SHTËPIA E BARDHË – Duke e quajtur një arritje të madhe, Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar më shumë se 110 milionë doza të vaksinës së koronavirusit në 65 vende që janë ndër më të goditurat në botë nga pandemia.

“Kjo përbën më shumë se donacionet e të 24 vendeve që kanë dhuruar vaksina për vendet e tjera, përfshirë Kinën dhe Rusinë,” tha Presidenti Biden gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti theksoi se Uashingtoni nuk po bën kërkesa në këmbim të dhurimit të vaksinave. “Dhe nuk ka asnjë favorizim dhe asnjë detyrim. Ne po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë njerëzish për t’i dhënë fund kësaj pandemie,” tha Presidenti Biden.

Në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës nëse vendet e tjera me të ardhura të larta duhet të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara, presidenti u përgjigj: “Unë mendoj se ato vende që kanë qenë në gjendje të mbulojnë popullsinë e tyre me vaksina dhe kanë aftësinë të japin ose fonde ose vaksina për 100 vendet e varfëra që kanë nevojë për ndihmë duhet ta bëjnë një gjë të tillë”.

Presidenti Biden shtoi se disa vende nga grupi i G-7, që bënë premtime të tilla në samitin e tyre të fundit në Britani, i kanë përmbushur këto angazhime.

“Ne kemi mbajtur premtimin se do të bëjmë atë që thamë, të dhurojmë më shumë se të gjitha vendet e tjera të kombinuara së bashku deri tani,” vuri në dukje presidenti.

Tom Hart, shefi ekzekutiv i fushatës ONE, një organizatë globale që lufton varfërinë ekstreme dhe sëmundjet e parandalueshme, pajtohet me thirrjen e Presidentit Biden, që vendet e tjera të pasura të bëjnë më shumë.

“Shtetet e Bashkuara po udhëheqin luftën globale kundër COVID-19, por pjesa tjetër e botës duhet të bëjë më shumë për të barazpeshuar ambicjen dhe veprimin e administratës së Presidentit Biden. Ndërsa COVID-19 është përhapur në të gjithë globin dhe variantet e reja që shfaqen vazhdimisht, vendet e pasura kanë një zgjedhje: të ndajnë më shumë doza dhe të shkurtojnë kohëzgjatjen e pandemisë, ose të vazhdojnë të mbajnë vaksinat dhe të zgjasin pafundësisht pandeminë”, tha zoti Hart në një deklaratë.

Një samit në shtator që presidenti amerikan planifikon të organizojë “duhet të jetë një pikë kthese, me angazhime të reja shtesë për të marrë vaksina për të gjithë dhe për të adresuar ndikimin shkatërrues ekonomik të COVID-19.,” shtoi zoti Hart.

“Përpjekjet e administratës Biden për të ndarë dozat e tepërta të vaksinave me vendet e tjera, do të shpëtojnë jetë dhe do të ndihmojnë në përfundimin më të shpejtë të pandemisë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën,” i tha Zërit të Amerikës Sean Simons, sekretari i shtypit për “Fushatën ONE”. “Ne nuk do t’i japim dot fund pandemisë në asnjë vend, nëse nuk e mposhtim atë kudo”.

Shumica e dozave të vaksinave amerikane janë dërguar përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe përmes partneriteteve rajonale si Bashkimi Afrikan dhe Komuniteti i Karaibeve.

Presidenti Biden tha se administrata e tij e ka përmbushur zotimin për të falur së paku 80 milionë vaksina për vendet e tjera në mbarë globin dhe se ato janë pjesa e parë e qindra miliona dozave të tjera që Shtetet e Bashkuara do të japin në javët e ardhshme.

“Duke filluar nga fundi i këtij muaji, administrata do të dërgojë gjysmë miliardë vaksina Pfizer që Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do t’i blejnë dhe do t’i dhurojnë për 100 vende me të ardhura të ulta” thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Njoftimi i presidentit vjen mes rritjes së infeksioneve në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, të nxitura nga varianti shumë ngjitës, Delta.

Gjatë muajit të kaluar, rastet e reja mesatare ditore të COVID-19 në Shtetet e Bashkuara shkuan në mbi 85,000. Kjo është shifra më e lartë nga kulmi i parë verën e kaluar dhe është në një nivel që nuk është parë që nga mesi i shkurtit të këtij viti.

Presidenti Biden, në komentet e tij të së martës, kritikoi vendimet e disa shteteve amerikane për të mos respektuar udhëzimet për vënien e maskës.