga Lezha, që jeton e punon në Itali. Disa mesazhe janë edhe mjaft emocinuese. Në mesazhin e gjeneralit Halit Miftar Gjeci, nga Tirana, që ia dërgoi Zeqirit në tremujorin e shkuarjes së Sabries në amshim, mes shumë vlerësimeve, në post scriptum shton: “M’u ba shumë gjatë pa ardhë, po a’e din pse? Druaj se kur të zbres në at’oborr, më lëshojnë të dy këmbët!”
Në ato mesazhe të shumta ka kujtime, vlerësime, ngushëllime, këshilla si ta përballojë dhembjën dhe vetminë bashkëshorti i të ndjerës, Zeqir Lushaj.
Në këtë libër do të gjeni edhe një tufë poezish të Zeqir Lushajt (6 vjersha, si dhuratë për gruan, Sabrien, në 60-vjetorin e lindjes). Prej tyre, për këtë shkrim po shkëpusim poezinë e titulluar: Gruaja…, botuar në vitin 2008, kushtuar zonjës Sabrije me rastin e 40-vjetorit të martesës:
“Mbas 40 vjetësh martesë,
4 dekada, luftë-ndryshim!
Gjithsesi, gruaja ime, Sabrina*),
(Jo thjeshtë, për kortezi)
E meriton një falënderim.
…!
Të mos shohim aq shumë nga gruaja,
Që të të ndihmojë (kushedi në jetë),
Ka bërë boll, kur nuk bahet pengesë,
…E meriton emrin: – grua e vërtetë!”.
( *) Në Amerkë, emri Sabrina është shumë i përhapur ndër femra. Kështu po e thërrasin të gjithë edhe gruan time Sabrien, sqaron Zeqiri).
Nga letërshkëmbimi ngushëllues dërguar Zeqir Lushajt me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij Sabries, një poezi të gjatë, prej 11 strofa, mjaft emocionuese, kushtuar të ndjerës Sabrie, titulluar: “Motër-mirës Sabrie Lushaj”e kishte shkruar (dhe botuar në disa organe shtypi) poetja Sadete Hakiu, nga Isniqi (shih faqe 138-140). Do të gjeni në këtë libër edhe poezinë prej 14 strofash, të mësuesit veteran Xheladin Gjonaj nga Geghyseni, Tropojë.
Po cilat nga letër-ngushëllimet të dallosh, do t’iu hijsh në hak të tjerëve, sepse të gjitha burojnë nga zemra, nga nderimi e respekti për të ndjerën dhe nga dhembja për Zeqirin, që mbeti pa gjysmën e vet më të mirë, pas më se gjysëmshekulli jete të harmonishme. Një letër e z.Hysen Berisha nga Norvegjia, botuar në “Zemra Shqiptre” dhe në VOAL, e që është përfshirë në këtë libër (fq.147-152), evokon kujtime nga takimet e tij në Familjen Lushaj dhe komenton vlerësimet, flet në superlativ për këtë familje, ndërsa zonjën e shtëpisë (tashmë e ndjerë) Sabrien e quan bujare me tapi. Në një shkrim tjetër të gjatë, botuar në VOAL (Zvicër) dhe në Limit.al (Tiranë), me rastin e 6-mujorit të ndarjes nga jeta të Sabrie Lushajt, shkrimtari Bardh Nëngurra nga Istogu, që jeton në Norvegji, tregon në hollësi njohjen me familjen Lushaj, se gjashtë vjet rresht, gjatë pushimeve nga disa ditë e netë ka qenë mysafir në shtëpinë e tyre, vizitat dhe shetitjet e përbashkëta nëpër Shqipëri. Bardhi tregon nga një bisedë telefonike me Zeqirin, të cilin e ka pyetur: “A po merzitesh”,Zeqiri i është përgjigjur: “Ah more kusheriri im, 52 vjet e 4 ditë jetë i kam bërë me te e kurrë nuk mu ka skuqë fytyra shkaku i Sabries” (fq.190).
