Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit”, e cila në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Shkup ka marr emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i hapur).

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në evropian dhe jo nismave që, sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.

Kryeministri Rama në fjalimin e tij tha se “kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë se ajo është më e madhe, se do të na marrë gjithë çfarë kemi, së pari jeton në një botë paralele, së dyti jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve, dhe së treti harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe”.

Sipas Ramës, “nëse BE-ja është një Jugosllavi e madhe, atëherë kjo nismë do të ishte një Jugosllavi e vogël…”.

“Ne jemi këtu për të ardhmen. Çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje të së shkuarës si zgjidhje drejt të së ardhmes. Të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Unë nuk e kuptoj Malin e Zi për çka mendohet. Mendohet se si të zgjidhë problemin me krahun e punës, duke qëndruar i mbyllur ndaj kësaj nisme, që është një problem serioz për të gjitha vendet, por që në Mal të Zi është bërë një problem shumë i madh. Po Bosnja për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjnë maksimumin në këtë proces për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, ka shtuar Rama.

Vuçiq: Nga janari i vitit 2023, nuk do të ketë kufij mes tri shteteve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha në fjalimin e tij se bashkëpunimi është mundësia e vetme për zhvillimin e rajonit dhe se nuk mbajnë pretendimet se njëri shtet apo shteti tjetër, do të fitojnë më shumë, apo se Serbia do të fitojë më shumë se vendet tjera për shkak të madhësisë si shtet.

“Ajo që në po bëjmë ka për qëllim të tregojmë se të kaluarën mund ta lëmë pas nesh, të shohim drejt së ardhmes, para se gjithash në ngritjen e standardit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Nga kjo mund të ketë vetëm se përfitime e assesi dëme. Kjo nismë nuk është e orientuar kundër askujt, por drejt qëllimit që qytetarët tanë të bëjnë një jetë më të mirë. Nuk ka gjë më të shenjtë se kjo”, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke paralajmëruar që nga janari i vitit 2023, nuk do të ketë kufij mes shteteve, apo se do të ketë kufij, por jo ndalesa për qytetarët e tre shteteve.

Apel për t’iu bashkuar nismës ka bërë edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

“Ne edhe njëherë i ftojmë edhe inkuarajomë edhe kolegët tjerë që të na bashkohen për shkak të popujve tanë. Të gjithë ne jemi Ballkan, të gjithë jemi ballkani evropian”, ka deklaruar Zaev, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik dhe lëvizja e lirë e njërëzve dhe e mallrave, është mundësia e vetme që ky rajon të ketë të ardhme.

“Dua t’ju bind se vullneti ynë politik i presidentit Vuçiq, i kryeministrit Rama dhe i imi është shprehje e përkushtimit tonë maksimal, për sigurimin e të gjitha kushteve që varen nga qeveritë e tre vendeve tona, për bashkëpunim rajonal efikas dhe efektiv. Ky është një vullnet i fuqishëm dhe vendosmëri për të mirën e popujve tanë për lidhjen dhe zhvillimin e ekonomive tona, për ndërtimin e një ekonomie të përbashkët, për zhvillimin e rajonit, për jetë më të mire të çdonjërit prej nesh. Po lidhemi ekonomikisht që popujt tanë një orë e më parë, të ndiejnë përfitimet ekonomike nga lehtësimet që po i bëjmë. Presim që kjo shumë shpejt të reflektohet në buxhetet tona dhe në jetën e standardin e miliona njerëzve që jetojnë në këtë pjesë të rajonit”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ai ka theksuar se e gjithë kjo do të çojë në relaksimin e raporteve mes shteteve në rajon.

“Është një proces autentik i këtyre vendeve që mbeten të hapura dhe për vendet tjera”, tha Zaev.

Qeveria e Kosovës: ‘Mini-Shengeni’ – nismë pa vizion

Përmes një përgjigjeje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshja parasheh ndërtimin e “korsive të shpejta” në pikat kufitare, për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.

Marrëveshja e Bashkëpunimit për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i mirëkuptimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, dalin nga Nisma për bashkëpunim të avancuar ekonomik rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Dokumentet paraqesin funksionalizimin e iniciativës për të përmirësuar kushtet në lidhje me shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe iniciativën për bashkëpunim mes vendeve në drejtim të mbrojtjes dhe shpëtimit nga katastrofat.

Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ka mbledhur shumë se 300 kompani nga këto tre vende, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe evropiane, por edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve, delegacioneve dhe shoqatave ndërkombëtare.

Shumica e kompanive janë nga sektori i ndërtimtarisë, agro-ushqimit, energjisë, makinerisë, industrisë së automobilave, tekstilit, turizmit, programimit, telekomunikacionit, transportit e fushave tjera. Në kuadër të forumit janë mbajtur edhe takime të shumta të biznesmenëve nga rajoni ku janë shkëmbyer pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.