Janë këto dromca jete, kujtime, nderime e vlerësime për të ndjerën Sabrie Lushaj, keqardhje e dhembje për bashkëshortin e saj, Zeqirin. Në poezinë e saj kushtuar motërmirës Sabrie Lushaj, poetja Sadete Hakiu nga Isniqi, në një strofë të poezisë së saj “e qorton Sabrijen”, kur i thotë:
“Do t’i them dy fjalë…: Aaah moj motra ime,
-Sabrie, nuk bëre mirë, Mendjen me ta mbushë,
Që të vetmuar ke lënë, Mbi pesë dekada jetë,
Bacën tonë Zeqir. Me të nuk më ndau kush”…
Profesor Kolë Tahiri nga Brukseli, në një mesazh ngushllëmi që i dërgon Zeqirit me rastin e gjashtëmujorit të ndarjes nga jeta të Sabrie Lushajt, ndër të tjera shkruan: “I dashur Zeqir, uroj që pishtari i kujtimit për njerin tënd aq të shtrenjtë, Sabrien, si në këtë 6-muor, të mos shuhet asnjëherë. Njerëzit e mirë si Ajo, jetojnë dy jetë. Vazhdojnë të ruhën në kujtimet tona, në trashëgiminë e lënë. Ajo ka lënë gjurmë në gjithçka pati prekur me dorë. Sabrija jeton në shpirtin dhe në mendjen e atyre që e patën fatin ta njohin. E kjo nuk është pak?!…
Sa të drejtë paskan pasur të partë tanë, të cilët nuk dorëzohehin kollaj, ngritnin kokën lart, përfshiheshin në punë dhe hidhnin vështrimin përpara. Me konsideratë i kujtoj ata pleqtë tanë, të cilët edhe në raste të fatkeqësive, uleshin këmbkryq, ndiznin çibukët dhe u hapnin rrugën “derteve filozofike” për jetën. A gjendet kund burrë Malësie i cili mund ta mohojë Ty, Zeqir, genin e atyre kreshnikëve?!… Në një mesazh tjetër, profesor Kola, që është profesor i psikologjisë, me përvojë të gjatë, i sugjeron Zeqirit këshilla se si ta largojë dhembjen, që “nga mendja dhe shpirti” ta kalojë te muskujt, të lëvizë, të hecë, të bëjë ushtrime e punë fizike, shëtitje, vizita e udhëtime të gjata, që ta mposhtë vetminë.
Për të ndjerën Sabrie Lushaj, mesazhe ngushëllimi, dhe vlerësime kanë dhënë edhe kolegët e punës në Amerikë. Kubanezi Julio Soto, nga Klifsaj Park i NJ, shkruan fjalët më të mira për Sabrijen: “Ishte një gru e shkëlqyer, ishte një zonjë e shkëqyer”, -thotë ndër të tjera z. Soto (fq.208).
Dhe kështu, duke kaluar pa përmendur shumë emra e pa komentuar shumë mesazhe të miqve të Familjes Lushaj, vijmë te fundi i librit të dr. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj: GRUAJA FISNIKE – Sabrie Lushaj.
Nga fundi i librit, Familja Lushaj falënderon me radhë: spitalet dhe mjekët, duke filluar nga Qendra Shëndetësore në Shëngjin, veçmas drejtoreshen Dr Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, pastaj spitalet në Tiranë: “Nëna Terezë”, Sanatoriumin Sauk; pastaj shtypin dhe mediat e tjera brenda e jashtë Shqipërisë (duke i përmendur të gjitha me radhë(), të cilat i dhanë aq hapësirë dhe vlerësime zonjës Sabrie; të gjithë atyre miqve e dashamirëve që në çfarëdo mënyre dërguan mesazhe ngushëlluese, komente e vlerësime, por i flënderon apriori edhe lexuesit e këtij libri të cilin e ka bërë Dr Domenika, me aq zell e pasion. Zoti ju nderoftë të gjithëve e ua kthefshim për gezime!, -përfundon falënderimin e vet Familja Lushaj.
Në faqe 214-226, është një album i vogël, me 12 foto, nga jeta e Sabrie Lushajt. Ndërsa në mbyllje të librrit (fq.230), do të lexoni këtë përmbyllje, të cilën autorja e ka titulluar: SOT E MBRAPA…
“Sot e mbrpa, Sabrie, ne që na deshe e të deshëm aq shumë, edhe për Ty, do ta kujtojmë (edhe) me shpesh një varg aq të ndjeshëm e njerëezor të poezisë së poetit të madh Dritëro Agolli:
“Në raft të librave do të më gjesh!”.
Pushofsh në paqen e përjetshme, o Mike fisnike, o e dashur Sabrie Lushaj!
Amin!”.
(Ndërsa unë që shkrova këta rreshta modest për librin, e lus Zotin e Mardhërishëm që shpirtin e të ndjerës Sabrie Lushaj ta meshirojë dhe shpërblejë me Xhenet, kurse autoren Dr Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, e falënderoj për këtë libër kaq të mirë që na ka dhuruar, në kujtim të GRUAS FISNIKE – Sabrie Lushaj).
-Nga Prishtina, Vere 2021-